Shqipëria po përjeton një valë të zgjatur emigracioni, që po jep gjithnjë e më shumë pasoja në ekonomi, pasi po largohet në pjesën më të madhe forca e re e punës.
Advertisements
Të dhënat e Eurostat për kërkesat për azil sipas grupmoshave, tregojnë se që nga viti 2011 kur raportohen të dhënat deri në 2020-n, pjesa dërrmuese e aplikimeve në 27 vendet e Bashkimit Europian, mesatarisht rreth 77-78% përbëhet nga grupmosha nën 34 vjeç.
Në vitin 2020 kishte gjithsej rreth 7 mijë aplikime për azil, nga të cilët 30% ishin të grupmoshës nën 18 vjeç, 47% të grupmoshës 18 vjeç (77% nën 34 vjeç). 22% të atyre që kanë tentuar të ikin, duke kërkuar azil ishin të grupmoshës 35-64 vjeç dhe 1% mbi 65 vjeç.
Advertisements
E njëjta strukturë konstatohet përgjatë gjithë dekadës së fundit. (shiko grafikun: Aplikimet për azil në Be-27, sipas grupmoshave, 2011-2020). Në total janë rreth 160 mijë të rinj, që kanë kërkuar azil në dekadën e fundit në një nga 27 vendet e bashkimit Europian.
Të dhënat e tjera kombëtare të INSTAT tregojnë se emigracioni i lartë i të rinjve, i kombinuar me rënien e lindjeve dhe plakjen graduale të popullsisë po ul popullsinë e re aktive në vend. Popullsia në grup moshën 15-29 vjeç shënoi tkurrje me rreth 18 mijë persona në 2020-n. Në këtë interval moshe pakësimi më i madh ishte për të rinjtë 15-19 vjeç me mbi 8 mijë persona.
Teksa forca e punës në grup-moshat e reja po tkurret me shpejtësi, bizneset në të gjithë vendin po ndejnë vështirësitë që po krijon mungesa e punonjësve. Njësitë e shërbimeve, hotele dhe restorante në të gjithë vendin sidomos në zonat turistike, sektori fason dhe call center po ndjejnë mangësitë.
Kriza pandemike e cila erdhi edhe si një krizë ekonomike pritet të ketë ndikim negativ në treguesit demografike, sidomos në drejtim të emigracionit.
Ilir Gëdeshi, ekspert i njohur i çështjeve të emigracionit, tha se krizat ekonomike në Shqipëri janë pasuar nga valë emigracioni. Krizat e vitit 1990, 1997, 2008 e kanë vërtetuar këtë fakt. Edhe kriza pandemike, sipas zotit Gëdeshi, rrezikon të përshkallëzojë emigracionin në vend.
Në vitet e ardhshme, pritet që fenomeni të përkeqësohet pasi do të tentojnë të ikë pjesa që kishte planifikuar dhe nuk emigroi gjatë pandemisë. Përkeqësimi i kushteve të ekonomisë mund të nxisë të tjerë emigrantë që para pandemisë nuk kishin planifikuar të largoheshin, tha zoti Gëdeshi. Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se kriza e pandemisë ka kthyer tendencat e vjetra të emigracionit. Në planin afatshkurtër, pandemia mbylli kufijtë dhe kufizoi udhëtimet, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të emigrimit. Sidoqoftë, goditjet që pandemia ka dhënë në ekonominë e vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim lajmërojnë valë të reja emigracioni. Ekspertët ndërkombëtarë lajmërojnë se vala e emigrimit ndodh dy ose tre vjet pas krizave që tronditin jetën e njerëzve.
Për periudhën 20211 deri në 2020, në total në vendet e BE-27 (pa Mbretërinë e Bashkuar) aplikuan rreth 202 mijë shqiptarë. Rekordi u arrit në 2015-n, me 66 mijë persona, duke shënuar më pas një tendencë rënëse, në 20.4 mijë persona në 2019-n. Në vitin 2020, për shkak të pandemisë, aplikimet ranë me 66%, por mbetën sërish më të lartat në rajon dhe ndër më të lartat në botë në raport me popullsinë. /Monitor
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!