Dasmat nuk ndalen mes pandemisë, ahengje deri në 4 ditë. Familjarë dhe pronarë lokalesh korruptojnë policinë

Nëse ju ka qëlluar të shikoni foto apo video dasmash në rrjetet sociale këto ditë, dijeni që nuk jeni të vetmit. Edhe pse ndodhemi në mesin e një krizë shëndetësore globale, fotot e nuseve, vellove dhe dasmave madhështore që kanë pushtuar rrjetet sociale nuk janë nga arkivi.

Advertisements

TIRANË– Duke qenë se po përballemi me klime të egër pandemie, dasmat, fejesat apo gostitë ndalohen, por kjo nuk i ka penguar shumë administratorë lokalesh dhe çifte të reja, të ecin përpara me planet e tyre, të shtyrë shpesh edhe nga zakonet shqiptare se data e dasmës nuk shtyhet apo kthehet sepse do t’u sjellë fat të keq të sapo-martuarve. Por kjo nuk do të thotë se të gjithë të sapo-martuarit në këtë periudhë e kanë nisur me “këmbën e mbarë”.

Shumë prej rasteve me Covid-19 të zbuluara kohët e fundit kanë qenë mysafirë nëpër dasma dhe festa të tjera familjare. Njëra prej tyre, një 32 vjecare nga Shkodra ndërroi jetë disa muaj më parë pasi kishte marrë pjesë në një dasmë, ndërsa një 45-vjeçar nga Tirana ndërroi jetë pasi u infektua në një festë në Durrës.

Advertisements

Areti Beruka, drejtuese e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në Tiranë i thotë Gazetës “Si” se ka një akt normativ që ndalon edhe dasmat. “Po, janë të ndaluara të gjitha grumbullimet që nga morti, konferencat dhe dasmat. Pra, nuk lejohen më shumë se 10 vetë në ambient të hapur. Dhe i kontrollojmë me Policinë e Shtetit, ndërkohë gjoba është 10 milionë lekë” thekson Beruka.

Megjithatë, as rritja e numrit të të infektuarve dhe as urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë nuk i ka bindur qytetarët të shmangin dasmat dhe ceremonitë e tjera; ata duket se ua “kanë gjetur anën” edhe autoriteteve policore.

Gazeta “Si” mëson se në dasmën e fundit që do të mbahet në një lokalet e zonës së Saukut, i cili i përket një prej të afërmëve të një politikani, familjet e të sapomartuave korruptuan policët e zonës, në mënyrë që të shmangin kontrollet, por edhe të mund të mbanin, ashtu sic e kërkon “zakoni”, aheng në shtëpi për 4 ditë rresht. Kjo dasmë, mbledh më shumë se 200 të ftuar, (100 në dasmën e nuses të shtunën dhe më shumë 100 në atë të dhëndrit të dielën.

Të dyja do të mbahen në të njëjtin lokal dhe në ambient të mbyllur edhe pse rezorti ofron edhe ambient të hapur. Sigurisht, duke qenë se rrezikon të gjobitet, ai i ka kërkuar dy familjeve të çiftit gati dyfishin e parave për mbajtjen e dasmës atje.)

“Ne do të shpërndajmë maska dhe alkool në fillim të dasmës, çdo tavolinë ka dezinfektues, madje të ftuarit janë të lutur të vendosin doreza kur dalin në valle”, i thotë një prej familjarëve në kushte anonime Gazetës.

“Më kanë kërkuar shumë njerëz ta anuloj, por nuk do ta lë djalin pa dasmë”, shton ai.Kjo është vetëm një nga shembujt që tregon se dasmat, të cilat ekspertët i kanë cilësuar si bomba epidemiologjike, nuk po mbahen as fshehurazi dhe as në mënyrë të kufizuar. Edhe pse policia ka ndëshkuar me 10 milionë lekë gjobë disa pronarë lokalesh në Durrës, Lezhe dhe Tiranë, shumë janë mbajtur dhe duket se do të vazhdojnë të mbahen gjatë gushtit dhe më tej.

Dhe kjo është skemë që po përdoret në të gjithë vendin; bashkëpuno me policinë dhe vijo ahengun familjar i qetë.

Pse dasmat janë kaq të rrezikshme dhe përse qytetarët nuk po i binden autoriteteve?

Erion Dasho, ekspert i Shëndetit Publik thotë se të gjitha aktivitetet në mjedise të mbyllura, sidomos ato ku marrin pjesë një numër i madh personash, të cilët për shkak të natyrës që ka dasma nuk mund të respektohet distanca sociale, ka të folur me zë të lartë, të kënduar, përbën një aktivitet me risk të lartë. Sipas tij, qytetarët nuk po i binden më Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të panikut të krijuar gjatë karantinës, duke bërë që autoritetet të humbin besimin e njerëzve.

“Çështja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe distancimit që është krijuar mes ministrisë dhe qytetarëve, apo e faktit që qytetarët nuk janë bashkëpunues, nuk i respektojnë rekomandimet. Nuk është diçka që ka filluar kohët e fundit. Kjo është krijuar që prej periudhës së karantinës kur Ministria dhe komiteti i ekspertëve, në vend që të përdornin periudhën për të fituar besimin e qytetarit, e përdorën për ta frikësuar qytetarin në mënyrë të pakuptimtë”, shprehet Dasho për Gazetën Si. “Vendosën më tepër se ç’duhej masat e karantinës dhe qytetari sot është mos besues edhe kur merr mesazhe qe janë të drejta, siç është mesazhi për mbajtjen e maskave në mjedise të mbyllura, si i ndalimit te ceremonive apo edhe ruajtja e distancimit social. Të gjitha këto janë masa të drejta të cilat qytetarët duhet t’i zbatojnë duke mbrojtur veten dhe të afërmit”, shprehet ai.

Sipas ekspertit, fatkeqësisht Ministria e Shëndetësisë ende nuk po e kupton se duhet të vendosë partneritet me qytetarin, partneritet që do të duhej të krijohej nëpërmjet një strategjie të qartë komunikimi që nuk vendoset as nëpërmjet masave frikësuese, as nëpërmjet kërcënimeve për gjoba, por nëpërmjet një strategjie komunikimi, bashkëkohore dhe të integruar.

Marrë nga GazetaSI

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakSHBA-ja regjistron mbi 1,400 vdekje nga koronavirusi
Artikulli tjetërE turpshme te Tirana, shkelma dhe gru shte mes dy lojtarëve para finales së Kupës