Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka dhënë lajmin e mirë se vaksina anti-COVID jep efekt edhe ndaj mutacioneve që pëson virusi, përfshirë dhe atë që është përhapur së fundi në Angli.
Advertisements
Sipas epidemiologut çdo virus mund të pësojë ndryshime, dhe strategjia që ndoqi Britania e Madhe për izolimin është e gabuar, dhe se nuk është provuar që virusi i ri është më i rrezikshëm. Alimehmeti shton se ku variant virusi ka qenë i pranishëm në Britani dhe në Itali shumë muaj më parë nga sa është raportuar në mediat.
Postimi i plotë i Alimehmetit:
Advertisements
“Asgjëje në jetë nuk duhet t’i frikësohemi, por duhet vetëm ta kuptojmë. Është koha që të kuptojmë më shumë në mënyrë që të frikësohemi më pak.” Cit.: Prof. Dr. Marie Curie (Fituese e dy çmimeve Nobel)
Mos u frikësoni nga mutacioni i ri anglez i SARS-CoV-2 miqtë e mi! Vaksina e njeh më së miri! Nuk i shpëton dot! Rrjedha natyrore e ndodhive është: Çdo virus krijon mutacione që të mbijetojë, përfshirë SARS-CoV-2. Më pas vjen aftësia e njeriut, këtë herë e superlaboratorëve anglezë, për ta identifikuar mutacionin. Më pas vijnë provat që testojnë variantin e modifikuar nëse ka ndryshuar aq shumë sa të quhet i ri. Së fundmi, nëse vërtetohet që është virusi i ri, modifikohen vaksinat dhe terapitë.
Le ta ndjekim hap pas hapi situatën me variantin VUI-202012/01 (Variant Under Investigation 2020 Dhjetor nr. 01). Hapi i parë dhe i dytë: Të gjithë u shqetësuan kur u njoftuan në dhjetor varianti N501Y i virusit, i cili përmblidhte një sërë mutacionesh. Më i rëndësishmi ishte pikërisht zëvendësimi në pozicionin 501 të një aminoacidi asparaginë me një aminoacid tirozinë.
Ky pozicion ndodhet në zonën e proteinës S (spike) e cila është proteina që lidhet me qelizat e njeriut, mund ta konsideroni si “çelësi” i derës së qelizave tona. Me rëndësi është fakti se varianti N501Y është njoftuar të jetë në qarkullim: që në gusht në Itali, që në shtator në Angli. Kush e shkaktoi panikun?
Metoda e gabuar e komunikimit të riskut me publikun! Këtu politika angleze futi hundët sërish dhe i erdhi ideja e mrekullueshme që ta deklaronte në parlament në dhjetor si një nga arsyet pse duhej mbështetur “lockdoën” në fundvit. Pra, sërish duke luajtur kartën e frikësimit të popullatës globale dhe jo atë të ndërgjegjësimit të popullatës.
Pasojat i dimë të gjithë. Panik global dhe goditjen kryesore e mori pikërisht Anglia sipas proverbit “Goja llap e shpina dap”. Kjo ndodh kur e trajton popullatën si fëmijë të paaftë për të kuptuar, dhe jo si të rritur që kuptojnë shumë qartë nëse ua shpjegon situatën me racionalitet. Nëse i trajton si fëmijë, edhe popullata përgjigjet si fëmijë me mosbindje, teka, ankesa, të qara, pakënaqësi, etj.
Nëse i trajton si të rritur, do të ndodhë pikërisht e kundërta dhe fillon bashkëpunimi, sheshimi i mosmarrëveshjeve, krjimi i zgjidhjeve, etj. Hapi më i rëndësishëm dhe pyetja kyçe është: A ndryshon mjaftueshëm virusi sa të mos e njohë vaksina? Sërish futet në veprim kërkimi shkencor dhe studiuesit e Universitetit të Teksasit (SHBA), gjithashtu studiues të vaksinës së PFIZER, japin përgjigje të qartë!
Lajmi i mirë është se: “MUTACIONI N501Y NEUTRALIZOHET NJËSOJ NGA VAKSINA BNT162b2 (PFIZER)” . Autorët morën në studim mostra serike nga 20 persona të vaksinuar me vaksinën Pfizer. Në këto mostra serike u injektua të dy variantet, ai i njohur N501, dhe i riu Y501. Rezultati: asnjë diferencë në aftësinë neutralizuese të antitrupave të prodhuar nga vaksina Pfizer.
Pra, miqtë e mi, sipas shprehjes italiane “mos e fashoni kokën përpara se të vri teni”, rrini të qetë dhe mos dëgjoni çdo lajm që vjen nga televizori. Mbani veshët hapur karshi njoftimeve shkencore zyrtare dhe jo ndaj deklaratave të personazheve politike. Deri më sot nuk kemi arsye për ta fashuar kokën nga ky variant i virusit. Forca miq, shtrëngoni dhëmbët edhe pak dhe fikni televizorët!
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!