Një rritje prej 22 lekësh për litër për naftën nuk kishte ndodhur në asnjë prej vendimeve të Bordit të Transparencës. Nga sot nafta do të shitet me 245 lekë për litër nga 223 lekë për litër që ishte. Ky vendim ka ardhur pas zhvillimeve në tregjet globale, ku karburantet u shtrenjtuan pas vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit, ndonëse Bordi jonë baziket në Bursën e Mesdheut. Ky vendim i Bordit duket abuzim, pasi OPEC thjeshtë ka dhënë paralajmërim për ulen e prodhimit të naftës, çka tregon se po manipulohet me Bursën dhe në fund janë qytetarët shqiptarë ata që mbajnë mbi supe këtë barrë të madhe.
Advertisements
Por nuk është vetëm nafta, pasi referuar vendimit të djeshëm të Bordit, rritje ka pësuar edhe çmimi benzinës, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit. Gazi do të tregtohet me 78 lekë për litër, aq sa ishte deri tani. Ministria e Financës dhe Ekonomisë bëri të ditur se Bordi i Transparencës vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 245 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 233 lekë/litër.“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 204 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 192 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litër me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/ litër për automjetet.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 7 tetor shtator, ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes”, thekson MFE. Ministria e Financës deklaron se bordi nuk cakton çmimet e naftës bruto. Sipas saj, bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale. “Theksojmë se Bordi nuk cak ton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto Bordi nuk merr vendim”, thuhet në njoftimin e MFE.
Advertisements
OPEC ulë ndjeshëm prodhimin
Ndërkohë, organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të mërkurën që të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Kjo masë mund të shkaktojë pasoja të ndjeshme tek ekonomia globale e cila po përjeton vështirësi, dhe të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë, çka mund të ndikojë politikisht në zgjedhjet për Kongresin amerikan në nëntor. Gjatë takimit në Vjenë, Ministrat e Energjisë të vendeve të OPEC-ut vendosën të ulin prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar në muajin nëntor.
Ky është takimi i parë ku ministrat marrin pjesë personalisht që nga fillimi i pandemisë. Ulja e prodhimit në nëntor mund të sjellë përfitime për Rusinë, anëtare e OPEC-ut, ndërsa vendet evropiane janë angazhuar për t’i dhënë fund importit të naftës ruse sa më shpejt të jetë e mundur. Përveç një uljeje simbolike të prodhimit të naftës muajin e shkuar, shkurtimi drastik është një kthesë e papritur, ndërsa OPEC-u kishte vazhduar të shtonte prodhimin pas shkurtimeve të thella të bëra gjatë pandemisë. OPEC+ tha përmes një deklarate se vendimi bazohej në pasigurinë për perspektivat e ekonomisë globale dhe tregun e naftës. Presidenti Joe Biden shprehu zhgënjimin me vendimin që Shtëpia e Bardhë e konsideroi “dritëshkurtër”.