Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vendimit të një gjykate në Serbi që vendosi që të lironte Milan Radoiçiçin nga burgu. Ajo u shpreh se asnjë veprim i Serbisë nuk i befason, pasi sipas saj, shteti serb është strehë për kriminelët e luftës dhe terroristët. Haxhiu deklaroi se Serbia nuk i ka dorëzuar asnjëherë kriminelët e luftës e nuk do t’i dorëzojë as terroristët, referuar Radoiçiçin, i cili pasi u arrestua dje nga autoritetet në Beograd, u lirua ende pa i mbushur 24 orë në burg.
Advertisements
“Sulmi terrorist në Kosovë është dirigjuar, siç është dëshmuar, nga Serbia dhe në këtë drejtim, çfarëdo veprimi në raport me këtë çështje, me grupin e armatosur, që e bën Serbia nuk na befason aspak. Serbia nuk i ka dorëzuar asnjëherë kriminelët dhe nuk do t’i dorëzojë as terroristët. Thënë qartë, Serbia është strehë e kriminelëve të luftës dhe terroristëve që para 10 dite bën sulm terrorist në territorin e Kosovës”, ka thënë Haxhiu të mërkurën.
Ministrja Haxhiu ka siguruar qytetarët që institucionet e drejtësisë janë duke bërë punë të mirë për ta hetuar sulmin e armatosur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku. Por për shkaqe hetimore, ajo ka thënë se s’mund të jep më shumë detaje. Haxhiu ka përsëritur edhe një herë që Kosova do të kërkojë dorëzimin e Radoiçiçit “tek autoritetet tona”.
Advertisements