Investimet shqiptare jashtë vendit shënuan një rekord të ri historik në gjysmën e parë të këtij viti.
Advertisements
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin 2023, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 126 milionë euro, 40% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është edhe niveli më i lartë historik i investimeve shqiptare jashtë vendit, të paktën për periudhën e serisë statistikore të Bankës së Shqipërisë, që fillon nga viti 2008. Në pjesën më të madhe, investimet shqiptare janë kanalizuar në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit.
Advertisements
Këto injektime kapitali përbënin më shumë se 72% e fluksit të ri të investimeve shqiptare jashtë vendit. Pjesa tjetër konsiston kryesisht në formën e huave të dhëna nga aksionerët shqiptarë për kompanitë bija të vendosura jashtë vendit.
Këtë vit investimet e huaja direkte në Shqipëri këtë vit po shënojnë vlera rekord, por, nga ana tjetër, një tendencë të ngjashme shfaqin edhe investimet shqiptare jashtë vendit.
Sidoqoftë, bilanci neto i investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2023 ishte negativ, për një vlerë të përgjithshme prej 560 milionë eurosh, në rritje me 1.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Bilanci negativ në llogarinë e investimeve të huaja nënkupton se investimet e huaja direkte hyrëse në Shqipëri ngelen shumë më të larta krahasuar me investimet shqiptare jashtë vendit.
Të dhënat statistikore për investimet e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit ende nuk detajohen për shpërndarjen e tyre gjeografike apo sektoriale. Për këtë arsye, është e vështirë të thuhet me saktësi se në cilat shtete dhe në cilat sektorë janë më shumë të shtrira investimet shqiptare jashtë, apo në cilat prej vendeve apo sektorëve është mbështetur rritja e fortë e dy viteve të fundit.
Disa prej grupeve më të rëndësishme shqiptare të biznesit prej vitesh janë të vendosura jashtë vendit dhe në vitet e fundit kjo prani duket se po zgjerohet, edhe si pjesë strategjisë së diversifikimit të biznesit.
Disa prej grupeve të rëndësishme të biznesit në vend, si Balfin, Kastrati apo Union Group kanë një prani në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Austri, Zvicër, Kroaci apo SHBA, me aktivitet kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në shërbimet financiare.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës japin një informacion për investimet shqiptare në Kosovë, që vlerësohet se është shteti me përqendrimin më të madh të investimeve tona jashtë.
Shifrat e BQK-së tregojnë se deri në fund të marsit 2023, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 322 milionë eurove. Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i gjashtë më i madh në Kosovë.
Ndërkohë, flukset e reja të investimeve shqiptare në Kosovë për 6-mujorin e parë të këtij viti kishin vlerën e 32.7 milionë eurove, në rritje me 7.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Prania e ndërmarrjeve shqiptare në Kosovë është e përqendruar kryesisht në sektorin tregtar dhe atë financiar.
Në Kosovë veprojnë disa prej operatorëve më të mëdhenj shqiptarë të distribucionit të mallrave të konsumit, kompani të shitjes me pakicë, si edhe banka, kompani sigurimesh dhe operatorë të shërbimeve të pagesave./monitor