Epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka bërë një krahasim të situatës epidemiologjike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Advertisements
Duke iu referuar disa të dhënave të marra nga Universiteti amerikan Johns Hopkins në lidhje me Covid-19, Alimehmeti është shprehur se Kosova dhe Maqedonia e Veriut duke filluar nga data 25 gusht kanë regjistruar një ulje të kurbës sa i takon rasteve të reja të infektimeve.
Sipas epidemiologut vendi ynë ka një ecje më të ngadaltë në kurbë, teksa shtoi se rënia mund të fillojë gjatë periudhës 5-15 shtator të këtij viti.
Advertisements
Ndërsa, sa i takon humbjeve të jetëve epidemiologu bën me dije se Kosova dhe Shqipëria po ecin me të njëjtin ritëm, ndërsa Maqedonia e Veriut është 2-3 fish më keq.
Postimi i Alimehmetit në Facebook:
Le të hedhim një sy mbi situatën epidemiologjike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut miqtë e mi!
Rastet e reja pozitivë për SARS-CoV-2: Fillimisht vëmë re që edhe Kosova edhe Maqedonia e Veriut kanë filluar fatmirësisht zbritjen e kurbës së rasteve të reja që më datë 25 Gusht 2021.
Pra, de facto, masat kufizuese të vendosura në Kosovë pas datës 25 gusht 2021 duken të panevojshme, pasi kurba epidemiologjike ishte tashmë në rënie.
Shqipëria ka ecje më të ngadaltë në këtë kurbë dhe, sipas përllogaritjeve (të bazuara mbi sjelljen epidemiologjike të varianteve të mëparshme dhe në vendet fqinje), pritet që faza plateau dhe rënia të ndodhë në periudhën ndërmjet datave 5 dhe 15 shtator 2021. Humbjet e jetës nga COVID-19 te rastet e njohura:
Siç e dimë qartë tashmë, numri i humbjeve të jetës e ndjek kurbën e rasteve të reja me një diferencë rreth 10-14 ditore. Si rrjedhojë pritet që Kosova dhe Maqedonia e Veriut të hyjnë në fazë rënëse pak a shumë rreth datave 5-10 shtator.
Fatmirësisht Shqipëria paraqet një ecuri të sheshtë të humbjeve të jetës (për 1 milionë banorë), ndryshe nga Kosova dhe Maqedonia.
Ndërsa, nëse studiojmë CFR (case-fatality rate), pra përqindjen e humbjeve të jetës ndër rastet e njohura, vëmë se:
Kosova dhe Shqipëria ecin me të njëjtin ritëm, ndërsa Maqedonia e Veriut është 2-3 fish më keq në këtë drejtim. Situata është dinamike dhe si e tillë duhet trajtuar, por tashmë njohim shumë më shumë se një vit më parë! Vendimet nuk duhet të jenë më të bazuara mbi emocione, por vetëm mbi evidenca dhe analizime!
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!