Bledi Çuçi u zgjodh ministër i Brendshëm në kabinetin e kryeministrit Edi Rama në dhjetor 2020, duke zëvendësuar në këtë detyrë ministrin e dorëhequr, Sandër Lleshaj. Ai ka mbajtur më parë pozicionet e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore [ shtator 2013 – mars 2017] dhe ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural [janar 2019 – dhjetor 2020].
Advertisements
Bledi Çuçi përfundoi studimet për Drejtësi në universitetin e Tiranës në vitin 1995 dhe studimet Mastër për Menaxhim në universitetin Hasselt në Belgjikë në vitin 1998.
Gjatë viteve 1999 – 2005, z. Çuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese, si kancelar i Gjykatës së Tiranës apo këshilltar i Ministrit, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor. Gjatë viteve 2006 – 2010, z. Çuçi shërbeu si këshilltar dhe ekspert për disa programe ndërkombëtare në Kosovë dhe Shqipëri.
Advertisements
Ai u bë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe Kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ministrit Bledi Çuçi nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ministri aktual i Brendshëm, Bledi Çuçi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.
Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, Bledi Çuçi deklaronte pasuri me vlerë 3.9 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare kap vlerën e 64.3 milionë lekëve. Z.Çuçi zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme të vlerësuar në 51.6 milionë lekë dhe likujditete bankare me vlerë 12.6 milionë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 65 milionë lekë, nga të cilat vetëm 15% burojnë nga paga e Z.Çuçi dhe gati 85% nga pagat e familjarëve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit, nga të cilat dy prej deklaratave rezultojnë me probleme.
Çuçi ka deklaruar për herë të parë pasurinë në vitet 2003 dhe 2004 dhe më pas ka një shkëputje nga deklarimet deri në vitin 2013, kur rikthehet si subjekt deklarues. Në deklaratën e vitit 2013, Z.Çuçi rezulton me burime të pamjaftueshme financiare për të justifikuar shtesën e aseteve në vlerën e 8.9 milionë lekëve, pasi nuk deklaron burimin e krijimit të tyre.
Gjithashtu në vitin 2014, bashkëjetuesja e Z. Çuçi deklaron për herë të parë asete në pronësi me vlerë 17.2 milionë lekë, ndërsa të ardhurat i deklaron vetëm për vitin 2014 me vlerë 81,274 USD. Në mungesë të të ardhurave ndër vite, kontrolli aritmetik/logjik për vitin rezulton me diferencë negative prej 6.5 milionë lekësh.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” mospërputhjet në deklarimin e një apartamenti në pronësi. Apartamenti me sipërfaqe 260 m2 u deklarua në vitin 2003 në vlerën e 3.9 milionë lekëve, ndërsa në vitin 2013, kjo pronë deklarohet në vlerën e 78 mijë eurove.
Apartamenti është rivlerësuar gjithashtu nga një ekspert gjyqësor në vlerën e 25 milionë lekëve dhe gjatë pjestimit si pasuri bashkëshortore në një proces divorci, Z. Çuçi ka përfituar 10% të vlerës ose 2.5 milionë lekë. Në vitin 2015, ai deklarohet në pronësinë e djalit të Z. Çuçi.
Vlen gjithashtu për t’u sqaruar se në shumën e pasurive të patundshme familjare prej 51.6 milionë lekësh llogariten edhe vlerat e dy apartamenteve pas rivlerësimit. Në vitin 2003, këto prona deklaroheshin me vlerë 3.9 milionë lekë dhe diferenca nga rivlerësimi i çmimit të tregut për këto asete është 33.7 milionë lekë./BIRN
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2021/01/Bledar-%C3%87u%C3%A7i-deklarata-e-vitit-2003.pdf
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2021/01/Bledar-%C3%87u%C3%A7i-deklarata-e-vitit-2004.pdf
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2021/01/Bledar-%C3%87u%C3%A7i-deklarata-Para-Fillimit-2013.pdf
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2021/01/Bledar-%C3%87u%C3%A7i-deklarata-e-vitit-2015.pdf
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2021/01/Bledar-%C3%87u%C3%A7i-deklarata-e-vitit-2015.pdf
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2021/01/Bledar-%C3%87u%C3%A7i-deklarata-e-vitit-2016.pdf
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2021/01/Bledar-%C3%87u%C3%A7i-deklarata-e-vitit-2017.pdf
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2021/01/Bledar-%C3%87u%C3%A7i-deklarata-PL-e-vitit-2017.pdf
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2021/01/Bledar-%C3%87u%C3%A7i-deklarata-e-vitit-2018.pdf
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!