Përçahet Bashkimi Evropian, dështon të arrijë pajtim për embargon ndaj naftës ruse

Negociatorët e Bashkimit Evropian kanë dështuar që të arrijnë marrëveshje mbi embargon ndaj naftës ruse, por do të vazhdojnë përpjekjet për të arritur një pajtim para nisjes së samitit të BE-së më 30 maj, tha një zyrtar i bllokut.

Advertisements

Shtetet e BE-së po diskutojnë për një propozim, sipas të cilit, shtetet anëtare do të pranonin të vendosnin ndalesë për furnizimet me naftën ruse që vijnë përmes detit për në BE, deri në fund të vitit.

Përjashtime do t’iu mundësoheshin disa shteteve – Hungarisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke – që të pranojnë naftë përmes tubacionit rus Druzhba, që është i gjatë 4,000 kilometra.

Advertisements

Bloomberg, duke cituar burime që kanë njohuri me negociatat që janë zhvilluar, raportoi se Hungaria po refuzon që të arrijë kompromis.

Kjo media tha se Budapesti më herët kishte sugjeruar se do të mbështeste përjashtimin, që do të lejonte pranimin e dërgesave të naftës përmes tubacionit rus. Por, tha se Budapesti tani po kërkon koncesione të mëtejme.

Më 2021, Rusia ka dërguar afër 720,000 fuçi në ditë të naftës së papërpunuar në rafineritë evropiane përmes tubacionit të saj kryesor në rajon, krahasuar me 1.57 milion fuçi në ditë përmes dërgesave me anije në portet e Baltikut, Detit të Zi dhe Arktik.

Shumica e dërgesave përmes tubacioneve shkojnë në Gjermani dhe Poloni, por këto dy shtete kanë lënë të kuptohet se do të tentojnë të ulin varësinë e tyre nga furnizimet ruse pavarësisht çdo veprimi që mund të ndërmarrë BE-ja.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, tha më 29 maj se ishte i shqetësuar se uniteti i BE-së “ka filluar të rrënohet”, teksa blloku përgatitet që të takohet për të diskutuar për embargon ndaj naftës dhe përpjekjeve të tjera që kanë për qëllim të ulin varësinë nga energjia ruse.

Liderët e BE-së do të takohen më 30-31 maj për të diskutuar për sanksionet e reja të mundshme kundër Moskës, përfshirë edhe embargon ndaj naftës, për të ndëshkuar Rusinë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

“Pas sulmit rus në Ukrainë, ne pamë se çfarë ndodh kur Evropa qëndron e bashkuar. Teksa samiti po afrohet, le të shpresojmë që ky unitet të vazhdojë. Por, uniteti veçse ka filluar të rrënohet sërish”, tha Habeck gjatë një konference për media./REL

Artikulli paraprakE rëndë, i mituri bie nga shkallët dhe humb jetën
Artikulli tjetërPërplasen keq nënë e bijë: Merr leckat dhe ik! Po gjyshen mua do ma ngecësh?!