Ndryshimet në Kod/ Opozita çon propozimet: Të mos preken koalicionet

Opozita e bashkuar ka depozituar në Këshillin Politik një draft në të cilin propozohet që formula e koalicioneve të mbetet siç është aktualisht dhe lista të hapet 100%.

Advertisements

Ndërkohë, gjithashtu referuar marrëveshjes së 14 janarit, PD-ja e LSI-ja dhe aleatët e vegjël i qëndrojnë kërkesës së tyre që për këto pika që nuk ka konsensus, t’i drejtohen OSBE-së.

Dje në mbrëmje përfaqësuesit të maxhorancës, Damian Gjiknurit, i ka mbërritur një e-mail nga dy kolegët e tij të Këshillit Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, në të cilin argumentohet se përse ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut pa dakordësinë e opozitës politike nuk pengojnë koalicionet sipas formulës aktuale. Bylykbashi dhe Vasili argumentojnë se më 30 korrik, me riformulimin e nenit 68 të Kushtetutës, u hoq “koalicioni” si subjekt zgjedhor me të drejtë propozimi të kandidatëve, por ata shtojnë se që nga 2003-shi në kodin zgjedhor me marrëveshje të PS-së e PD-së koalicionet nuk kanë pasur të drejtë të propozojnë kandidatë për deputetë. Ato bëhen nga partitë dhe nga qytetarët. Kështu, sipas Bylykbashit dhe Vasilit, në Kushtetutë është rregulluar diçka që ka qenë faktike.

Advertisements

“Me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë më 30 korrik 2020, Kuvendi ka hequr nga neni 68 i Kushtetutës koalicionet zgjedhore të partive politike si subjekt me të drejtë propozimi të kandidatëve për zgjedhjet për Kuvendin. Në fakt, këtë të drejtë koalicionet parazgjedhore nuk e kanë pasur në Kodin Zgjedhor që nga viti 2003, sepse sipas Kodit Zgjedhor, kandidatët mund të propozoheshin vetëm nga zgjedhësit dhe partitë politike. Në këtë kuptim, ndryshimi i njëanshëm kushtetues nuk ka bërë asgjë tjetër vetëm sa ka rregulluar një situatë faktike dhe që ka ekzistuar si e tillë që nga viti 2003! Për këtë arsye, dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi lidhur me rregullat e koalicioneve parazgjedhore dhe formulës së shpërndarjes së mandateve janë tërësisht në përputhje me Kushtetutën në fuqi”, theksojnë dy anëtarët e Këshillit Politik.

Në vijim, dy përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik shtojnë se ndryshimi i Kushtetutës më 30 korrik nuk e ka hequr koalicionin si një e drejtë e organizimit. Neni 96 i Kushtetutës parashikon që pas zgjedhjeve, koalicionet të propozojnë mandatarin për Kryeministër.

KUNDËRSHTITË PËR DRAFTIN E PS

Teksa argumentojnë se koalicionet tradicionale nuk ndalohen nga Kushtetuta edhe pas ndryshimeve të njëanshme, dy ish-deputetët e opozitës akuzojnë maxhorancën se propozimi i tyre i depozituar në Kuvend për koalicionet është antikushtetues. “Në propozimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, me justifikimin se Kushtetuta ju detyron të ndryshoni dispozitat e koalicionit, ju propozoni një model krejt të ndryshëm të koalicionit.

Me këtë propozim, ju kërkoni që modeli i koalicionit të jetë ai me ‘listë të përbashkët’. Theksojmë se ky model u shfuqizua me konsensus PS-PD në reformën e vitit 2003 dhe u zëvendësua me modelin në fuqi. Justifikimi juaj se këtë jua dikton ndryshimi i njëanshëm kushtetues është i pabazë. Ritheksojmë se neni 68, i ndryshuar më 30 korrik 2020, apo ndonjë dispozitë tjetër kushtetuese, nuk përcaktojnë ndonjë lloj të posaçëm koalicioni që duhet zbatuar në Kodin Zgjedhor, dhe as diktojnë ndryshimin apo modifikimin e mekanizmit ekzistues të funksionimit të koalicioneve dhe shpërndarjes së mandateve.

Me këtë propozim ndryshohen dhe dispozitat përkatëse për regjistrimin e koalicionit, shfaqjen në fletën e votimit, marrjen e votave, formulën dhe mënyrën e përllogaritjes së rezultatit dhe shpërndarjes së mandateve, të gjitha këto pjesë të sistemit zgjedhor në kuptimin e ngushtë të fjalës. Për sa më sipër, opozita e përfaqësuar në Këshillin Politik sipas marrëveshjes së 14 janarit 2020 konsideron se propozimet e Partisë Socialiste të depozituara në Kuvend dhe përpara Këshillit Politik janë në kundërshtim me parimet europiane për zgjedhje demokratike dhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Për këto arsye, opozita e kundërshton këtë ndryshim ligjor të modelit koalicioneve të propozuar nga Partia Socialiste dhe tekstin legjislativ që e zbaton atë”, theksojnë dy përfaqësuesit e opozitës.

KËRKESA PËR ODHIR

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve të ardhshme, opozita shprehet se ndryshimet që propozon maxhoranca nuk mund të bëhen, pasi jemi më pak se një vit nga zgjedhjet, dhe sipas rekomandimeve të praktikave të mira dhe nga VENECIA, nuk janë të rekomandueshme. Ndaj, ata ërkojnë që të merret opinion i OSBE/ ODHIR-it. “Ndodhur përpara kësaj mosmarrëveshje midis palëve në Këshillin Politik, opozita ka kërkuar zyrtarisht zbatimin e mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të parashikuar nga marrëveshja e 14 janarit 2020, ku theksohet se “në rast mosdakordësie për çështje të caktuara, Këshilli Politik i drejtohet për asistencë të specializuar OSBE/ODIHRit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme”. Çdo përpjekje nga ana juaj për të penguar këtë rrugë të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët, në përputhje me parimet europiane për zgjedhje demokratike, cenon marrëveshjen e 14 janarit 2020″, theksojnë dy ish-deputetët.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakHumb jetën nga Covid shqiptari në Greqi
Artikulli tjetërDisa javë në protestë, 10 naftëtarët e Ballshit hyjnë në grevë urie, gratë gati t’u bashkohen