Reshjet e shiut një ditë më parë në lagjen “Deremhallë” në Komunën e Gjilanit shkaktuan përmbytje masive, duke rrezikuar shumë familje. Mësohet se janë evakuuar disa prej tyre. Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se janë bërë ndërhyrje në 25 raste të ndryshme nga 52 thirrje që kanë pranuar institucionet komunale të emergjencave.
Advertisements
Komuna e Prishtinës, të dielën, më 18 korrik, u përball me një stuhi shiu dhe ere, që vërshoi disa rrugë të kryeqytetit të Kosovës. Por, kjo komunë tha se situata është nën kontroll. Edhe Komuna e Skenderajt pati shira të dendur dhe breshër gjatë ditës së shtunë. Drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Gëzim Ejupi, tha për Radion Evropa e Lirë se dëme më të mëdha janë shkaktuar në sektorin e bujqësisë.
“Ka pasur dëme të konsiderueshme në Skenderaj goxha shumë nga breshëri, në kultura bujqësore, po ashtu edhe në ekonomi familjare dhe disa çati të shtëpive janë rrëzuar”, tha ai.
Advertisements
Ndërkohë rreth 200 persona llogariten të kenë vdekur nga përmbytjet që kanë ndodhur ditëve të fundit në disa vende të Evropës duke përfshirë Gjermaninë, Belgjikën, Holandën, Luksemburgun, Zvicrën, Austrinë dhe Republikën Çeke.
Instituti Hidrometeorologjik dhe meteorologët nuk kanë parashikuar se moti i lig në Kosovë do të zgjatet edhe për shumë ditë. Të premten (16 korrik), Instituti kishte parashikuar mot me shi nga data 17 deri më 19 korrik. Megjithatë, sipas këtij njoftimi, nuk parashihet dalje e lumenjve nga shtretërit, që paraqet shkakun kryesor të vërshimeve dhe dëmeve të rënda si pasojë e reshjeve.
“Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrometrike në Kosovë, nuk parashihet që të kenë lëkundje të theksuara të niveleve dhe prurjet të ujit, prandaj edhe nuk do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore”, thuhej në njoftim.
Edhe meteorologu dhe profesori universitar, Sylë Tahirsyla tha se moti me reshje të dendura nuk do të jetë afatgjatë. “Është një situatë alarmante që e ka goditur Evropën. Këto te ne janë reptica, do të thotë mbetje. Ka pasur shkarkime atmosferike e breshër. Kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, do të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme”, tha ai.
Megjithatë sipas Tahirsylës, infrastruktura në vend dhe shkatërrimet nga faktori njeri e rrisin ndjeshëm rrezikun për vërshime në Kosovë.
“Faktori njeri është ai i cili ka destabilizuar çdo gjë, shkatërrimi i bankinave të lumenjve të shtretërve të lumenjve… Kemi një degradim të madh të pyjeve dhe prerja e pyjeve shkakton edhe vërshimet në territore të caktuara”, tha ai.
Dëmet nga vërshimet e janarit ende të pakompensuara
Fillimi i vitit 2021 në Kosovë pati vërshime në disa qytete duke shkaktuar dëme, që u vlerësuan se ishin milionëshe.
Megjithatë, nëpër komunat si ato të Gjilanit dhe Vushtrrisë dëmet e shkaktuara në pronat private nuk janë kompensuar në tërësi nga komuna apo qeveria edhe sot e kësaj dite.
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani kanë arritur të kompensojnë vetëm 30 për qind të dëmeve.
Sipas tij, lumi Sitnica paraqet rrezik të vazhdueshëm për këtë qytet, ndërsa sipas tij, një projekt që kushton katër milionë euro e gjysmë për rregullimin e shtratit të lumi,t ende se ka marrë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.
“Shtrati i lumit dhe muret mbrojtëse i ka gërryer erozioni i kohës dhe tani është e domosdoshme të bëhen intervenime që të parandalohen dëmet nga lumi Sitnica”, tha ai.
Ndihmën e qeverisë ende po e pret edhe Komuna e Gjilanit, që në janar pësoi mbi 1. 6 milion euro dëme nga vërshimet e lumenjve.
Sipas kryetarit, Lufti Haziri, komuna nuk ka mundësi të kompensojë dëmet në sektorin privat.
“Ne po presim që zhdëmtimin ta bëjë qeveria. Përfundimisht shpresoj që të trajtohet zhdëmtimi i Pogragjës dhe Gjilanit në këtë fazë. Në Gjilan janë të papërballueshme për komunën”, tha Haziri./BW
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!