Personi i akuzuar për shpërthimin me bombë të makinës që vrau gazetaren e njohur malteze, Daphne Caruana Galizia, ka rrëfyer krimin e rëndë në një intervistë për Reuters, ku thotë se së shpejti do të punblikojë dhe personat e tjera të implikuar.
Advertisements
Duke folur nga burgu në komentin e tij të parë mbi rastin, George Degiorgio, tha se nëse do të kishte ditur më shumë për gazetaren e vrarë, do të kishte kërkuar nga porositësit më shumë para për ta kryer aktin.
“Po ta dija, do të kisha shkuar për 10 milionë. Jo 150 mijë”, tha ai duke iu referuar shumës në euro që ishte paguar për vrasjen e gazetares.
Advertisements
“Për mua ishte thjesht biznes. Po. Biznes si zakonisht!” i tha ai gazetarit të Reuters, duke shtuar: “Sigurisht që më vjen keq”.
Intervista me Degiorgio u krye gjatë hulumtimit për një dokumentar në lidhje me vrasjen e gazetares, me titull “Kush e vrau Dafnin?”
Vrasja e gazteares investigative me shpërthim të telekomanduar të makinës shkaktoi tronditje në të gjithë Evropën. Autoritetet malteze akuzuan Degiorgio dhe dy burra të tjerë – vëllain e tij Alfred dhe një bashkëpunëtor, Vince Muscat – për vrasjen e ndodhur në vitin 2017 në ishull në emër të një biznesmeni të njohur.
Degiorgio tha për Reuters se do të deklarohej fajtor përpara jurisë. “Unë do të flas me gjykatësin,” tha ai.
Ai tregoi se do të jepte dëshmi për personat e tjerë të implikuar, si dhe do të fliste dhe për një komplot të parealizuar për vrasjen e gazetares.
Motivi i “zbërthimit” të tij, është ulja e dënimit për veten dhe vëllain, Alfredon.
“Ne nuk do të fundosemi vetëm”- tha ai.
Deri më tani, të dy vëllezërit Degiorgio e kishin mohuar përfshirjen në vrasje. Muscat u deklarua fajtor për akuzat në vitin 2020 dhe u dënua me një afat të reduktuar prej 15 vitesh burg në këmbim të dëshmisë së tij për këtë rast dhe disa krime të tjera.
Një nga biznesmenët më të pasur të ishullit, Yorgen Fenech, u akuzua gjithashtu në nëntor 2019 se kishte porositur Degiorgio dhe dy bashkëpunëtorët e tij për të kryer goditjen. Fenech ka mohuar akuzat, por ende nuk ka paraqitur mbrojtjen e tij. Në një deklaratë, avokati i tij, Gianluca Caruana Curran, tha se Fenech planifikoi të provonte në gjykatë se “ai në asnjë moment nuk sponsorizoi në mënyrë aktive” vrasjen e gazetares.
“Teksa proteston fuqishëm për pafajësinë e tij, Fenech pohon se me provat e disponueshme, hetime të pavarura dhe serioze mund të çojnë në arrestimin e porositësve të vërtetë të atentatit”.
Fenech u identifikua si organizator i vrasjes nga një ndërmjetës i dyshuar, shoferi i taksisë Melvin Theuma, i cili i shpëtoi ndjekjes penale në këmbim të bashkëpunimit me drejtësinë.
Theuma tha se ai e organizoi vrasjen me vëllezërit Degiorgio në emër të Fenech.
Në intervistë, Degiorgio tha gjithashtu se ishte i gatshëm të dëshmonte se një figurë e lartë politike malteze ishte përpjekur të organizonte vrasjen e gazetares dy vite më parë se ajo të vritej.
Caruana Galizia u vra pasi ngriti një sërë akuzash për korrupsion kundër njerëzve të fuqishëm, duke përfshirë ministra në qeverinë e Partisë Laburiste të ishullit. Vrasja e saj ngriti dyshime se disa nga njerëzit që ajo po hetonte mund të ishin të përfshirë në komplotimin e vdekjes së saj.