“Kur kam shkuar, atje kam parë se turistët ishin të shtrirë njëri në shezlong, njëri afër shezlongut dhe dy të tjerë në dysheme afër pishinës.”.
Advertisements
Kjo është dëshmia e recepsionistes së hotelit ‘Gloria Palace’ në Qerret të Kavajës, ku u gjetën të pajetë 4 turistët rusë. Emisioni ‘Në shënjestër’ në ‘News24’ ka siguruar dëshminë e Hane Kërçukut, punonjëse e hotelit, e cila ka qenë e para që ka parë të vdekur 4 turistët.
Ajo theksoi se kishte shkuar në zonën e SPA-së bashkë me pastruesen e hotelit, ku është përballur edhe me skenën e rëndë.
Advertisements
“Në punë isha ditën e enjte dhe ditën e premte turni i dytë nga ora 15:00 deri në orën 23:00. Gjatë këtyre dy ditëve në hotel kanë qenë dy dhoma të prenotuara nga turistë rusë të cilët quheshin Ekaterina Burenkov, Natalia Burenkov, Nikita Belousov dhe Sergei Burenkov. Me këta turistë pothuajse nuk kam patur kontakt, pasi qëndronin të distancuar. Të enjten në mbrëmje ata kanë ardhur tek recepsioni dhe njëri nga këta fliste anglisht dhe më ka thënë se donin të përdornin ambientet e SPA. Unë i kam thënë se duhet të më thoni një ditë përpara dhe më thanë që të nesërmen që i binte ditë e premte ishin në një udhëtim dhe nga ora 20:00 ambientet e SPA të ishin të përgatitura për ta. Pishina është ndezur rreth orës 16:00. Por jo, nga unë. Unë, para orës 20:00 kam ndezur pjesën e xhakuzit ku është thjesht një buton që duhet rrotulluar.
Këta persona pasi janë kthyer nga një udhëtim pas orës 20:00 kanë kaluar në recepsion dhe më informuan se do t’i përdornin tani këto ambiente. Në dukje më ngjanë si të lodhur, mbase nga udhëtimi që ata kanë bërë. Shkuan lart në dhomë dhe kanë zbritur vetë mbase pas 10 minutash. I kam parë që po laheshin në pishinë dhe kur i pyeta nëse u nevojiteshin ndonjë gjë, ata më thanë se duan privatësi. Rreth orës 21:45 kam shkuar tek turistët rusë së bashku me sanitaren Sara Deliu për t’u thënë se për pak këto ambiente do të mbylleshin. Kur kam shkuar, atje kam parë se turistët ishin të shtrirë njëri në shezlong, njëri afër shezlongut dhe dy të tjerë në dysheme afër pishinës. Jam afruar, kam thirrur sanitaren, u kam folur anglisht, por nuk mora përgjigje. Jam trembur dhe i them sanitares që të lajmërojë stafin. Më pas ka ardhur ambulanca së bashku me mjekun dhe mësuam se katër turistët rusë kishin vdekur.”, tha recepsionistja e hotelit.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!