Ambasadorja Yuri Kim po bën një takim me drejtuesin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, lidhur me financimin e partive politike. Në takim priten të jenë edhe deputetja Monika Kryemadhi, deputeti i PS-së Damian Gjiknuri dhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.
Advertisements
Takimi vjen një ditë pas lajmit të konfirmuar nga një zyrtar amerikan, se PD-ja ka marrë fonde ruse në vitin 2017.
Advertisements
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan dje për VOA se kanë zbuluar se Rusia, që prej vitit 2014, është angazhuar në financimin e partive politike dhe kandidatëve, në dhjetëra vende të botës. Presidenti Putin ka përdorur mbi 300 milionë dollarë dhe është angazhuar në financim të fshehtë politik, në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda këtyre vendeve.
Sipas një burimi të Zërit të Amerikës, me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende dhe bëhet fjalë për financimin e Partisë Demokratike, të drejtuar nga Lulzim Basha.
Një zyrtar i qeverisë amerikane tha VOA se Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në vitin 2017 përmes kompanive fantazëm.
Lulzim Basha dhe dy zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike, janë hetuar nga drejtësia shqiptare, bazuar në deklarimet që ka bërë firma lobuese “Muzin Kapitol Partners”.
Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.
Kjo çështje u mor nga Prokuroria në Shqipëri, por ajo u tërhoq nga akuza për pastrim parash, ndërsa Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentash ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën “Muzin”.
Sipas ligjeve shqiptare, partitë duhet t’i deklarojnë në KQZ shpenzimet për aktivitetet e tyre. Në dokumentacionin e dorëzuar nga PD në KQZ, rezulton se ajo ka paguar 100 mijë dollarë për një firmë tjetër lobuese në ShBA, “Barnes&Thornburg”. Deklarimi i PD-së, nuk përfshin kompensimet e tjera që firma Muzin i ka deklaruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë se i ka marrë nga PD-ja (500 mijë dollarë), ose për punë në favor të saj (150 mijë dollarë nga Bienatta).
Për herë të parë çështja shpenzimeve të padeklaruara nga PD-ja, u zbardh nga një shkrim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, në nëntor të vitit të kaluar. Në reagimin e saj Partia Demokratike theksoi se “Kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane”.
Kuvendi sot, nisi me debate pas lajmit të publikuar nga Zëri i Amerikës që konfirmonte se Partia Demokratike ka marrë 500 mijë dollarë nga Rusia në 2017. Nga Foltorja e Kuvendit, deputeti i PS-së, Pandeli Majko tha se drejtuesit e saj, referuar Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, por edhe deputetët e tjerë duhet të japin llogari, pasi ky nuk është një faj individual. Përgjigja erdhi nga kreu i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, mbështetës i Lulzim Bashës, i cili tha se kjo akuzë do të përgënjeshtrohet.