Tollumbacet me azot janë kthyer në një shqetësim për të rinjtë shqiptarë. Policia e Fierit ka njoftuar se një 15-vjeçar ka shkuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e konsumimit të një tollumbaci të tillë.
Advertisements
Për këtë ngjarje policia thotë se ka vënë në pranga 3 persona që ia kanë shitur të miturit tollumbacin. Sipas autoriteteve, në kuadër edhe të vijimit të operacionit “Tempulli” janë sekuestruar 50 litra azot, një sasi lënde narkotike kanabis dhe 250 tollumbace që shërbenin për t’i mbushur me azot.
Po ashtu njoftohet se këta persona e kryenin këtë veprimtari të jashtëligjshme në një lokal me kompjutera për fëmijë dhe adoleshentë. Aty ata kishin krijuar një vend të përshtatshëm për përdorimin e drogës dhe shitjen e tyre.
Advertisements
Të arrestuarit janë G. X., 60 vjeç dhe R. X., 27 vjeç, babë e bir, dhe shtetasi E. L., 24 vjeç.
“Shtetasi R. X. kishte përshtatur katin e parë të lokalit për përdorim droge, dhe në bashkëpunim me shtetasit G. X dhe E. L., iu shitnin adoleshentëve (nxënësve të shkollave 9-vjeçare), lëndë të rrezikshme për shëndetin (tollumbace me gaz Azot), dhe si pasojë e konsumimit të tyre, një 15-vjeçar ka shkuar në spitalin rajonal të Fierit, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ky ambient i cili u bllokua nga Policia, reklamohej nga të arrestuarit, si vend ku fëmijët/adoleshentët luanin lojëra me kompjuterë”, njoftoi policia.
Sipas policisë, prej disa muajsh këta persona u shisnin adoleshentëve tollumbace me azot kundrejt vlerës 350 Lekë./tvklan.al