Tifozët italian dhe hollandez morën vëmendjen maksimalë të mediave shqiptare në ditët e fundit, jo vetëm për shkak të incidenteve që shkaktuan, por edhe si pasojë e natyrës së tyre. Pati shumë interaktivitet mes tyre dhe gazetarëve në terren që raportonin situatat në rrugët e Tiranës, momente që janë bërë virale në rrjete sociale.
Advertisements
Të ftuara në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin ishin gazetaret Glidona Daci dhe Ema Shazivari, të dyja protagoniste të këtyre momenteve virale. Ato shprehën se ndonëse këto momente do i kujtojnë përgjatë gjithë karrierës së tyre personale, janë ndjerë të fyera nga komentuesit shqiptarë që i dënuan veprimet e tyre, ose më saktë faktin që ato lejuan puthjet dhe bashkëveprimin me tifozët.
Vajzat sqaruan se qenë momente spontane që krejt rastësisht u klikuan nga të gjithë për shkak të toneve humoristike që përmbanin, por ky kujtim i bukur do të kujtohet edhe me shije të hidhur.
Advertisements
“Komente nga më fyese, arritën që përveç komenteve në faqe dhe TikTok, por dhe Instagramin tim. Ka patur një boom shumë të madh. Më mërziti diskriminimi dhe bullizimi. Më thanë vrit veten se je turpi i Shqipërisë. Nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë, fjalët më të poshtra dhe më të ndyra. Madje dhe persona të shkolluar, jurist dhe nga policia që kanë komentuar në Facebook. Paragjykonin nga fakti se po të ishte mashkull shqiptar, ti do e kishe denoncuar në polici”, rrëfeu Daci, gazetare e Tv Klan, në lidhje me reagimet që ajo ka parë të shikuesve të videove të saj.
Ndërkohë Shazivari shprehu se mentaliteti i hapur i hollandezëve vihej re, për pasojë dhe ato ishin më të çlirat në kontakt me ta.
“Nëse shqiptarët do ishin ndonjëherë kaq pozitivë sa hollandezët, le të na puthin se nuk ka ndonjë gjë. Çështja është se nuk janë. Atmosfera që përcollën tifozët hollandez ishte perfekt. Pavarësisht se në media u shfaq ana e errët. Faktikisht ata kanë pirë shumë birra, sa në Pedonale mbaruan”, tha gazetarja e televizionit ABC.
Për të hedhur dritë mbi arsyet e pranimit të puthjeve, Glidona shprehu: “Kemi mbuluar protesta pafund, kur na kanë kapur mikrofonin, na kanë sharë, situata nga më të ndryshme dhe ne nuk kemi reaguar sepse në fund të ditës, në plan të parë, ne jemi aty si gazetare, për të raportuar dhe për të parë çfarë po ndodh. Së pari vjen etika, pastaj pjesa tjetër. Kushdo mashkull të kishte qenë, unë do kisha reaguar njësoj.”