Gazsjellësi rus drejt Gjermanisë nuk do të rihapet sot ashtu sic ishte planifikuar njoftoi firma shtetërore e energjisë në Moskë, Gazprom.
Advertisements
Justifikimi i saj ishte se ka gjetur rrjedhje në një turbinë në tubacionin Nord Stream 1, e kjo nënkupton se ai mund të qëndrojë i mbyllur për një kohë të pacaktuar. Tubacioni i mbylli rubinetat e gazit këto tre ditët e fundit për shkak gjoja të atyre që Gazprom i përshkroi si punime mirëmbajtjeje.
Lajmi vjen mes frikës në rritje se familjet në bllokun europian nuk do të jenë në gjendje të përballojnë koston e ngrohjes këtë dimër. Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm që kur Rusia pushtoi Ukrainën dhe furnizimet e pakta mund ta shtojnë koston edhe më tej. Europa po përpiqet të heqë dorë nga energjia ruse në një përpjekje për të zvogëluar aftësinë e Moskës për të financuar luftën, por tranzicioni mund të mos vijë mjaft shpejt.
Advertisements
Siemens Energy, që i bën normalisht shërbimet turbinave të Nord Stream 1, thotë se një rrjedhje e tillë nuk duhet ta ndalojë funksionimin e gazsjellësit. Stacioni Portovaya ku thuhet se u zbulua rrjedhja, ka edhe turbine të tjera që do të lejonin punën në këtë tubacion.
“Rrjedhje të tilla nuk e prekin normalisht funksionimin e një turbine, dhe mund të mbyllen aty në vend. Është një procedurë rutinë me qëllimin që të mos preket vazhdimësia e punës”, shprehet Siemens.
Moska, që mohon përdorimin e furnizimeve me energji si armë ekonomike, ia venë fajin sanksioneve të vendosura prej perëndimit pas pushtimit të Ukrainës për vështirësitë e hasura me operacionet dhe mirëmbajtjen e Nord Stream 1. Zyrtarët europianë megjithatë, këtë e shohin thjesht si pretekst.
“Kjo është pjesë e luftës psikologjike që Rusia po ndërmerr kundër nesh”, shprehet Michael Roth, ligjvënës gjerman.
Rregullatori i rrjetit të Gjermanisë, Bundesnetzagentur, tha se vendi ishte tani më i përgatitur për ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus, por u kërkoi qytetarëve dhe kompanive të shkurtojnë konsumin.