Më shumë humbje jete si pasojë e COVID, por nuk ndryshon plani i masave! Pse infeksioni po përhapet tek moshat e reja

Vetëm dje 21 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID-19. Ndërkohë që mesatarisht prej fillimit të këtij muaji janë raportuar më shumë se 1 mijë raste të reja çdo ditë.

Advertisements

Por pavarësisht këtyre treguesve, pavarësisht apelit të ekspertëve, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të lë në fuqi masat e ndërmarra 2 javë më parë, me argumentin që kanë qenë efektive. Kjo do të thotë që deri në 11 mars do të vijohet me kufizimet aktuale. Gjimnazistët në Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Pogradec dhe Kamzë do të vazhdojnë të zhvillojnë orët e mësimit online.

Nga vendimi nuk janë të përjashtuar maturantët, që po ashtu mësimin do të duhet ta ndjekin nga shtëpia. E pandryshuar mbetet situata edhe për studentët. Nga ana tjetër, qarkullimi do të vijojë të jetë i ndaluar pas orës 20:00 të mbrëmjes. Kjo vlen jo vetëm për automjetet, por edhe për qytetarët, si edhe baret dhe restorantet që po ashtu do të detyrohen të mbyllin aktivitetin pas kësaj ore.

Advertisements

RAKACOLLI

Kryetarja e Komitit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, tha se ky vendim për të lënë në stanjacion masat nuk lidhet me fushatën zgjedhore.

“Absolutisht nuk lidhen me zgjedhjet. Ne kemi dëshmuar se kemi mbajtur një qëndrim të arsyeshëm. Infeksioni ishte një ngjarje e re për të gjithë botën. Të tërë nisemi nga shkenca epidemiologjike. Komiteti i Ekspertëve, si i ka gjykuar në lidhje me treguesit, dhe pastaj strategjitë që kanë ndjekur vende të ndryshme, janë të ndryshme. Akoma nuk ka provuar një strategji të provuar e mirë për të gjithë. Bilancet bëhen gjithmonë në fund. Në bilancet që janë bërë deri më tani Shqipëria me shifrat që ka pasur, masat kanë qenë të arsyeshme. Shëndeti është prioritet dhe nuk lidhet me asnjë situatë të caktuar”, u shpreh Rakacolli.

E pyetur për transportin publik, që mbetet kërcënim për përhapjen e infeksionit për shkak të mosrespektimit të distancës fizike, Rakacolli hoqi çdo përgjegjësi, duke thënë se kjo është zgjedhje personale e gjithkujt.

“Në fund të fundit, është një zgjedhje personale. Nuk të detyron njeri të hipësh në autobus. Kur e shikon që autobusi është plot, nuk duhet të hipësh. Zgjidhet një orar i përshtatshëm për të mbrojtur veten dhe anëtarët e familjes”, tha ajo.

FATALITETET

E enjtja ka regjistrua një tjetër ditë me bilanc tragjik viktimash si pasojë e COVID-19. Në 24 orë janë regjistruar 21 humbje jete.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 21 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 5 qytetarë nga Tirana, 3 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Vlora, 2 qytetarë nga Fieri, 2 qytetarë nga Shkodra, 2 qytetarë nga Durrësi, 1 qytetar nga Dibër, 1 qytetar nga Kruja, 1 qytetar nga Saranda, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 48-89 vjeç”, ka bërë me dije Ministria.

E rënduar paraqitet situata edhe në spital. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 628 pacientë, 46 në terapi intensive, nga të cilët 18 pacientë janë të intubuar. Ndërkohë ka shkuar në 35 419 numri i të infektuarve aktivë në të gjithë vendin. Dje gati 27 për qind e të testuarve janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. “Në 24 orët e fundit janë kryer 3691 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 986 qytetarë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Lidhur me statistikat e personave të shëruar, pra që e kanë fituar betejën me sëmundjen, në 24 orët e kaluara, sipas Ministrisë, janë shëruar 849 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 67 158 që nga fillimi i epidemisë.

Variantet e reja të COVID-19, ende asnjë rast i konfirmuar nga autoritet shqiptare

Autoritetet shqiptare nuk janë ende në gjendje të thonë nëse në vendin tonë qarkullojnë apo jo variantet e reja të COVID-19, siç është virusi “anglez” apo ai “afrikan”. Prej javësh përfaqësues të Komitetit Teknik të Ekspertëve vijojnë të thonë se kanë dyshime të arsyeshme, por ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar për t’u dhënë fund këtyre dyshimeve.

“Ky nuk është proces si PCR që merr nga një ditë deri në 72 orë, kur futet mostra për të sekuencuar ka një kohëzgjatje të caktuar plus algoritmi i leximit të saj është tejet profesional. Prioritizim s’ka, ka radhë, i ke dërguar e do presësh, duhet të kuptojmë me mutacion, pa mutacion, ne kemi shifra ku kemi një dyshim të arsyeshëm e ky dyshim që vjen nga laboratori me mostrat, fakti që kemi një dinamikë moshore të ndryshuar, që u përballëm me një rritje të pozitivitetit, janë elemente që me firmën apo pa firmën e Anglisë, ne kemi një dyshim të arsyeshëm. Kjo ka vlerë shkencore, por ajo që ka vlerë për të përballuar këtë situatë është të marrim të mirëqenë faktin që virusi është këtu. Në fund të ditës me rëndësi është përkujdesja e autoriteteve shëndetësore, autoriteteve monitoruese, që vënë në zbatim masat e në fund biznese tregtare e qytetarë duhet të kuptojnë që jemi në një moment për ta kthyer këtë faqe të historisë aty ku duhet”, tha drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.

Përhapja e infeksionit te moshat e reja

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se infeksioni ka një përhapje më të madhe në grupmoshat nga 4 deri në 35 vjeç si edhe 45 deri në 54 vjeç. “Nëse do duam ta vlerësojmë ndryshimin dinamik të përfshirjes së mostrave nga dy javëshi pararendës, moshat nga 24-35, 45-54 janë 79% e rasteve pozitive. Prekja e këtyre moshave ka ndryshuar dhe mund të ndryshojë vetëm nëse ne do të jemi shumë të kujdesshëm jo vetëm me implementimin e masave të thjeshta, për rregullat e vendosura, por mendoj që ky është dhe një apel për të qenë të qartë që nuk e kemi përfunduar këtë betejë”, tha Fico gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili vendosi të mos ndryshojë planin e masave, pavarësisht shifrave në rritje të infeksionit, si edhe fataliteteve si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakI mbijetove Covidit? ‘CNN’ nxjerr studimin: Ndoshta për këtë duhet të falënderosh paraardhësit e tu të Neandertalit
Artikulli tjetërArrestohet “Michael Jackson”, hetuesit zbulojnë lidhjet e tij që kishte me shqiptarët