Beni kujdes! Ja si do bëhet regjistrimi fillestar i pronës

Të gjithë qytetarët që kanë një pronë të paluajtshme duhet ta regjistrojnë atë nga fillimi.

Advertisements

Kjo pasi projektligji i ri “Për Kadastrën” i paraqitur për shqyrtim dhe miratim në Kuvend përcakton si një domosdoshmëri për t’i dhënë fund problemeve me pronat e paluajtshme në Shqipëri, por edhe për të krijuar një regjim kadastral të rregullt dhe të pakontestueshëm, regjistrimin fillestar të tyre. Më konkretisht bëhet fjalë për procesin e reflektimit të pasurive për herë të parë në regjistër, pasqyrimi në kartelë dhe hartën kadastrale. Ky proces do të kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe do të realizohet për çdo zonë kadastrale. Natyrisht që pas verifikimeve që do të bëjnë specialistët e ASHK-së në terren për kufijtë e pronave, një rol deçiziv në këtë proces do të kenë edhe vet qytetarët, të cilët duhet të paraqesin çdo dokument që vërteton pronësinë dhe kufijtë e pronës.

Fillimi i regjistrimit
Regjistrimi fillestar bëhet për një zonë kadastrale të identifikuar nga drejtoria vendore dhe ai konsiston në pasqyrimin e çdo pasurie të paluajtshme shtetërore, publike dhe private, të zonës kadastrale, në kartelën përkatëse të pasurisë dhe në hartën kadastrale të zonës. Drejtuesi i drejtorisë vendore, një person ose çdo grup i ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm do të kërkojnë që pronësia, si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen në bazë të akteve të fitimit të pronësisë. Ndërkohë që individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë dhe deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet. Nëse deklarata noteriale nuk mund të sigurohet apo kur ka mosmarrëveshje për kufirin e pasurive, ai përcaktohet nga ASHK-ja. Në çdo rast palët e interesuara kanë të drejtën e ankimit gjyqësor ndaj aktit të ASHK-së, ndërkohë që dokumentacioni hartografik për pasuritë hartohet nga ASHK-ja. Drejtoria vendore, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit. Kundër vendimit të drejtorisë vendore ose në mungesë të përgjigjes brenda afatit, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Ndërkohë që për pasqyrimin e saktë hartografik të pasurive, ASHK-ja shfrytëzon produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë. Për çdo pasuri të identifikuar nga verifikimi në terren dhe që gjendet në hartën e re kadastrale, krijohet praktika e pronësisë me dokumentacionin përkatës. Procedura paraprake e regjistrimit fillestar zgjat jo më shumë se 45 ditë.

Advertisements

Konsultimi publik
Pas hartimit të hartës paraprake kadastrale si dhe përgatitjes së kartelave të pasurive të paluajtshme, në bazë të dokumentacionit të pronësisë të administruar nga drejtoria vendore shpallet publikisht zona që është objekt regjistrimi. Njoftimi publik bëhet në vende të dukshme për të interesuarit e asaj zone kadastrale. Njoftimi duhet të përmbajë kopjen e hartës dhe emrat e pronarëve të pronave që janë identifikuar deri në atë çast nga drejtoria vendore. Njoftimi mbetet i afishuar për 45 ditë dhe brenda kësaj periudhe lejohet të paraqiten ankesa dhe pretendime nga të interesuarit. Pas përfundimit të periudhës së konsultimit publik dhe të trajtimit të ankesave, drejtoria vendore ligjëson regjistrimin e bërë duke formalizuar kartelën e pasurisë, hartën kadastrale dhe duke lëshuar certifikatën e pronësisë të çdo prone.

Artikulli paraprakFakte te reja mbi ngjarjen qe tr*nditi Bllokun! Zbardhet dëshmia e mikut të Ervin Matës
Artikulli tjetërE fundit! Aksident në Unazën e Madhe, makina përplas motoçiklistin(Detaje)