Zgjedhjet vendore të majit 2023 në Shqipëri përgjithësisht ishin të mirëadministruara dhe konkurruese. Ky është konkluzioni final i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 Majit, i cili është bërë dje publike përmes një raporti. Megjithatë sipas ekspertëve ndërkombëtarë procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike.
Advertisements
Në gjetjet kryesore OSBE ka preferuar ta nënvizojë ndarjen e thellë të opozitës, me luftën e dy palëve në Partinë Demokratike. Në raport thuhet se konkurrentët mund të bënin fushatë lirisht, por rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, pretendimet për presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve, dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese. Raporti ofron 27 rekomandime për afrimin e zgjedhjeve në Shqipëri në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
OSBE-ODIHR kërkon që të ketë një hetim të pavarur për të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Gjithashtu vëzhguesit ndërkombëtarë bëjnë thirrje për një reformë zgjedhore kuptimplotë dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it.
Advertisements
Delegacionet e vëzhguesve ndërkombëtarë sollën në Shqipëri afro 250 vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër. Më 14 Maj 2023 Partia Socialiste fitoi në 54 bashki në vend ndërsa ‘Bashkë Fitojmë’ e Berisha-Meta në vetëm 7. “Votimi u vlerësua negativisht në 7 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara, gjë që është shqetësuese. Procedurat e votimit në përgjithësi u respektuan, por MNVZ-ja vëzhgoi raste të përhapura të votimit në grup dhe probleme me fshehtësinë e votës. MNVZ-ja vuri në dukje gjithashtu raste të votimit me përfaqësues, tension, frikësim të votuesve dhe përpjekje për të ndikuar tek votuesit. Mbyllja e qendrave të votimit dhe marrja e materialit zgjedhor në Qendrat e Numërimit të Votave (VNV) u vlerësuan pozitivisht”, thuhet në raport.