“Kishim biznes, por nuk jemi takuar kurrë”, çfarë fsheh ortaku i Liridonës në Suedi?

Liridona Ademaj Murseli, 30-vjeçarja që u vra në Prishtinë në një grabitje të inskenuar nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, rezulton pronare e një kompanie aktive pastrimi në Suedi të quajtur “Unda” me bashkëpronar Albert Jashari.

Advertisements

Një kompani pastrimi e quajtur ‘Unda Städ AB’ për të cilën në kohën e themelimit është hapur dhe një faqe në Facebook me të njëjtin emër ku promovon shërbimet. Ndër fotot e publikuara shihet dhe Liridona me uniformën e punës që promovon shërbimin.

Adresa e këtij biznesi del në të njëjtin vend ku ka qenë më parë adresa e banimit të Naimit dhe Liridonës.

Advertisements

Gazetari Spartak Koka i emisionit Uniko në Klan Plus udhëtoi drejt Suedisë për të zbuluar më shumë informacion rreth jetës së çiftit në atë shtet.

“Një aspekt tjetër i rëndësishëm për t’u verifikuar është biznesi që ka me Albertin Jasharin të regjistruar Liridona Ademaj. Ka një adresë “Sodra Drotingaten 30, Uddevalla”. Kjo adresë na del ekzaktësisht ku jemi ne aktualisht. Na del fiks në të njëjtin vend ku kanë patur dhe banesën. Pra biznesi me Albert Jasharin i cili është ende aktiv dhe për të cilin ai refuzoi të përgjigjej është i regjistruar në banesën si pjesë aktiviteti dhe seli në banesën ku kanë jetuar më parë Naimi dhe Liridona”, raporton gazetari Spartak Koka nga qyteti Uddevalla në Suedi.

Ortaku i Liridonës: Kishim biznes, por nuk jemi takuar kurrë

Por kush është ortaku i Liridonës në këtë biznes? Gazetari Spartak Koka që udhëtoi drejt qytetit Uddevalla në Suedi, aty ku jetonte çifti para se të kthehej në Kosovë, ka mësuar se bëhet fjalë për Albert Jasharin 41 vjeç .

Ai është vetëprezantuar si një biznesmen shqiptar nga Mitrovica dhe banues në Suedi. Ai shprehet se është dhe kryetar i rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Suedi.

Por çfarë e lidh këtë person me Liridonën dhe a e ka takuar ndonjëherë ai bashkëshorten e Naimit dhe në cilat rrethanash janë njohur? Emisioni Uniko mundi t’i gjejë kontaktin dhe e telefonuam për të mësuar më shumë rreth biznesit të përbashkët si dhe përse adresa e biznesit është vendosur në të njëjtën adresë të banimit të Naimit dhe Liridonës.

Albert Jashari: S’kam interes të proncohem, gazetari ka keqintepretuar diçka me kafe, por s’kam të bëj me atë punë. Ne kemi pasur një firmë pastrimi të përbashkët.

Gazetari: E keni njohur Liridonën në marrëdhënie biznesi apo marrëdhënie personale familjare?

Albert Jashari: Jo nuk e kam njohur hiç fare, kurrë, as personale, as private, as jo profesionale.

Gazetari: Po si jeni bërë ortak në biznes?

Albert Jashari: Nuk kam interes me këtë punë. Ku e more këtë numër, ku e sigurove?

Gazetari: Kjo puna jonë është të sigurosh informacion.

Albert Jashari: Hajde…

Kjo kompani pastrimi e quajtur ‘Unda Städ AB’ është krijuar me datën 19 Janar 2021 me dy ortakë; Albert Jasharin dhe Liridona Ademaj Murselin. Por pikëpyetja pas intervistës me Albert Jasharin është si ka mundur të bëjnë biznes bashkë kur as janë njohur dhe as janë takuar kurrë?

A mos është vallë Naim Murseli pas gjithë kësaj sipërmarrje? Cila është arsyeja që Albert Jashari nuk kërkon të flasë më shumë dhe kërkon me insistim të mësojë se ku i kemi gjetur numrin?

Biznesi i përbashkët figuron zyrtarisht ende i hapur, ndërkohë nuk dimë as sa ka qenë investimi fillestar dhe kush ka investuar më shumë, as ku u zhduk automjeti i loguar i kësaj kompanie që reklamohej për shërbimet e pastrimit si dhe logjistika e përdorur.

Një fakt interesant tjetër është se kompania ‘Unda Stad’ reklamonte shërbime dhe në Lejas Café. Për këtë arsye pyetëm pronarin e këtij lokali Baki Shahini se çfarë i lidh dy bizneset së bashku.

Ky i fundit tha se nuk ka asnjë lidhje me kompaninë e pastrimit.

Artikulli paraprakNisin aplikimet për programet e strehimit social. Nga banesat me qira tek ato të përkohshme dhe përmirësim i kushteve, çfarë parashikohet në fondin prej 320 mln lekësh
Artikulli tjetërParashikimi i motit për sot, 28 dhjetor 2023