Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me atentatin ndaj Orlando Pepkola në Shijak, që rezultoi i dështuar.
Advertisements
Ngjarja ndodhi më 16 prill. Balkanweb raporton se automjeti që u përdor nga autorët për atentatin, një mjet tip Golf, rezulton i vjedhur në Tiranë, po ashtu edhe targat.
Autorët, që mendohet se kanë qenë dy persona, kanë vëzhguar dhe ndjekur të riun, dhe më pas kanë hapur zjarr në drejtim të kamionçinës me të cilën Pepkola shpërndante bombola oksigjeni. Njëri prej tyre nga një thes ka nxjerrë kallashnikovin dhe ka qëlluar, por fatmirësisht i riu ka arritur të manovrojë duke i dhënë gaz makinës. Fill pas ngjarjes, autorët janë larguar nga rruga Shijak-Xhafzotaj, duke dalë në autostradën Tiranë-Durrës, duke hyrë në kryeqytet.
Advertisements
“Kam qenë duke shpërndarë bombola gazi me kamionçinë. U shkëmbeva në rrugë me automjetin tip ‘Golf’ më ka ndjekur rreth 10 metra dhe pastaj kanë qëlluar. Pasagjeri i mjetit tip ‘Golf’ e ka nxjerrë kallashnikovin nga një thes dhe ka qëlluar. Kam ecur që ti devijoja plumbat. Nuk i njoh atentatorët, nuk e di pse kanë qëlluar”, mësohet të ketë thënë Paplekaj para grupit hetimor.
Ndërkohë, policia ka disa pista hetimi, një prej të cilave është edhe njëri prej vëllezërve të ‘shënjestrës’, që rezulton të jetë dhëndër në familjen Haxhiu, dy vëllezërit që u vranë më 27 prill të vitit të kaluar.
Policia është e bindur se ngjarja nuk është e stisur pavarësisht se kamionçina nuk ka qitje plumbash. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja. Vetë ndërtimi i dinamikës së atentatit tregon që autorët e kanë mbajtur në vëzhgim shënjestrën, kanë qëlluar në drejtim të tij dhe më pas janë larguar në drejtim të Tiranës.
Po ashtu ka dyshime se vrasjet e dy vëllezërve Haxhia, më 27 prill dhe e Dorian Shkozës, më 2 mars, janë porositur nga i njëjti grup kriminal, i cili kërkon pjesën e tij të parave nga grabitja e Rinasit.
Në vazhdën e dyshimeve, thuhet se ata kanë kërkuar vrasjen e personave të cilët kanë pasur dijeni për vendin e fshehjes së parave dhe nuk kanë pranuar ta tregojnë atë. Orlando Papleka ka punuar pak kohë si punonjës policie sigurie, ndërsa është prind i dy fëmijëve.