Artisti kontravers Robert Aliaj ishte dje personazhi më i komentuar në media për faktin se u fotografua me vajzën e tij Gala në mes të protestës të studentëve në rrugët kryesore të Tiranës, duke dhënë kështu shembullin personal pse duhet mbështetur kjo lëvizje të rinjsh.
Advertisements
Ai dha mesazhin e fortë për rininë shqiptare, që ajo mos të ndalet. “Mos u ndalni, bëni diçka sot, që fëmijët tuaj të kenë diçka nesër! Unë ju përshëndes!”, tha Aliaj, ndërsa shoqërohej nga vajza e tij, e cila po ashtu foli para studentëve.
“Jam shumë e lumtur që të jem këtu mes jush!”, u shpreh e bija në anglisht. Ndërkohë, vajza dhe bashkëshortja e tij Mimoza Dino kishin udhëtuar dje drejt Tiranës për të qenë të pranishëm sot në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve në finalen e festivalit “Kënga Magjike”, ku Roberti merrte pjesë me këngën “Ah, ku më hodhi Zoti”.
Advertisements
Ai u duartrokit mjaft nga publiku me debutimin e tij, ndërsa qëndronte i ulur në skenën ku në formë pankartash shfaqeshin vargjet e këngës me tekst të Petrit Rukës, bazuar mbi poezinë “Anës lumenjve” të Fan S. Nolit dhe muzikë e orkestrim të Adrian Hilës.
Por ndërkohë që të gjithë prisnin ta shihnin në finale Robertin, për “Panorama Plus” ai dha lajmin se nuk do të jetë pjesë e finales, një skualifikim ky i bazuar në votat e kolegëve këngëtarë në garë. Se si u ndie kur mori vesh lajmin se nuk do të jetë në finale, Roberti tregoi për “Panorama Plus: “Kënga është krejtësisht protestë, është këngë barrikadash, proteston realitetin kaotik të politikës. Mosvotimi i këngës sime me titull “Ah, ku më hodhi Zoti” është dëshmi e qartë se si politika ka indoktrinuar edhe artistët. Ata nuk donin të më shihnin në finale, pasi nuk donin të shihnin të triumfonte mesazhi i fortë që jap me këtë këngë. E si përfundim, duket qartë se si triumfoi armata e tallavasë shqiptare në muzikë, si triumfoi sistemi i kanibalizmit politik që është shtrirë kudo”, tha Roberti ndër të tjera.
Në fakt, kënga e tij mori vëmendje të madhe mediatike, pasi “Ah, ku më hodhi Zoti” u komentua si një dedikim për situatën politike, ekonomike e sociale në vendin tonë. Robert Aliaj prej disa vitesh i kishte munguar skenës muzikore në vend dhe ky ishte një rikthim, përveç pjesëmarrjes në spektakle televizive, si në jurinë e garës VIP “Dance with me”.
Pasi u prit me ovacione në sallën e “Kënga Magjike”, dhe mori shumë komente pozitive në rrjetet sociale, vetë artisti vendosi të bënte një postim në llogarinë e tij në “Instagram”, ku të shpjegonte edhe ndjesitë e tij për këtë krijim, duke specifikuar faktin se kënga e tij është këngë barrikadash dhe jo këngë kompromisesh.
Në statusin e tij publik, ai shkruante konkretisht: “Këngë barrikadash-jo kompromisesh. Kjo është kënga që e këndon kushdo në heshtjen e tij të terrorizuar nga realiteti. Nëse do të ndryshosh këtë realitet të padëshirueshëm, ndërto një model të ri që e bën modelin ekzistues të vjetëruar. Nuk vlen të krijosh një vepër arti të pëlqyeshme estetikisht… Unë dua t’u jap një shkelm bythëve, ti vë zjarrin indiferencës së njerëzve, për t’i bërë ata të tremben nga vetëkënaqësia e tyre në boshllëk”, deklaronte ai.
Kënga e tij, që vinte si një vokacion muzikor, jo pa qëllim kishte tekst të gjatë, ndërtuar mbi vargjet e Fan Nolit “Anës lumenjve”, që Aliaj i ka përshtatur me momente të realitetit shqiptar, duke sjellë kështu një këngë ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë në festivale. Kjo ishte mënyra e re e “rebelimit” artistik të Robert Aliajt, pas pikturës, kinemasë, fotografisë, publicistikës, apo fjalimeve në spektaklin “Dance with me’, ku javë pas jave ngre zërin për problematika të ndryshme që lidhen me realitetin shqiptar. Si një artist i angazhuar, ai jeton mes Brukselit dhe Tiranës dhe kënga e tij vjen si një rrëfim autobiografik. Në këtë garë festivali, ai rikthehet pas vitit 1992, që kur mori pjesë në Festivalin e 31-të në RTSH me këngët “Valsi i panjohur” dhe “Ca fjalë qiellit”.
ROBERT ALIAJ RRËFEN JETËN E TIJ NË KËNGË: NË SHQIPËRI SHPRESOJ VETËM TË VDES!
Robert Aliaj jeton dhe punon mes Brukselit dhe Tiranës. Në fund të viteve ’90, pas një karriere të gjatë si këngëtar, Aliaj u ndal me muzikën për t’u rikthyer në pasionin e tij të parë si piktor artistik. Subjektet e pikturave të tij janë frymëzuar zakonisht nga politika në Shqipëri, ndaj së cilës ai gjithmonë ka ngritur zërin përveç qëndrimeve kritike të skenës artistike.
Në vargjet e këngës “Ah, ku më hodhi Zoti” ai e komenton Shqipërinë si vendin ku shpreson vetëm të vdesë, nëse i referohemi vargut “Në Dragot të shkoj, të vdes”. Më poshtë vargjet e këngës me të cilën ai konkurroi në “Kënga Magjike”, dëshmojnë se si ai rrëfen jetën e tij në këtë këngë.
Teksti i këngës “Ah, ku më hodhi Zoti”:
Ah, ku më hodhi Zoti
syri im veshur nga loti
Syrgjynosur e katosur
Emigrant dhe i vrerosur.
Po vajtonj pa fund, pa shpresë,
Mes Brukselit, mes BE-s,
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Këtu vdes për bukë mileti,
Anës detit, i palarë,
Të vjen uji me orar
Pranë sofrës, vdes urie,
Plot me lista veresie,
Pranë dijes, të panxënë,
Me fëmijë që shkollën lënë,
Futur në kulla ngujimi,
Rroftë arsimi, poshtë arsimi,
Lakuriq dhe i dregosur,
Mes Brukselit, sakatosur.
Ah, ku më hodhi Zoti!
Kënga ime një pikë loti.
Se ç’e shembnë mercenarët,
Prokurorët dhe gjyqtarët,
Se ç’e shtypi korrupsioni,
Qeveritë që s’bien nga froni,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Me reforma, me hashash
Me drejtësinë deledash,
Nënë thundrën e Mjerimit
Mes Belgjikës, Perëndimit…
Ah, ku më hodhi Zoti!
Çirrem, digjem i vrerosur,
I penduar, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Që të kthehem pas një ditë,
Në të ëmblën Shqipëri,
Ku kupton, qe je njeri,
Aty ku të hapet dera,
Ku mbijnë lulet dhe në plehra,
Pranë vatrës, ku zien puna,
Ku ndrit Lana, fryrë si Buna,
Ku janë rrogat gjer në qiell
Ku nga kullat s’ka më diell,
Ku vjen ajri erë parfumi,
Sa e thith të zë top gjumi
Ëndëronj pa fund, pa shpresë,
Në Tiranë të shkoj, të vdes,
Në Tiranë a në Prishtinë
Shtrirë rehat në Shesh Tufinë,
Ku të varrosin si mbreti,
Ngjeshur si sardele deti…