Biznesmeni Zvonko Veselinoviç ka dhënë një deklaratë në policinë e Beogradit në lidhje me pretendimet se ai dyshohet se ka urdhëruar dhe paguar për organizimin e vrasjes së inspektorëve policorë Sllobodan Millenkoviç dhe Dushan Mitiç, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB) më 4 tetor.
Advertisements
Në vitin 2019, Millenkoviç dhe Mitiç zbuluan një plantacion të marijuanës në pronën bujqësore “Jovanjica” dhe janë dëshmitarë në procesin gjyqësor kundër pronarit të saj, Predrag Koluvije.
Veselinoviç, një biznesmen serb nga Kosova, konsiderohet si organizator i barrikadave në veri të Kosovës dhe po ashtu si “mbrojtësi” i serbëve.
Advertisements
Siç thuhet në njoftimin e MPB-së, Zvonko Veselinoviç, i shoqëruar nga avokati, tha deklaratë për pretendimet e Sllobodan Millenkoviçit se ai kishte urdhëruar dhe paguar për organizimin e vrasjes së tij, si dhe ka pranuar që t’i nënshtrohet testit poligrafik.
Ministria e Punëve të Brendshme shton se testi është bërë dhe se Veselinoviçi ka kaluar atë, duke mohuar pretendimet e Millenkoviçit dhe duke thënë se ai nuk e njeh personin në fjalë.
Gjithashtu, thuhet se raporti për këtë hetim do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd.
Firma ligjore Tomanoviç, e cila përfaqëson Sllobodan Millenkoviçin, njoftoi më 2 tetor se kishte marrë informacion se “tashmë janë paguar 500.000 euro për likuidimin e inspektorit Sllobodan Millenkoviç”, duke shtuar se dyshohet se e njëjta shumë është paguar për likuidimin e inspektorit Dushan Mitiç.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë konfirmoi në fillim të shtatorit se inspektorët Millenkoviç dhe Mitiç janë duke u ruajtur nga pjesëtarë të Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ).