Dëmi 234 milionë lekë/ BIRN: Dënohen me nga 1.6 vite burg ish-kryebashkiaku PS dhe ish-zyrtari që lejuan ndërtimin e rrugës pa leje në fondin pyjor! Jepet vendimi edhe për biznesmenin në arrati

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten më 6 tetor 2023 të deklarojë fajtorë për “shpërdorim detyre” ish-kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëz, Fran Tuci dhe ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku, të cilët akuzohen se lejuan ndërtimin e një rruge pa leje përkatëse, që ka sjellë pasojë shkatërrimin e një fondi pyjor me vlerë 234 milionë lekë. Po ashtu, është deklaruar fajtor për “ndërtim të paligjshëm” aksioneri i shoqërisë që ka kryer punimet, Durim Margjekaj.

Advertisements

Gjyqtari Erion Bani ka vendosur dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim për Fran Tucin dhe Ndoc Markun, ndërsa për Margjekajn dënimin me 3 vjet heqje lirie. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, tre të dënuarit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit, ku si përfundim dy zyrtarët vendor do të vuajnë nga 1 vit burgim, ndërsa ndërtuesi 2 vjet.

Ish-kryetari socialist i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci u arrestua në muajin korrik. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi atëherë se kallëzimi për Tucin ishte depozituar nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, që kishte gjetur se ish kryebashkiaku kishte lejuar ndërtimin e një rruge të re që ka shkatërruar një fond pyjor me vlerë 234 milion lekë.

Advertisements

Sipas SPAK, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, ishte hapur një segment i ri rrugor me gjatësi rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, që ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz, si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Ndërhyrja është kryer në vitin 2021, në një rrugë që lidh fshatin Iballë me fshatin Shopel. Rruga e re është një devijim nga rruga ekzistuese që shkurton distancën mes dy fshatrave, por hetimet gjetën se punimet, që pretendohet se janë financuar vullnetarisht nga banorët, janë kryer pa leje, pa plan dhe pa projekt.

Fran Tuci ka qenë kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit nga viti 2015 deri në zgjedhjet e majit 2023 kur humbi në garën për mandatin e tretë përballë kandidatit të opozitës Hilë Curri./BIRN

Artikulli paraprak5 shenja që tregojnë se mushkëritë tuaja janë në rrezik
Artikulli tjetërNuk janë fishekzjarre! Hamazi lëshon 150 raketa nga Gaza drejt Tel Avivit. Situatë dramatike në qytete (Video)