Ka performancën më negative në Shqipëri, zbulohet qarku me nivelin më të lartë të papunësisë

Vetëm disa dhjetra metra larg qendrës së qytetit të Shkodrës, të ngjyrosur me atmosferën festive për festat e fundvitit, një pamje krejt tjetër shfaqet nëpër rrugët e këtij qyteti duke treguar gjendjen reale të ekonomisë dhe papunësisë së banorëve.

Advertisements

Sipas të dhënave të INSTAT, Qarku i Shkodrës, me 5 bashkitë e tij, megjithëse zotëron burime të shumta natyrore, ka performancën më negative mes 12 qarqeve të Shqipërisë, si në treguesit e papunësisë, klimës së biznesit dhe emigracionit të lartë.

Drejtoresha Rajonale e Punësimit, Rozafa Zmijani, thotë se Shkodra u prek më shpejt se rajonet e tjera nga efektet e pandemisë duke shënuar edhe numrin më të lartë të të papunëve. Kjo, pasi pjesa më e madhe e të punësuarve janë në ndërmarrjet e fasonerisë, që punojnë për tregun italian.

Advertisements

“Në fillim të vitit 2021ne gjetëm 7 mijë punëkërkues të papunë, kurse sot aktualisht kemi, vetëm në Shkodër, rreth 4 mijë punëkërkues të papunë. Kur flas për punëkërkues të papunë flas për punëkërkues aktiv, jo punëkërkues që kanë ardhur, janë regjistruar dhe kanë lëvizë, por aktiv në gjetjen e një pune”, thotë Rozafa Zmijani.

Një pjesë e personave, që humbën vendet e punës, u mbështetën nga programet e qeverisë me pagat e dhëna për pandeminë dhe atë të papunësisë. Megjithatë, kjo vetëm sa e zvogëloi numrin e punëkërkuesve, ndërsa gjendja e tyre ekonomike vazhdoi të përkeqesohet.

Sipas drejtoreshës rajonale të punësimit, pjesa e papunësisë gjithmonë ka lidhje me investimet që bën një rajon apo hapja e subjekteve të reja.

“Shkodra nuk është se ka shumë subjekte të reja të hapura. Po flasim për rajonin. Ka një ngitje në pjesën e subjekteve te reja dhe te zhvillimit në zonën e Malësisë së Madhe. Puka vazhdon të jetë shumë dobët. Kurse pjesa e Bashkis Shkodër, përveç pjesës së marketeve, i cili gjatë tre viteve të fundit është zgjeruar dhe ka rritur punësimin, pjesa tjetër që është gaditur, fasoneritë, nuk po avancojnë, gjë që do të sillte edhe paga më të larta”, hotë Rozafa Zmijani.

Për kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shkodrës, Albert Tukaj, numri i të papunëve në Shkodër është me i madh se ai i punëkërkuesve pranë zyrës së punës. Për shkak të gjendjes ekonomike, sipas tij, vetëm gjatë këtij viti, në Shkodër kanë falimentuar rreth 660 biznese, duke nxjerrë të papunë disa mijëra punëtorë.

“Sot papunësia në Shkodër kap shifrat 45 përqind. Pra është kryeqytet i papunësisë për shkak edhe të mosndjekjes të politikave të zbutura ndaj këtij qyteti nga ana e qeverisë shqiptare. 4500 biznese kishte para pandemisë, kanë falimentu 655 biznese të vogla, të cilët janë taksapagues të rregullt të shtetit shqiptar”, thotë ai.

Sindikalisti Tukaj thotë se qeveria duhet të kthej vemendjen drejt Shkodrës përmes investimeve, pasi humbja e vendeve të punës është një barrë për vetë shoqërinë shqiptare.

Shqipëria, sipas Bankës Botërore, pas vitit të parë të pandemisë po përjeton rritjen më të lartë ekonomike në rajon, por, në të njëjtën kohë, vendi ka një të tretën e popullsisë që jeton në varfëri relative, me më pak se 5 dollarë në ditë./VOA

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprak“Duan të më varin në sheshin ‘Omonia’ dhe të më pushkatojnë”, rrëfimet dhe fotot e rralla! Detaje të panjohura nga vizita e famshme e Papuliasit që shkriu akujt Tiranë-Athinë
Artikulli tjetërParashikimi i yjeve nga Paolo Fox, 27 Dhjetor. Java e mbarë duket që të hënën