Nëse jeni shofer i ri dhe sapo keni marrë patentën, deri në tre vite nuk do të mund të lëvizni në autostradë më shumë se 80 kilometër në orë. Propozimi është i disa deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët kanë depozituar në Kuvend kërkesën për disa ndryshime në Kodin Rrugor. Shpejtësia maksimale në një autostradë në vendin tonë është 110 km në orë. Me këtë shpejtësi për shembull lëvizet në bypass-i i Fierit.
Advertisements
Por nëse ndryshimet miratohet, shoferët e rinj do të duhet të ecin me të paktën 30 kilometër më pak. Ulje të shpejtësisë për këtë kategori shoferësh është parë të bëhet edhe për rrugët interurbane kryesore.
Për shembull, siç është ajo Elbasan-Tiranë, në të cilën maksimalja e lëvizjeve nga 90 km orë aktualisht, pritet të ulët në 70 km në orë. Ky nuk është ndryshimi i vetëm që propozohet në Kodin Rrugor. Shoferët e autobusëve, kamionëve apo transportit publik mund të drejtojnë mjetin, deri në moshën 70-vjeçare, nga 65 që është aktualisht. Ky ndryshim bëhet për të përshtatur moshën e pensionit që shkon në proporcion rritjeje. Një ndryshim i rëndësishëm është edhe ai për rinovimin e patentave.
Advertisements
Për drejtuesit e veturave, nëse deri më tani afati maksimal është 10 vjet për deri në moshën 50-vjeçare dhe i limituar akoma më shumë deri në 70 vjeç; me ndryshimet e reja parashikohet që deri në moshën 70 vjeçare, të bëhet zgjatje deri në 15 vite. Kodi Rrugor, për herë të fundit në Shqipëri është ndryshuar në Qershor të vitit 2021. Pjesa më e madhe e ndryshimeve u karakterizua tek rritja e vlerave të gjobave, të cilat u shumëfishuan.
Ndryshimi i Kodit Rrugor kërkon shumicë të cilësuar 3/5, domethënë 84 vota, të cilat Partia Socialiste nuk i ka në Kuvend. Nëse eksponentë të opozitës do të japin pëlqimin për këto ndryshime mbetet për tu parë.
Propozimet e Ballës
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla përmes një propozimi ka kërkuar që të ndryshojë Kodi Rrugor. Kërkesën e tij e ka paraqitur përmes një drafti drejtuar Kuvendit ku parashikohet që shoferët deri në 70 vjeç, do të kenë patentë me vlefshmëri 5 vjet më shumë se ajo aktualja.
Kodi Rrugor qartëson se shoferët deri në 50 vjeç kanë patentë 10-vjeçare, ata mbi 50 vjeç patentë 5-vjeçare dhe mbi 70 vjeç patentë 3 vjeçare. Ndërkohë Balla kërkon që kjo kohë të shkojë 15 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç. Për ata mbi këto moshë ai kërkon që periudhë të shkojë në 5 vite dhe të bëhet konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore.
“Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të përmendura në pikën 2 të nenit 117, jo më shumë se gjashtë muaj përpara, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara”,
vijon më tej drafti i propozuar nga kreu i grupit të PS-së. Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup moshave, janë të vlefshme për: 10 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për personat deri në moshën 50 vjeç, 5 vjet, për ata që kanë kaluar moshën 50 vjeç, 3 vjet, për ata që kanë kaluar të 70-tat”, thuhet në propozim.