Sipas një studimi të Eurostat dhe Instat, rezulton se Shqipëria renditet e pesta në Europë sa i takon numrit të vdekshmërisë që vjen prej sëmundjeve të zemrës dhe tensionit, me 53.7% të totalit të vdekjeve. Mjeku kardiolog Petrit Vargu tha se në 30 vitet e fundit shqiptarët kanë ndryshuar plotësisht stilin e jetës, duke u bërë më dembelë dhe duke u ushqyer keq.
Advertisements
Sipas tij, rritja e mirëqenies ekonomike për disa, por edhe shtimi i stresit ka çuar në prishjen e strukturës së mënyrës së jetesës. “Papritur dhe pa e kuptuar kemi ndryshuar mënyrën e jetesës, jemi bërë më dembelë, kujdesemi më pak për veten, më shumë për punën. Kemi shkatërruar dietën, pasi tani njerëzit kanë më shumë mundësi financiare dhe disa e gjejnë mundësinë të hanë nëpër restorante. Më parë kishim një varfëri dinjitoze.
Udhëtojmë më shumë me makinë dhe kur nuk ke edukatën e duhur ndodh që e gjithë struktura e mënyrës së jetës së popullsisë është prishur. Një shqiptar sot ka një gjendje ankthi dhe stresi më të madh se përpara. Kjo rrit kortizonin, i cili rrit nivelin e inflamacionit duke çuar në krijimin e trombozave që sjellin sëmundje ishemike. Kemi një ndryshim në mënyrën si ushqehemi, ne më shumë hamë se sa ushqehemi.
Advertisements
Kjo sjell rritje të kolesterolit në gjak. Kemi rritur edhe sasinë e ushqimit, ngaqë kemi më tepër, por edhe për shkak të stresit”, tha mjeku. Ai rekomandoi që shqiptarët si popull mesdhetar duhet t’i kthejnë sytë nga dieta mesdhetare, teksa këshilloi që të konsumohen sa më shumë fruta, perime, disa kokrra fruta të thata në ditë dhe vaj ulliri. “Për këtë jetë sedentare që bëjmë duhet të pimë shumë ujë dhe për moshat mbi 40 vjeç të shtojmë një aspirinë në ditë”, tha mjeku.
Top Channel
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!