COVID në shkolla/ Flet mjekja pediatre: Tetë fëmijë të shtruar, ende s’është reflektuar në shifra, por

Rikthimi i nxënësve në banka deri më tani nuk ka dhënë asnjë impakt shtesë në rritjen e infektimeve.

Advertisements

Pa u bërë ende dy javë nga hapja e shkollave, po aq kohë sa i duhet virusit të shfaqë simptomat, pritshmëritë duken të mira, sipas mjekes pediatre Gjeorgjina Kule. Por edhe pse numri i fëmijëve të infektuar është në të njëjtat nivele si përpara fillimit të shkollës, Kule nuk përjashton shtim të numrit të rasteve në ditët në vijim.

“Deri tani nuk kemi ndjerë një rritje të fëmijëve që shprehin shenjat e virusit apo janë konfirmuar me infeksionin COVID-19. Ndoshta do të duhet të presim edhe pak, pasi periudha e inkubacionit shkon deri në dy javë, por momentalisht ritmi është i njëjtë me periudhën e gushtit dhe fillimit të shtatorit. Duke qenë se është një event i ri social, siç është pjesëmarrja në shkollë, jemi të përgatitur edhe për një shtim të numrit të rasteve. Sidoqoftë, nuk kemi modele epidemiologjike të mirëpërcaktuara, por presupozohet që frekuentimi në shkolla dhe institucione të tjera fëmijërore, duke pasur kontakte të afërta midis fëmijëve, pavarësisht nga protokollet shumë strikte, mund të ketë ndikim”

Advertisements

ROLI I SHKOLLËS

Një tjetër e dhënë interesante që dikton rolin e shkollave në përhapjen e COVID është se në rastet e adresuara në spital, asnjë prej fëmijëve nuk ka frekuentuar shkollën, duke konstatuar se këto të fundit nuk kanë shërbyer si burim infektimi. “Kemi tetë fëmijë të shtruar me komplikacione, me infeksione të rrugëve respiratore, madje dhe me disa komplikacione të aparateve të tjera. Por situata është nën kontroll. Asnjëri nuk është në kushtet e mjekimit në terapi intensive.

Hospitalizimet e fëmijëve me infeksionin SARS-COV 2 gjatë këtyre ditëve kanë qenë fëmijë të moshës së vogël, para moshës shkollore. Pra, indirekt kemi konstatuar se infeksioni tek ata ka kaluar nga pjesëtarë të tjerë të familjes, jo nga motrat dhe vëllezërit që kanë shkuar në shkollë”, pohon Kule me rezerva, për shkak se ende nuk janë bërë dy javë nga nisja e shkollës, që është edhe periudha e inkubacionit.

APELI PËR PRINDËRIT

Përkundrejt gjithë vështirësive që hasin mësues dhe mjekë për shkak të pandemisë, përballen edhe me një handikap të ri, manovrat e prindërve për të fshehur një gjendje jo të mirë shëndetësore të fëmijëve. “Po vëmë re te prindërit një tendencë. Në momentin që fëmijët janë me pak temperaturë i dërgojnë në shkollë, pasi u japin paracetamol.

Në situatën e tanishme, kjo nuk është e rekomandueshme apo e lejueshme, sepse çdo fëmijë me temperaturë, potencialisht mund të jetë i infektuar dhe mund të bëhet burim infeksioni për fëmijët e tjerë”, deklaroi mjekja pediatre, duke apeluar për kujdes dhe vigjilencë jo vetëm nga ana e shkollave, por edhe familjeve, të cilat duhet t’iu nënshtrohen gjithashtu rregullave strikte.

“Distanca, larjet e duarve dhe mbajtja e maskave aty ku ka mundësi, pasi klasat janë zvogëluar, mësimi bëhet me turne. Kështu, mundësi për të kufizuar infeksionin nga ana epidemiologjike kemi. Por ajo varet nga sjellja e gjithsecilit. E kuptoj që fëmijët janë pak më të vështirë për të ruajtur rregullat, por nga observimet që kemi bërë në ditë e para, do të thosha që fëmijët e zbatojnë më me rigorozitet se sa prindërit e tyre”.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprak“E kanë dë nuar me bu rg, por është akoma në detyrë”, qytetari e denoncon publikisht, ja pergjigja e Ramës
Artikulli tjetërNe qiell te hapur nga tërmeti/ Ja familjet që përfitojnë nga bonusi i qirasë, do të marrin 18-22 mijë lekë/muaj