Rama refuzon të mbajë maskën, shoqërohet nga policia federale, reagon Kryeministria: Na kërkuan falje, ja e vërteta

Kryeministri Edi Rama është shoqëruar nga policia gjermane në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, pas një konflikti me stafin e një avioni të kompanisë Lufthansa, për shkak të refuzimit të mbajtjes së maskës së përshtatshme kundër COVID-19. Lajmin e raportoi ditën e djeshme revista gjermane “Der Spiegel”.

Advertisements

Kryeministria e quajti një lajm të vjetër dhe që nuk ka lidhje me maskën, por me sjelljen e pahijshme të një prej anëtarëve të ekuipazhit, për të cilin kompania ajrore ka kërkuar edhe ndjesë. Zëdhënësi i kryeministrit Edi Rama publikoi edhe letrën ku bordi i kërkoi falje Ramës.

Artikulli i Der Spiegel

Advertisements

Kryeministri shqiptar Edi Rama shkaktoi një skandal në bordin e avionit të Lufthansa gjatë valës së katërt të koronës, shkruan Spiegel. Sipas pasagjerëve, kreu i qeverisë refuzoi ashpër të mbante maskën mjekësore mbrojtëse në fillim të dhjetorit përpara nisjes së një avioni nga Frankfurt am Main në Detroit, saqë ekuipazhi i kabinës duhej të thërriste kapitenin për ndihmë. Megjithatë, duke qenë se ai gjithashtu nuk ishte në gjendje të bindte kreun e qeverisë shqiptare për detyrimin e përgjithshëm për të mbajtur një maskë FFP2 ose një maskë kirurgjikale në vend të një maskë pëlhure,

Rama u shoqërua nga policia federale. Vetëm pasi u bind nga një punonjës të Ministrisë së Jashtme Federale të thirrur me ngut në sallën e Senatorit, Rama më në fund pranoi të zbatonte rregulloret e parashikuara për korona, si të gjithë pasagjerët e tjerë në bordin e Lufthansa.

Linja ajrore i mundësoi kryeministrit dhe delegacionit me 10 anëtarë një linjë tjetër udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “U hoq një gjobë e mundshme për shkelje të detyrimit për të mbajtur maskë në bord. Shefi i Lufthansa-s, Carsten Spohr, së fundmi e përmendi incidentin në një intervistë në Spiegel. Edhe pse shefi i linjës ajrore nuk e përmendi emrin Ramës, ai theksoi se nuk kishte asnjë trajtim preferencial kur bëhej fjalë për detyrimin për të mbajtur maskë, as për një kryetar qeverie”, shkruan Spiegel.

Reagimi i Kryeministrisë

Endri Fuga, zëdhënësi i kryeministrit Edi Rama ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar nga prestigjiozja gjermane Spiegel, për incidentin në avionin Lufthansa. Në një reagim në rrjetet sociale, Fuga tha se incidenti i ndodhur është një lajm i vjetër dhe se kompania ajrore ka kërkuar edhe ndjese, pasi një prej anëtarëve te ekuipazhit ka pasur sjellje te pahijshme

“Lajm i vjetër, për një incident që në thelb nuk kishte vendosjen e maskës, por sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtareve të ekuipazhit.

Ndjesa e kompanisë u pranua që atë dite”, shkroi dje Endri Fuga. Nga Kryeministria doli edhe letra e faljes nga kompania ajrore e Lufthansës, pasi është zbritur nga avioni me të cilin do të udhëtonte drejt SHBA-ve. Megjithatë edhe letra nuk e shfajëson Ramën nga pretendimet e ngritura në Der Spiegel. Në të kompania është treguar e kujdesshme të shprehet se kërkonte ndjesë vetëm “në rast se sjellja e ndonjë anëtari të ekuipazhit ishte perceptuar si jo e përshtatshme dhe nuk ishte trajtuar me ndjeshmërinë dhe diskrecionin e nevojshëm”.

“Shkëlqesi, në emër të Lufthansa German Airlines, kërkojmë ndjesë që ju dhe familja juaj jeni zbritur nga fluturimi LH442 i Lufthansa nga Frankfurt në Detroit më 3 dhjetor 2021 dhe na vjen thellësisht keq për çdo shqetësim që ka shkaktuar ky ndalim. Ne ju kërkojmë ndjesë veçanërisht juve dhe familjes suaj, nëse sjellja e disa anëtarëve të ekuipazhit u perceptua si e papërshtatshme dhe nuk u trajtua me ndjeshmërinë dhe maturinë e nevojshme”, thuhet në letrën e ndjesës nga Deutsche Lufthansa AG, Lufthansa Aviation Center.

Artikulli paraprakMe kë e ka? Albano Bodgo kritikon tekstet e dy artistëve shqiptarë: Dembelë…
Artikulli tjetërI fundit! Shqiptari 34 vjeçar vdes në Zvicër, e përplasi makina teksa i ikte Policisë