VOA: Falsifikime dhe përfitime nga pozita, ja për çfarë po hetohet nga SPAK Olta Xhaçka dhe bashkëshorti

Ish deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, tashmë investitor strategjik në jug të Shqipërisë, u paraqit sot për disa orë në SPAK, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit.

Advertisements

Bashkëshorti i deputetes socialiste dhe ish-ministres së saposhkarkuar për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, është kallzuar për falsifikim dokumentesh të pronës, që bleu për investim, duke bashkëpunuar me Jorgo Goron, kryetarin në detyrë të Bashkisë së Himarës.

Një ditë më parë në SPAK u paraqit edhe zoti Goro për disa orë.

Advertisements

Tashmë investitor strategjik për turizmin në jug të Shqipërisë, Ish deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste dhe ish-ministres së saposhkarkuar për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, është paraqitur sot në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, ku ka qëndruar për disa orë.

Ish ministrja Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, dhe një banor i Dhërmiut janë kallzuar në SPAK për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash nga kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri.

Ky kallzim penal besohet se është arsyeja që njëri pas tjetrit, Goro dje dhe Gaçi sot janë marrë në pyetje për disa orë nga SPAK.

Në kallzim thuhet se këta persona në bashkëpunim me këshillin e Qarkt dhe zyrën e pasurive të paluajtshme në Vlorë, në mars të vitit 2019 kanë falsifikuar dokumente pronësie mbi një sipërfaqe toke në fshatin Gjilekë të Bashkisë së Himarës, në shkelje të hapur të ligjit të tokës dhe ligjeve të tjera mbi pronat.

Sipas kallzimit, këto falsifikime dokumentesh janë kryer për të siguruar blerjen e kësaj toke nga ish deputeti Gaçi, i cili mori statusin e investitorit strategjik.

Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro ishte dje disa orë në SPAK, pasi kallzimi e ka vendosur atë në qendër të dyshimeve për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash, në bashkëpunim me investitorin Gaçi dhe persona të tjerë.

Edhe deputetja Xhaçka, në atë kohë ministre e mbrojtjes e më pas e punëve të jashtme, kallzohet se me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar si bashkëshorte e investitorit të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, që sipas ligjeve nuk i takojnë, aq më tepër që investimi strategjik ëhstë bërë mbi një pronë me dokumente false.

SPAK ende nuk është e qartë nëse do të thërrasë edhe deputeten Xhaçka për të dhënë shpjegime, por për këtë çështje opozita i ka kërkuar Kuvendit dhe më pas Gjykatës Kushtetuese që të pranojnë papajtueshmërinë e mandatit të saj si deputete për shkak të shkeljes së konfliktit në rastin e investimit të bashkëshortit të saj.

Sipas kërkesave të deputetëve opozitarë drejtuar Gjykatës Kushtetuese zonja Xhaçka nuk duhet të mbajë më mandatin si deputete, pasi sipas tyre, bashkëshorti i saj ka patur përfitime nga pasuri shtetërore.

Ngjarja ka të bëjë me një kompani të bashkëshortit të saj Artan Gaçi, dhe projektin për ndërtimin mbi një terren privat, të një hoteli në zonën e Dhërmiut.

Kompania ka fituar statusin e investitorit strategjik e për pasojë edhe të drejtën e shfrytëzimit të një sipërfaqe plazhi në bregdetin e jugut. Demokratët shprehen se sipas ligjit, përfitimet e bashkëshortit, konsiderohen si përfitime dhe të vetë ministres.

Deputetja Xhaçka i ka hedhur poshtë këto akuza, megjithatë Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimet e Kuvendit, që refuzonin dërgimin në atë gjykatë të çështjes mbi papajtueshmërinë ose jo të mandatit të deputetes.

Pas kësaj, Kuvendi ëhstë i detyruar t’a përcjellë rastin në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka kompetencën nëse deputetja ndodhet në pavlefshmëri dhe mbarim të mandatit si ligjvënëse.

Kuvendi dhe Gjykata po trajtojnë çështjen e mandatit të deputetes, ndërsa kallzimi në SPAK mund të çojnë në një hetim me themel të çështjes së investitorit strategjik, konfliktit të interesit, të cilave iu shtua edhe dyshimi për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorimi i detyrës./VOA

Artikulli paraprakTërmet i fuqishëm godet Meksikën, sa ishte magnituda
Artikulli tjetërDeklarata e fortë: Edi Rama drejt pazarit me BE, çfarë fshihet pas skenarit të kryeministrit