Viti 2021 nisi me disa ndryshime drastike në sistemin tatimor, që prekin shumë biznese dhe individë.
Advertisements
Së pari, bizneseve të vogla nga 1 janari u është hequr tatimi mbi fitimin, një taksë që shkonte në favor të arkave të bashkive. Reduktimi do të sjellë një kosto prej 5,2 milionë eurosh, por që shumë bashki kanë vendosur ta kompensojnë duke rritur tarifat e ndryshme vendore.
Po ashtu, bizneset e vogla me xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë, së bashku me të gjithë profesionet e lira si avokatët, noterët, ekonomistët, etj. do të jenë të përjashtuara nga skema e TVSH-së, duke kursyer në total 32 milionë euro.
Advertisements
Por një ndryshim edhe më drastik është rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë, që prek 28 deri në 40% të të punësuarve në vend. Kjo përbën një kapërcim me 15% nga niveli i mëparshëm, që përkthehet në një kosto shtesë për kontributet shoqërore dhe shëndetësore prej 4500 lekësh në muaj për çdo të punësuar dhe vetëpunësuar. Në total, buxheti i shtetit do të arkëtojë të paktën 24 milionë euro më shumë këtë vit nga kjo rritje.
1 janari solli zyrtarisht edhe nisjen e reformës së fiskalizimit, ku të gjitha sipërmarrjet që ndërveprojnë me institucionet publike për punë, mallra apo shërbime do të duhet të lëshojnë faturë elektronike. Teksa qeveria me shtrirjen e këtij procesi për të gjitha bizneset deri në Shtator pret një rritje të ndjeshme të të ardhurave, vetë biznesi do të duhet të përballet me kosto të rritura.
Të gjitha këto ndryshime do të ndodhin në një vit kritik, jo vetëm për shkak të situatës së pandemisë, por edhe për shkak të ndikimit që fushata elektorale do të ketë në jetën ekonomike dhe kur niveli i lartë i borxhit publik nuk lejon më asnjë mundësi për ngjarje të paparashikuara.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!