Është 48 vjeç, numëron 160 këngë në 14 vjet karrierë dhe e konsideron veten “ambasador” të muzikës së Jugut. Ylli Baka mund të themi se ka thyer rekord me famën e tij të shpejtë, pasi i hyri muzikës fill pas një aksidenti në Athinë kur ishte 34 vjeç, burrë i martuar dhe me tre fëmijë. Me kthimin e tij me familjen në Tiranë, u shndërrua në një fenomen të muzikës, ndaj jo pa qëllim aktori Gaz Paja është inspiruar nga ai për të krijuar personazhin “hit” të “Portokalli”-së që quhet Ylvi Bakërri.
Advertisements
Po si e priti këngëtari nga Memaliaj imitimin që s’ia merrte mendja, sidomos nga Paja, të cilin ai deri në atë moment e kishte konsideruar mik? Në këtë intervistë për “Panorama Plus”, Ylli Baka rrëfen prapaskenat e një roli që ka mërzitur jo pak të afërmit dhe fansat e muzikës së tij.
Në pak vite ke parakaluar madje kolegët e tu në muzikë, pasi ke shumë koncerte dhe flitet shumë për ty. Cila është jeta jote, çfarë ke arritur si këngëtar, nëse e përkthejmë në famë dhe para?
Unë kam rreth 15 vjet që këndoj dhe që jam kthyer në makineri këngësh, pasi çdo muaj publikoj ndonjë krijim të ri. Fama ime qëndron vetëm te muzika ime. Kam që në 2005-n që kam nxjerrë albumin tim të parë dhe vazhdoj deri më sot të publikoj të tjerë. Mund të them se gjeta bosh një lloj tregu që mungonte, nga kjo ishte pikërisht pjesa e këngëve popullore në Jug të vendit. Kështu, nisa të ndërtoj repertorin tim me këngë e klipe të reja, të cilat ia kam dedikuar kurbetit dhe patriotizmit. Vonë kam filluar me këngë pak të lehta apo dashurie, krijime të gjitha këto që më kanë hapur rrugën në muzikë, duke marrë shumë ftesa për koncerte.
Advertisements
Flitet se ke bërë shumë para nga muzika, madje, kolegët të komentojnë vetëm për këtë aspekt. Mund të themi se je bërë milioner?
Jo, nuk e quaj veten milioner. Unë nuk këndoj çdo natë, por fundjavat i kam të zëna dhe tarifat për koncerte nuk i kam shumë të larta në krahasim me tregun e muzikës sot. Ndaj mund të them se me punën që kam bërë, mbetem ende normal sa i takon pasurisë, pra, ai që isha.
Bashkëpunimi me Bes Kallakun në këngën e Baftjarit të bëri të famshëm, aq sa batutat televizive u bënë virale. E prisje atë bujë?
Mund të them se ishte një nga bashkëpunimet më të mira ai me Besin, pavarësisht se Besi kishte besim të madh te suksesi i saj. Askush nuk e priste që “Baftjari” do bënte vërtet boom, edhe pse nuk ishte i pari bashkëpunim mes 7 të mëparshmëve.
E tashmë je kthyer në fenomemin e muzikës, ndaj për këtë arsye Gaz Paja të ka zgjedhur si karakterin e ri që imiton në “Portokalli”. Si e prite ti rolin e Ylvi Bakërrit?
Unë isha jashtë vendit të dielën që ai pati premierën e rolit dhe në fillim ma nisën numrin, ku unë pashë thjesht pjesën kur këndonte Gazi dhe ndaj e përgëzova. Por kur u ktheva e pashë të plotë dhe më imtësisht rolin, kuptova që ai dilte nga karakteri im. Di të them që roli i tij sa vjen dhe bëhet më popullor, aq sa njerëzit më pyesin: “Çfarë bëhet me Gazin, kur do e bëni atë këngën bashkë?”.
Ata mendojnë se ky rol është një aleancë mes nesh, por e vërteta qëndron ndryshe.
Po batutat janë të tuat dhe mënyra si i rrëfen historitë?
Jo. Fjala “pasha” s’është e imja, as “shoku”, pasi s’e përdorim fare ne nga Jugu. Unë përdor “o vëlla, ose “gjigant”, “o flori”. Sa për dialektin, ai flet pak si gjirokastrit, ndërsa kur këndon, më imiton në mënyrë perfekte. Kështu që mendoj se mund të ketë një miksim aty brenda me ndonjë këngëtar tjetër që vetëm ai e di. Sa për rrëfimet, ato janë lustrat që ai i jep rolit.
Pas këtij imitimi, e konsiderove në media rolin e Gazit një “Baftjar të dytë”. Të ngeli hatri?
Po, i thashë publikisht: “O Gazi t’u bëfsha unë, mos u merr me atë punë. Ti bëj humor se për të kënduar këndoj unë!”. Hatri? Në fakt s’di ç’të them se Gazi bën humor, ai s’më imiton vetëm mua, por edhe të tjerë. Nuk besoj se kam mllef për këtë që ai bën në ekran.
Në fakt, kanë nisur të qarkullojnë fjalë se ti je indinjuar aq shumë sa madje e ke kërcënuar Pajën, duke i kërkuar të tërhiqet nga roli. Është kjo një prapaskenë reale?
Për mendimin tim, një artist nuk kërcënohet. Por do i thosha Gazit disa vërejtje. Së pari, sa i takon veshjes, unë s’para këndoj i veshur sportiv, pasi mbaj kostum dhe kravatë. Kështu i them të ndërrojë stilin, pasi ato pantallonat me shkëlqim s’janë të miat. Në fillim u mërzita dhe njerëzve të mi s’u ka pëlqyer. Por kuptohet se Gazi nuk e ka bërë me dashakeqësi, pra, nuk ka inat apo me synimin për të më prishur imazhin. Nuk e di si e shohin të tjerët, se ka nga ata që e shohin shumë ndryshe.
Po bashkëshortja dhe fëmijët si e pritën rolin?
Fëmijët nuk e pritën mirë, se janë në shkollë, adoleshentë dhe irritohen. Ndërsa bashkëshortja e priti më me sportivitet. Mendon se Gazi të njeh mjaftueshëm sa për të të imituar në perfeksion? Në fakt, kemi gati dhjetë vite që njihemi, pasi kemi kënduar bashkë në Athinë, por ka pasur raste dhe në Shqipëri. Por në kaq vite, mund të themi se numërojmë vetëm disa orë në shoqërinë e njëri-tjetrit, kështu që kuptohet. Por mund të them se më pëlqen shumë si artist dhe se në “Portokalli” bën më mirë rolin e fierakut, Nasit. Sa për këngët, të gjitha këngët e mia i ka kënduar, por sidomos këngët e tabanit i këndon mirë si: “Të erdha papritur” apo “Rrugët e fatit”.
Është ai sozia yt më i mirë, që mund të zëvendësojë në koncertet e tua?
Unë jam unik në zë dhe në karakterin që kam. Por Gazi nuk është imituesi më i mirë që kam. Ju nuk e dini, por mua më imitojnë shumë persona të tjerë nëpër Shqipëri. Mund të jenë 30-40 djem në Jug, që më imitojnë fiks fare që nga mënyra si vishem, si i mbaj flokët, si këndoj dhe Gazi as u afrohet dot atyre. Ata janë 100 për qind si unë, madje më imitojnë edhe lëvizjen e këmbës që e mbaj pak me siklet, pasojë e një aksidenti që kam pësuar para disa vitesh në Greqi.
Për njohjen që keni, u ndjeve i tradhtuar kur pe se të imitonte miku yt?
Mund të them se ishte pa lejen time ky rol. Më erdhi i papritur, pasi s’isha mësuar me këto gjëra. Unë e pashë në ekran, nuk më tha më parë, edhe pse kishim njohje. Nuk e kam shok të ngushtë Gazin, pasi në 10 vjet njohje numërojmë pak orë në shoqërinë e njëri-tjetrit. E nuk e di se si funksionon dhe nëse ai duhet të ma bënte me dije planin për këtë rol. E telefonova ditën tjetër të më shpjegonte se nuk është ndonjë gjë e keqe. Dhe pas asaj nuk kemi folur. Përgjithësisht, dashamirësit dhe njerëzit e mi nuk e morën mirë rolin e Gazit. Unë vetë e kam telefonuar dy ditë pasi u ktheva nga jashtë dhe u përpoq të më sqaronte se nuk është ndonjë gjë e keqe ky imitim. I kam kërkuar më pas të takohemi për një kafe, por deri tani s’jemi përballur ende. Di që ka mbi 15 ditë që më kërkojnë numrin e telefonit të Gazit për ta ftuar në dasma pas këtij roli, por ai, mesa di unë, nuk shkon në dasma.
Mund të quhesh këngëtari i dasmave dhe si ndihesh kur të hedhin kartmonedha parash?
Unë këndoj kryesisht në dasmat e Jugut. Sa për paratë, tashmë nuk ndodh më sepse nuk më pëlqen. Kështu që kam zgjedhur mënyrën e pagesave me kapar.
Pas Bes Kallakut, Gent Hazizit e Era Rusit, ke nisur të mendosh për bashkëpunimin e radhës?
Edhe pse nga bashkëpunimi mes dy këngëtarëve të mirë përfitojnë të dyja palët, tani e tutje do të mendohem shumë në një bashkëpunim. Unë jam i veçantë në treg, pasi çdo gjë e bëj vetë dhe kështu që kam sukses dhe vetëm me ndihmën e tekstshkruesve Arben Duka dhe Jorgo Papingji, të cilët i pyes gjithmonë për këngët e mia.
Dimë që i ke hyrë muzikës në moshën 34-vjeçare. Si kanë ndryshuar raportet me bashkëshorten pas famës?
Në ‘95-n kemi pasur një grup në Memaliaj, ishim të rinj dhe bënim këngë vetë. Në ‘96-n u largova në Greqi, ku tre vjet kam punuar në arkeologji, ndërsa më vonë me Sindikatat e Athinës, duke u marrë më Lojërat Olimpike. Në vitin 2004, kur sa kisha nisur muzikën, pësova një aksident. Mund ta konsideroj jetë të dytë këtë sot, pasi regjistrimet e para në studio i kam bërë me paterica. Isha i martuar dhe sapo isha bërë baba i binjakëve pas vajzës me bashkëshorten farmaciste e jetonim keq. Raportet me gruan i kemi të mira, që kur jemi njohur në lagjen tonë në Memaliaj. Ne martesën e kemi ngritur me shumë gjak dhe natyrisht që duhet ta mbajmë. Pastaj mua më ka ndihmuar fakti që i kam hyrë muzikës në moshë të pjekur, duke qenë me këmbë në tokë. Nuk e di sesi funksionon dhe nëse ai duhet të ma bënte me dije planin për këtë rol. E telefonova ditën tjetër të më shpjegonte se nuk është ndonjë gjë e keqe. Dhe pas asaj nuk kemi folur. Përgjithësisht, dashamirësit dhe njerëzit e mi nuk e morën mirë rolin e Gazit. Unë vetë e kam telefonuar dy ditë pasi u ktheva nga jashtë dhe u përpoq të më sqaronte se nuk është ndonjë gjë e keqe ky imitim./Panorama