Policia e Sarandës ka dalë me një komunikatë në lidhje me mbetjet kockore humane të gjetura ditën e djeshme në fshatin Xarë të Konispol, pranë varrezave të fshatit.
Advertisements
Blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije se mbetjet kockore ishin në proçes dekompozimi dhe do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.
“Mbrëmjen e djeshme, në fshatin Xarrë, pranë varrezave të fshatit, janë gjetur mbetje kockore humane, në proçes dekompozimi. Mbetjet kockore do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon punën për identifikimin e shtetasit/es, të cilit/es i përkasin këto mbetje kockore si dhe zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.” – njofton Policia.
Advertisements
Mësohet se pjesa e gjetur është koka e një njeriu, e cila ka ende inde të buta dhe mendohet se ngjarja është e muajve të fundit. Ka qenë një informacion i marrë nga Policia ajo që bëri të mundur zbulimin e kokës së groposur.
Burime për mediat bëjnë me dije se dyshimet kryesore janë se mbetjet kockore mund t’i përkasin trupit të Fatmir Sulovarit apo Leonard Thodhorit, që rezultojnë të zhdukur prej 6 prillit 2023
Kush janë dy personat e zhdukur?
Dy të zhdukurit janë emra të njohur për policinë, pasi në të shkuarën kanë patur precedent në fushën e narkotikëve. Përfshirja e tyre në aktivitete kriminale dyshohet të jetë arsyeja e zhdukjes.
Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.
Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMë” X5 u gjet nje sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.
Arrestimi i Sofokli Baxherit
Në lidhje me zhdukjen e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Thodhorit, i vetmi i arrestuar deri më tani është Sofokli Baxheri, por edhe për të Gjykata e Sarandës vendosi zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” duke e lënë të lirë. Ai po hetohet në gjëndje të lirë për akuzën e “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”.
Hetimi ka provuar se Baxheri, ka një aktivitet tregtar në Sarandë, që meret kryesisht me blerjen, dhënien me qëra dhe shitjen e pronave të paluajtshme. 28-vjeçari është njeriu që ka gjetur shtëpinë me qëra në fshatin Nivicë të Himarës, aty ku më pas është zbuluar prej policisë dhe makina tip “Benz-Mercedez”, me të cilën është rrëmbyer në Sarandë, Fatmir Sulovari.
Baxheri, ka dhënë një dëshmi kontradiktore përballë grupit të hetimit, duke u shprehur se shtëpinë ja kishte dhënë me qëra një personi që jetonte jashtë shtetit, të cilin nuk ja kujtonte emrin. Policia dhe prokuroria e Sarandës, janë të bindur që pikërisht në këtë shtëpi, kanë qëndruar anëtarët e grupit kriminal që kanë kryer vrasjen e dy personave Fatmir Sulovarit, Leonard Theodhorit dhe vendosjen e tritolit në banesën e ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo e ndodhur në 5 Dhjetor 2022 në Sarandë.
Prej disa muaj, policia dhe prokuroria e Sarandës ende nuk kanë asnjë person në burg, ndërsa nuk dihet asgjë se ku janë fshehur trupat e të rinjve pas ekzekutimit. Në disa raste familjarët e viktimave kanë protestuar para komisariatit të Sarandës dhe Policisë së Shtetit në Tiranë, duke marë premtimin për zbardhjen e ngjarjes.
Por deri në këtë fazë strukturat e hetimit asgjë nuk kanë mundur të bëjnë, për identifikimin dhe lokalizimin e autorëve të rrëmbimit dhe më pas vrasjes së Sulovarit dhe Theodhorit. Dy viktimat dhe autorët e krimit kanë pasur njohje të mëparshme mes njëri-tjetrin, pasi dy personat e zhdukur kanë hipur vetë në automjetet ku janë parë për herë të fundit në Sarandë.