U gjend i pajetë me fytin e prerë, flasin miqtë e avokatit shqiptar: Ishte një njeri shumë i mirë, ndihmonte njerëzit në nevojë…

Vdekja e avokatit shqiptar, Aine Redo në Itali ka tronditur komunitetin e juristëve në Itali, veçanërisht kolegët me të cilët punonte. Redo u gjet pa jetë ditën e enjte me prerë me thikë në fyt teksa arma e ftohtë iu gjet në duar. Deri më tani është raportuar për vetëvrasje, por pritet se cili do të përfundimi i raportit mjeko-ligjor, ndërkohë kolegët e tij nuk arrijnë ta besojnë atë që ka ndodhur duke pasur parasysh sipas tyre, natyrën e avokatit shqiptar.

Advertisements

Avokati Mario Di Frenna nuk i mban dot lotët për kolegun e tij shqiptar i cili u gjet i vdekur ditën e djeshme, me të cilin punonte që prej vitit 2007.

“E kam parë Aineon për herë të fundit mbrëmë (të mërkurën) kur luajtëm një lojë. U përshëndetëm në orën 23.30. Ai më tha: ‘Shihemi nesër në zyrë’. Por në orën 10.50, kur mbërrita, ai nuk ishte aty. Pastaj më thirrën karabinierët…”, shprehet kolegu i avokatit shqiptar që u gjet i vdekur.

Advertisements

“Aineo ishte i dashur me të gjithë, i vlerësuar nga klientët dhe nga komuniteti shqiptar të cilin e ndihmonte shumë. Ai ishte një avokat i zgjuar, i ndershëm dhe i dashur. Ai e kishte nisur nga e para pasi kishte ardhur nga Shqipëria, kishte ndërtuar me sakrifica një karrierë dhe një karrierë të shkëlqyer”, shprehet një tjetër koleg, Di Frenna-s.

Si u largua nga Shqipëria drejt Italisë

Në Shqipëri ishte diplomuar për Fizikë, kishte nisur të jepte mësim, por ëndërronte një të ardhme ndryshe, e ëndërronte atë në Itali. Në vitin 1996 ai hyri kësaj rruge duke paguar një kontrabandist të emigrantëve dhe hipi në gomone me rreth tridhjetë bashkatdhetarë dhe më pas zbarkoi në Pulia. Me vete ai kishte vetëm pasaportën dhe rrobat e tij. Një nga afërmit e priti në Itali duke arritur më pas të merrte edhe lejen e qëndrimit. Fillimisht ai nisi punojë si bukëpjekës. Pas një viti ai u punësua si punëtor në fabrikën e qeramikës Rubiera ‘Rondine’, ku punonte gjatë natës. Aineo u regjistrua në Fakultetin Juridik në Parma dhe u diplomua në vitin 2004 në të drejtën administrative dhe më pas ndërmori procesin për t’u bërë jurist. Ai u specializua në çështjet e emigracionit , duke ndërthurur ndjeshmërinë personale që vinte nga historia e tij me trajnimin ligjor. Në vitin 2006 ai u bë pjesë e komitetit drejtues të Reggio Emilia CGIL, i përbërë nga 141 anëtarë. Por jeta e tij do të ndërpritej papritur ditën e djeshme kur u gjet pa jetë duke lënë pas gruan dhe dy fëmijët. Të mërkurën në mbrëmje ai kishte luajtur kalçeto me kolegët e tij.

“Ai ishte njeriu më i mirë në botë. Ne luajtëm së bashku për nëntë vjet dhe flinim shpesh në të njëjtën dhomë. Ai ishte tifoz edhe i Juventusit. Atë mbrëmje bëmë shaka me njëri-tjetrin dhe u ndamë duke thënë natën e mirë dhe se do shiheshim të nesërmen për xhiron e zakonshme në komisariat apo në prefekturë. Nuk arrij ta besoj atë që ka ndodhur…”, shprehet një prej kolegëve të tij.

Për avokatin shqiptari Aineo Redo, ka folur edhe kryetari i Dhomës së Avokatëve, Enrico Della Capanna: “E njihja si një person të mirë dhe të zellshëm. Ai ishte i përulur në punë, duke arritur qëllimin për t’u diplomuar në Drejtësi me përkushtim dhe sakrificë të madhe. Ai kishte shkëlqyer duke kaluar provimin e shtetit dhe e ka kryer profesionin me kompetencë dhe pasion. Më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur”.

Artikulli paraprakAbuzoi se*sualisht me nxënësin e saj, mësuesja ia vë fajin adoleshentit: 14-vjeçari më joshi…
Artikulli tjetërMSH publikon shifrat e 24 orëve: Sa raste e humbje jete nga Covid u regjistruan në vendin tonë