Ndërtuesit presin rënie të porosive dhe ulje të çmimeve të apartamenteve
Advertisements
Pas bumit të ndërtimeve të dy viteve të fundit, sektori duket se po përjeton një fazë qetësimi. Në anketën e fundit të besimit të bizneseve të Bankës së Shqipërisë, sektori i ndërtimit nuk është optimist për të dytin muaj radhazi.
Sipas Bankës, treguesi i besimit në ndërtim (TBN) ra me 1.9 pikë përqindjeje në muajin tetor, ndonëse qëndron rreth 15 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.
Advertisements
Rënia këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më pak optimiste për aktivitetin aktual ndërtues ashtu edhe për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin janë në rritje dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.
indeksi i besimit në ndërtim iu kthye në territor negativ në shtator (-9.26), pasi kishte qëndruar pozitiv pothuajse përgjatë gjithë vitit dhe në tetor treguesi u përkeqësua dhe më tej në -11.2, duke treguar se pjesa më e madhe e ndërtuesve janë pesimistë për porositë në të ardhmen. Ky është niveli më negativ që nga tetori i vitit 2022.
Bizneset presin më pak porosi. Balanca e përgjigjeve[1] për pyetjen e kontratave porositëse ishte negative prej -28.5, që tregon se më shumë ndërtues presin që të ketë më pak porosi. Ky është niveli më i ulët që nga tetori 2022.
Bizneseve u bëhet pyetja: Si i vlerësoni porositë (kontratat porositëse) aktualisht? 1.Mëse mjaftueshëm (mbi normalen); 2.Mjaftueshëm (normal për sezonin); 3.Jo mjaftueshëm (nën normalen)
Edhe pritshmëria për çmimet është në rënie, ndonëse balanca mbetet pozitive prej 8, por ky është niveli më i ulët që nga qershori i vitit 2021. Kompanive u bëhet pyetja: Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm? 1. Do të rriten; 2. S’do të ndryshojnë; 3. Do të bien.
Më herët, përfaqësuesit e sektorit pohuan për Monitor se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për prona me çmim shitjeje mbi 1,500 euro/m². Agjentët imobiliarë pohojnë se edhe rritja e normave të interesit të kredive dhe mungesa e një amnistie për të ardhurat e padeklaruara po tkurr numrin e blerësve të pronave.
Drejtuesi i agjencisë imobiliare “Future Home”, z. Fatjon Hysenbelliu, tha se ka rënë kërkesa për prona me vendndodhje pranë qendrës, me çmim shitjeje mbi 1,500 euro/m².
Ky trend është parë edhe për banesat e tjera në zonat afër qendrës. Në të kundërt, kërkesa për banesa rezidenciale në godinat e ndërtuara 2-3 vitet e fundit dhe në ndërtimet e sapopërfunduara në zonat jashtë Unazës së Vogël në Tiranë është e njëjtë me vitin e kaluar.
Edhe rritja e interesave po ndikon në frenimin e kredive hipotekore. Norma mesatare e interesit të kredive të reja në lekë për blerje shtëpie në muajin korrik 2023 arriti 4,04% nga 3.57% që ishte në muajin shkurt 2022 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Për kreditë në euro norma mesatare në muajin korrik 2023 arriti 5,32% nga 3,54% që ishte për muajin shkurt 2022. Sipas të dhënave statistikore të Bankës së Shqipërisë, vlera e kredisë së re për shtëpi në muajt janar-gusht 2023 ishte 30,9 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022, kredia e re për shtëpi ra rreth 3%.
Një tjetër arsye e frenimit të kërkesës duket se lidhet me stepjen e blerësve informale Agjentët e shitjes së pasurive të paluajtshme pohojnë se ndërmarrja e një sërë hetimesh nga SPAK kundrejt figurave të fushës politike por edhe të sipërmarrjes, po jep ndikime në tregun e shitblerjes së pasurive të paluajtshme.
Blerjet e pasurive të paluajtshme nga paratë informale (aktivitetet e paligjshme, korrupsioni etj) vlerësohet se kanë qenë një nga burimet kryesore që kanë furnizuar tregun e pasurive të paluajtshme në vite.
[1] Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë treguesi i balancës merr vlera midis -100 dhe +100. Një tregues mbi 0 tregon për një numër më të madh të përgjigjeve pozitive sesa negative, në një tremujor të caktuar. MONITOR