“Shqiptarët ankohen thuajse për gjithçka”/ Rrëfimi i një vajze ruse në Shqipëri

Alla është një vajzë ruse që prej 11 vitesh jeton në Tiranë. Përpara se të shkelte në Shqipëri, dinte shumë pak për të, dhe as nuk e kishte menduar asnjëherë jetën e saj këtu.

Advertisements

Si fillim në Shqipëri e solli dashuria. Më pas kuptoi, se ndryshe nga shumë shqiptarë që duan të largohen nga vendi i tyre, ajo ka zbuluar se Shqipëria është një vend shumë i mirë për të jetuar.

E rritur në Moskën e ftohtë, Tirana dhe gjithë Shqipëria i janë dukur shumë mikpritëse dhe bujare.

Advertisements

Vitet e para të qëndrimit në Shqipëri ka punuar si fotografe, ndërsa tani, prej më shumë se dy vitesh është e angazhuar në një tjetër fushë, atë të trajnimit të mendimit të njerëzve.

Në rrjetet sociale ajo është e njohur për seancat e saj motivuese.

Alla Simacheva e flet shqipen shumë mirë. Është brune dhe ka tipare të imta. Sot është mami e një djali 8 vjeç. Ka një zgjidhje për gjithçka dhe sipas saj e gjithë jeta është çështje fokusi, varet se çfarë do që të shohësh dhe marrësh prej saj.

E ftuam Alla-n në këtë bisedë në “Dita”, për t’u njohur më shumë më të dhe për të kuptuar se si duket Shqipëria e ditëve të sotme në sytë e një vajze ruse.

-Alla, përpara se të vije në Shqipëri a kishe dëgjuar më parë për këtë vend?

Të jem e sinqertë, shumë pak dija për Shqipërinë, vetëm vendndodhjen dhe disa stereotipe.

-Çfarë të solli këtu dhe mbi të gjitha çfarë të mbajti në Shqipëri?

Fatmirësisht, përpara se të vizitoja Shqipërinë për herë të parë, zgjodha të mos lexoja asgjë në internet dhe të krijoja përshtypjet e mia. Takimi i parë me Shqipërinë ndodhi para 15 vitesh, kur do të takoja familjen e ish-bashkëshortit shqiptar. Isha shumë e re dhe e guximshme dhe pavarësisht jetës së sistemuar mjaft mirë në Moskë, nuk mendova gjatë për t’u transferuar në Tiranë.

Njoh shumë gra ruse që janë larguar nga Rusia për bashkëshortët e tyre shqiptarë. Mirëpo, martesa ime tashmë ka përfunduar dhe zgjidhur, dhe qëndrimi në Shqipëri ishte një zgjedhje e vetëdijshme.

Së pari, Shqipëria na ofron të gjitha mundësitë për të krijuar jetën siç duam, pavarësisht, ankesave dhe mendimeve negative të shumë shqiptarëve, unë realisht shikoj shumë mundësi për një jetë të bukur në Shqipëri.

-Ka diçka që të bëri përshtypje në fillim, mund të na e tregosh?

Në fillim fare përshtypjet dhe ndjenjat për Shqipërinë ishin shumë të miksuara, më dukej sikur isha në një tjetër realitet. Normalisht, Tirana para 15 vitesh nuk ishte njësoj si Tirana e sotme. Çuditesha, se si ka mundësi që një vend kaq i bukur të ketë kaq shumë kontraste. Mikpritja e shqiptarëve dhe ngrohtësia e njerëzve më bënte përshtypje për mirë dhe njëkohësisht rrëmuja dhe zakoni i vjetër i hedhjes së mbeturinave nga dritaret, më habiste negativisht, ose hedhja e mbeturinave në det apo në lum.

-Ju flisni shumë mirë shqip, kush ju ka ndihmuar për këtë pjesë dhe a ju ka bërë kjo gjë që të kuptoni më shumë Shqipërinë, mentalitetin këtu?

Ah, ju falënderoj shumë për vlerësimin. Gjuha Shqipe vërtet është një gjuhë e vështirë dhe e veçantë për të huajt. Njëkohësisht, mendoj se është vështirë të integrohesh në një vend të huaj dhe të ndihesh e qetë pa gjuhë. Kisha një mikeshë shqiptare, e cila nuk fliste anglisht, dhe kjo, mendoj, është mënyra më e mirë dhe më e bukur për të mësuar çdo gjuhë, pra, është komunikimi. Jam shumë mirënjohëse për durimin dhe kohën që më ka kushtuar mikja ime, duke më kuptuar, duke më korrigjuar, duke më mësuar. Kështu më kishte dhënë bazën, e cila thjesht rritej vetë, kur isha duke njohur njerëz të rinj. Sot kam një shprehje: rri, rri dhe mësoj ndonjë fjalë në shqip. Tani punoj me shumë njerëz, komunikoj nëpërmjet rrjeteve sociale për shkak të punës, kështu që vazhdoj të dëgjoj dhe të mësoj fjalë të reja.

-Meqë jemi të mentaliteti, çfarë të bën përshtypje nga kjo pjesë në Shqipëri?

Janë bërë më shumë se 11 vite që jetoj në Shqipëri, nuk mendoj se më bën përshtypje diçka, e kam pranuar si një pjesë të mjedisit, nuk është që më prish terezinë apo më streson, por është fakt për mua, që shqiptarët ankohen shumë dhe për çdo gjë: për vapën, për të ftohtin, për shiun, për diellin, për trafikun, për politikën, për tezen, hallën, komshiun. Dhe ndërkohë që ankohen, gjithashtu, vrasin shumë mendjen për mendimin dhe aprovimin e të tjerëve.

Dalloj këtë sepse e di shumë mirë se si funksionojnë mendimet. Ndërkohë që harxhojmë kohën dhe energjinë për të ankuar, ne nuk jetojmë jetët tona por jetojmë jetët e të tjerëve.

Në fakt, shumë shpejt, u infektova dhe unë me mendimet negative gjatë viteve të para në Shqipëri. Aq shume kisha dëgjuar shprehjen “jemi në Shqipëri, këtu gjërat nuk funksionojnë”, që vërtet e besoja për një kohë të gjatë deri sa zbulova, që nuk është e vërtet.

-Ne në Shqipëri kemi një imazh për ruset si vajza të gjata, bionde, me sy blu… a ju kanë thënë që nuk ngjani si ruse?

Jo vetëm që ma thonë shpesh që nga e folura nuk dallohem që jam e huaj, dukem si një shqiptare që ka jetuar jashtë, por një herë më kanë thënë dhe kështu: ua, ruse je? Po ruset janë të bukura, jo si puna jote.

Kjo tashmë është kthyer në një shprehje që përdor dhe vetë, si shaka.

Mua personalisht me pëlqen miksi im gjeografik. Unë kam lindur në Tokjo, jetova vitet e para të jetës sime atje, pastaj u rrita në Moskë, dhe u formova në Shqipëri. Kultura të ndryshme më kanë pasuruar botën time të brendshme dhe mënyrën e të menduarit.

-Për ata që ju njohin nga instagrami ju jeni një fotografe shumë e mirë por edhe një trajnuese mendimi, pse ke zgjedhur këtë formë për të qenë pranë ndjekësve të tu?

Është e vërtet që kam qenë fotografe për një kohë të gjatë, ishte profesioni që ushtroja në Shqipëri për 7 vite. Unë doja që nëpërmjet artit të fotografisë të tregoja njerëzve se sa mirë janë, që jetojnë në një vend të bukur, njëkohësisht falë rrjeteve sociale dhe shumë miq dhe kolegë rusë mësuan vendet e fshehura dhe të bukura të Shqipërisë.

Tani misioni im është i njëjti, thjesht ka ndryshuar mjeti i punës. Dhe nuk punoj me pamjen e jashtme, por punoj me mendimet e njerëzve, që bën të mundur ndryshimet e mëdha në të gjitha aspektet e jetës. Fotografia ndërkohë vazhdon të jetë pasioni dhe stili i jetës.

-Po ju vetë a ndiheni ndonjëherë e demoralizuar, e lodhur… çfarë bëni për të dal nga kjo gjendje?

Tashmë është bërë e vështirë të ndihem e demoralizuar, sepse kur shikoj që nuk po arrij rezultatin e dëshiruar, kuptoj që ka diçka në mënyrën time të menduarit, ka një veprim që e bëj gabim, ndaj nuk arrij. Përdor ndjenjat në mënyrë që të më sjellin dobi dhe të më ndriçojnë mundësitë e zhvillimit. Lejoj vetes të ndjej dhe pasigurinë, dhe frikën, dhe inatin, nëse vjen, sepse këto ndjenja alarmojnë që ka diçka në realitetin tim, që kërkon të përmirësohet.

Për sa i përket lodhjes, po. Lodhem. Kjo është një ndër pikat e mia të dobëta. Punoj shumë pa lejuar vetes të pushoj në mënyrë cilësore, pasi më duket sikur kam shumë qëllime dhe shumë pak kohë për t’i realizuar ato. Ndoshta ngjan çuditshme, por këtë verë po mësoja të bëja pushimet e vërteta pa u shqetësuar për asgjë.

-Cili është mesazhi më të cilin ju nisni ditën tuaj?

Mendimet kanë nevojë për kujdesin dhe higjienën njësoj si edhe trupi ynë. Është e vërtet që njësoj siç lajmë dhëmbët, edhe mendimet kanë nevojë të pastrohen, të sistemohen dhe të mirëmbahen. Unë pavarësisht se jam coach (trajnere) dhe kujdesem për mendimet e klientëve, jam thjesht njeri, dhe mendimet e mia kërkojnë të njëjtin kujdes gjithashtu.

Së pari, dedikoj disa minuta kohë në mëngjes për të ndjekur mendimet që kam, çfarë mendoj, çfarë ndjej, cilat janë mendimet që më shkaktojnë ndjenjat e kundërta të kënaqësisë.

Çdo njeri pavarësisht statusit, pozicionit e punës apo nivelit e të ardhurave, ka mendime që krijojnë pasiguri, ankthi, stresi, frikë, lodhje dhe është diçka normale. Nuk është normale të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur këto ndjenja nuk ekzistojnë. Ky është vetëmashtrim pastaj.

Kështu që mesazhi im i ditës, ose motoja është që, se pari, unë sot, si çdo ditë tjetër, kërkoj dhe vëzhgoj mendimet që më kufizojnë, dhe së dyti, sot kërkoj dhe vëzhgoj, cilat janë veprimet që më sjellin kënaqësi, dhe do të përfshij më shumë nga këto veprimet në rutinën time.

Keni dëgjuar për parimin Pareto? Që 20 % të shkaqeve sjellin 80 % të rezultateve. Në këtë rast, 20 % të veprimeve që bëjmë në ditë, do të na sjellin 80% të lumturisë. Duke identifikuar, cilat janë këto 20%, do të na ndihmojë të shumëfishojmë dhe të kthejmë në zakon një lifestyle të lumtur pavarësisht rrethanave.

-Sipas jush, njeriu e ka në dorën fatin e tij apo ai është i shkruar?

Në jetën e çdo njeriu funksionon ajo që në çfarë personi e beson. Unë e besoj dhe e praktikoj metodën e cila thotë, që çdo gjë që ne kemi apo nuk kemi në jetë është rezultati i veprimit. Siç thoshte Einstein, është çmenduri të bësh të njëjtin veprim dhe të presësh rezultate të tjera. Veprimet tona janë nxitur nga emocionet, emocionet janë indikatorët e mendimeve. Kështu që nëse kemi diçka që duam të përmirësojmë në jetë, mjafton të ndryshojmë të paktën një mendim për të pasur një rezultat të ri. Kaq e thjesht. Çdo gjë është shumë e thjesht, jemi ne, njerëz, që e komplikojmë, sepse nuk besojmë që gjerat mund të funksionojnë thjesht.

-A mund të ndryshojmë jetën tonë dhe mënyrën se si jetojmë nga mënyra se si mendojmë?

Një tjetër mendim krijon një tjetër emocion, një tjetër emocion krijon një tjetër reagim, reagimi i ri do të thotë rezultati i ri. Ndërkohë është e rëndësishme të kemi një profesionist që mund të na ndihmoj të identifikojmë mendimet tona. Unë jam coach dhe kam një coach. Mund të them që është kënaqësi e veçantë të jem në pozicionin e klientit, sepse një mendim me të cilin ushqehem çdo ditë, sidomos në momentet e vështira, është që ekziston minimalisht një person, i cili më pranon plotësisht ashtu siç jam dhe beson tek unë.

-Nga duhet ta fillojmë për të bërë këtë, për të ndryshuar ?

Është e rëndësishme të fillojmë të vlerësojmë hapa të vegjël. Gjithashtu është e rëndësishme te kujdesemi për fjalorin. Vetë fjalët jo vetëm që na lejojnë të transmetojmë mesazhet dhe informacionin tek njëri- tjetri, por na krijojnë ose na lehtësojnë peshën emocionale.

Për shembull, dikur kur miqtë më bënin pyetjen “si je”, unë përgjigjesha “shumë e ngarkuar kam qenë”. Ky mendim dhe vetë këto fjale me krijonin ngarkesën. Më vonë i zëvendësova me mendimin që nuk jam e ngarkuar, por jam e kërkuar. Shikoni, se si ndryshojnë reagimet dhe vetëvlerësimi. Kush jam unë në variantin e parë? Jam një njeri i lodhur dhe në stres. Kush jam kur jam e kërkuar? Jam e dashur, jam profesioniste, kam besimin e klientëve. Me cilin mendim jeta është më e bukur? Sigurisht, me të dytin. Dhe është vetëm çështje zgjedhje.

-Duket sikur keni zgjidhje për gjithçka, po ka patur edhe në jetën tuaj momente të vështira?

Unë mund të them që mënyra e të menduarit është aftësi, dhe si çdo aftësi tjetër trajnohet dhe përmirësohet. Sigurisht, kam kaluar kriza dhe momente shumë të vështira. Mendoj se transformimi im nisi në momentin kur babai im u nda nga jeta shumë papritur për të gjithë. Kisha shume pyetjet dhe në kërkim të përgjigjeve arrita në këtë profesion ku jam tani.

-Si mund t’ja u shpjegojmë atyre që po na lexojnë se me çfarë merreni konkretisht?

Konkretisht zhvilloj programet transformuese në grup dhe individualisht ku çdo person mund të marri instrumentet, si fillim, të shikoj veten në thellësi, jo në sipërfaqe, t’i përgjigjet vetes se kush është dhe çfarë do dhe pastaj të ndërtoj veten, ashtu siç vetë dëshiron.

Studimet, në të cilën bazohet metodologjia që unë përdor, vërteton që njerëzit qëllimin thelbësor gjithmonë e kanë pozitiv, mënyra se si e arrijnë shpesh është toksike për të tjerët për shkak të mendimeve dhe ndjenjave të renda. Për shembull, kur njeriu vepron, i udhëhequr nga dhimbja ose dëshpërimi. Është shprehja e një sipërmarrësi të famshëm, Gary Vaynerchuk: hurt people hurt people, happy people make other people happy. Pra, njerëz të palumtur lëndojnë njerëzit e tjerë, shpesh herë pa dashje dhe në mënyrën e pavetëdijshme, njerëzit e lumtur, thjesht ndajnë lumturinë.

-A keni menduar të riktheheni e të jetoni në Moskë?

Jo, nuk jam e lidhur me vendet, nuk e lidh lumturinë time me faktorët e jashtme, me njerëz apo me qëllimet. Lumturia është këtu dhe tani. Unë ndjej kënaqësi nga eksplorimi dhe zhvillimi, prandaj, mendoj se nëse do të ndryshoj vendndodhjen, do të jetë për totalisht një tjetër kulturë.

-Cili është qyteti shqiptar që ju pëlqen më shumë?

Berati është qyteti im i preferuar, çdo herë që e vizitoj, e shoh ndryshe, e shijoj ndryshe, më jep shumë energji.

-Po gatimi?

Gatimet tradicionale shqiptare, të jem e sinqertë, nuk më pëlqejnë. Unë jam një person dinamik dhe nuk më pëlqen fare të gatuaj. Preferoj ushqimet natyrale, bimore, që pasi të konsumohen të japin lehtësinë dhe jo rëndesën.

-Po zakoni më i keq që kemi?

Të shtyjmë jetën për më vonë. Kur themi për diçka që duam të bëjmë, themi “nesër”, shtojmë dhe “kismet”, “nesër kismet”. Këtë unë e përkthej që asgjë nuk do të bëhet fare, sepse është thjesht një zakon për të zvarritur gjerat.

-Vendi më i bukur që keni fotografuar në Shqipëri?

Shqipëria është shumë e pasur për vende të mrekullueshme dhe jam e lumtur që ende ka vende të pazbuluara nga unë. Kështu që do të përgjigjesha, që vendi më i bukur që kam fotografuar është ende i pazbuluar nga unë./ DITA

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakRrëfimi i aktorit Ndriçim Xhepa: Qëndrova 3 muaj me shoferët e Laçit për të ngarë Saurrelin te roli i Tomës te ‘Flutura në kabinën time’!
Artikulli tjetërMjekja po jepte intervistë, infermierja serbe harron kamerën dhe fillon e zhvishet (Video)