Grupi “Kastrati”, më i madhi në vend, është në negociata për të blerë aksionet e kompanisë kineze, “Real Fortress Private Limited”, e cila zotëron 100% të aksioneve të “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Advertisements
“Monitor” ka mësuar se palët janë në negociata dhe transaksioni pritet që të përfundohet gjatë javës së ardhshme.
Të kontaktuar nga Monitor, burimet zyrtare të “Tirana International Airport” nuk bënë asnjë koment.
Advertisements
Grupi kinez, i shërbimeve financiare China Everbright, njoftoi ne prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes filialit të saj “Real Fortress Private Limited”. Të drejtat koncesionare u blenë nga tre aksionerët Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”, DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”), që kishin nënshkruar një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare në vitin 2004. Çmimi i shitjes së kuotave te kompania kineze ishte 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.
Kastrati është grupi më i madh në vend, me aktivitetin kryesor në fushën e tregtimit me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, por që vitet e fundit është diversifikuar, kryesisht në sigurime, në sektorin e ndërtimit dhe turizmit dhe tashmë po hyn dhe në transportin ajror, përmes aeroportit.
Në vitin 2019, qarkullimi vjetor i grupit iu afrua 90 miliardë lekëve (730 milionë eurove), duke shënuar vitin më të mirë historik, pas një rritjeje të të ardhurave me rreth 5%.
Në 2019-n, Kastrati kaloi si grupi më i madh dhe për fitimet. Kompanitë kryesore të grupit “Kastrati group” (tregtim me shumicë i naftës), “Kastrati shpk” (tregtim me pakicë i naftës), “Alb-Siguracion” (sigurime) dhe Autostar Albania (tregtim dhe shërbime ndaj automjeteve) raportuan në total, një fitim prej 3.1 miliardë lekësh (25 mln euro), me rritje prej 12% me bazë vjetore.
Grupi Kastrati zotëron dhe 50% të aksioneve Albanian Highway Concession, që menaxhon koncesionin e rrugës së Kombit.
TIA, deri përpara pandemisë, ndër më fitimprurëset në vend
“Tirana International Airport” deri në vitin 2019 ishte një nga sipërmarrjet më fitimprurëse në vend, me një normë fitimi që arrinte deri në gati 50%.
Në 2019-n, kompania raportoi të ardhura prej gati 7 miliardë lekësh. Fitimi para taksave i kompanisë ishte 3.1 miliardë lekë, pothuajse i njëjtë me vitin e mëparshëm, duke u renditur e treta më e madhe në vend sa u përket fitimeve, pas BKT dhe Raiffeisen. Norma e fitimit ra në 45%, nga 49% vitin e mëparshëm, për shkak të rritjes më të ngadaltë të të ardhurave në raport me shpenzimet. Në vitin 2019, TIA përpunoi një nivel rekord pasagjerësh prej 3.1 milionë.
Qeveria ka qenw në negociata me koncesionarin e Rinasit për uljen e tarifave, pasi nga auditimet ka rezultuar se kompania koncesionare ka fituar më shumë të ardhura nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar.
TIA po rezulton ndër më të goditurat nga COVID-19 në vitin 2020, për shkak të pezullimit të përkohshëm të fluturimeve në tremujorin e dytë dhe tkurrjes së fortë në muajt e tjerë të 2020-s. Sipas INSTAT, për periudhën janar-tetor 2020, numri i fluturimeve ka rënë me mbi 46% dhe transporti i pasagjerëve përmes ajrit është tkurrur me gati 60%, me bazë vjetore.
Koncesioni i aeroportit të Rinasit, të paktën deri në vitin 2027
Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20-vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë.
Në tetor 2016 u finalizua shitja e kuotave të koncesionit tek kompania REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED, një kompani offshore me seli në Singapor, q u raportua se ishte pjes e grupit kinez, China Everbright.
Në mars të vitit 2016 qeveria shqiptare njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me kompaninë që menaxhonte aeroportin duke hequr kështu ekskluzivitetin, ngërçin që pengonte hapjen e aeroporteve të tjerë.
Heqja e ekskluzivitetit i dha TIA-s dy vite shtesë nga koncesioni duke çuar afatin e ri në 2027 për përfundimin e kontratës, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit, i cili akoma është jo funksional, por po punohet për të bërë të mundur vënien në punë të tij. Në prill 2019, Qeveria miratoi kontratën për koncesionin 35-vjeçar të Aeroportit të Kukësit, ku fitues doli bashkimi i përkohshëm i kompanive Global Technical Mechanics sh.p.k. dhe Bami sh.p.k.
Nëse do të hyjë në funksion edhe Aeroporti i Vlorës, tenderi i të cilës është shtyrë disa herë, TIA mund të marrë 2.5 vjet të tjera shtesë. Ndërkohë, burime pranë negociatave thanë se pas marrjes së koncesionit nga Kastrati mund të ketë një tjetër shtyrje të afateve.(Monitor)
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!