Ish-kryeministri Sali Berisha iu është bashkuar protestuesve para Gjykatës së Lartë, ku pritet të merret vendimi se kujt i përket logo dhe vula e PD-së.
Advertisements
Berisha u prit me brohoritje nga protestuesit që kanë bllokuar rrugën para institucionit të drejtësisë, ku është krijuar kaos me trafikun.
“Për Sali Berishën ligji ka qenë një përcaktim gjysmë hyjnor. Gjithnjë kam respektuar ligjin. Vështirë të gjendet një tjetër, të ketë konsideratë më të lartë se sa unë për ligjin”, tha ish-kryeministri teksa u ngjith në podium, duke iu drejtuar tubuesve.
Advertisements
Gjykata e Lartë do të vendosë mëngjesin e së mërkurës për rrugën që do t’i japë çështjes së kujt i përket vula dhe simbolet e Partisë Demokratike. Në Dhomë Këshillimi do të shqyrtohet kërkesa e paraqitur prej mbështetësve të Berishës, sipas të cilëve, në fuqi duhet të jetë vendimi i Shkallës së Parë, ku Agron Zhukri të drejtën ia la Kuvendit të 11 dhjetorit të “Rithemelimit”.
Sipas procedurës, trupa do të ketë mundësinë që të marrë vendim pa dëgjuar palët, por në shqyrtim të dokumenteve. Të tria mundësitë mbeten të hapura, ku një është lënia në fuqi e Apelit, që kërkon rishqyrtimin e plotë të çështjes, duke shfuqizuar vendimin “Zhukri”, pra të shprehet në favor të grupimit “Basha”.
Një tjetër zgjidhje është rrëzimi i Apelit dhe lënia në fuqi e vendimit të Zhukrit, duke ia kaluar të drejtat Berishës. Në të dyja mundësitë, palët mund të ankimojnë vendimin respektiv në Gjykatën Kushtetuese. Një zgjidhje e tretë është që nga Dhoma e Këshillimit, çështja të kalojë në seancë me përballje të palëve.