Numri i vdekjeve gjatë vitit 2020 dhe në veçanti, gjatë periudhës tetor-dhjetor, shënoi një rritje dramatike në Shqipëri, duke hedhur në këtë mënyrë dyshime nëse raportimet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë rreth pasojave të pandemisë së koronavirusit të ri reflektojnë apo jo realitetin.
Instituti i Statistikave publikoi të premten të dhënat demografike të vitit të kaluar, ku vërehet se numri i shqiptarëve të ndarë nga jeta është 27,605, shifër kjo 30% më e lartë se sa mesatarja shumëvjeçare e periudhës 2011-2019. Nga shifrat e publikuara rezulton se afro 6300 shqiptarë kanë ndërruar jetë më shumë se sa zakonisht, ndërsa shifra zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë është që deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar, të vdekurit nga COVID-19 ishin 1,181 vetë. Diferenca prej rreth 5 mijë të vdekurish më shumë ngre pyetjen se për çfarë arsyeje kemi një rritje kaq dramatike të vdekshmërisë ndërsa pandemia duket se është shkaku më i dukshëm.
Advertisements
Për më tepër, shtimi i vdekjeve vitin e kaluar nuk ka ndodhur përgjatë të gjithë vitit por në veçanti në tremujorin e katërt. Sipas të dhënave, numri i vdekjeve në tetor-dhjetor 2020 ishte 3,976 më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Kjo është edhe periudha gjatë së cilës pandemia shpërtheu në të gjithë vendin. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, afro 45 mijë shqiptarë u sëmurën nga COVID-19 gjatë këtyre tre mujave, nga të cilët, 749 pacientë humbën jetën.
Numri i vdekjeve në tremujorin e katërt është më i larti në së paku një dekadë.
Advertisements
Qeveria shqiptare është kritikuar në mënyrë të vazhdueshme për mungesën e gadishmërisë për të marrë masa për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19 si dhe për mungesën e kapaciteteve të nevojshme testuese që nevojiten për të identifikuar në kohë të prekurit.
Ndryshe nga shumica e vendeve Europiane, Shqipëria nuk hyri në mbyllje gjatë valës së dimrit të koronavirusit, i cili vijon edhe sot.
Aktualisht në Shqipëri ka afro 35 mijë vetë të sëmurë me COVID-19, sipas statistikave zyrtare. Në rang kombëtar, 1 në 84 shqiptarë është i sëmurë ndërsa në Tiranë ku është edhe përhapja më e madhe, i sëmurë me COVID-19 është 1 në 46 persona./ BIRN
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!