Duke iu referuar rritjes rekord të shifrave të të infektuarve në Shqipëri, eksperti i shëndetit publik, mjeku Erion Dasho gjithsesi mendon se kjo nuk është pasqyra reale e epidemisë.
Advertisements
Sipas tij, i vetmi orientim “deri diku i saktë vjen nga numri i personave që humbin jetën”.
Mjeku parashikon se mund të arrihet që vendi të përballet me rreth 600 raste të reja në ditë. Kjo do e çonte në limitet e asaj çka mund të përballojë, sistemin shëndetësor.
Advertisements
“Me një mesatare prej 3 vdekje në ditë, duke ditur shkallën e vdekshmërisë prej 0.5%, përllogaritet se në popullatë mund të ketë rreth 600 raste të reja në ditë, çka përkthehet në rreth 30-40 shtrime në spital, prej të cilëve 5-10 raste mund të kenë nevojë për kujdes intensiv. Shifra këto që, në se materializohen, ndodhen në limitet që mund të përballojë sistemi shëndetësor shqiptar”, shkruan Dasho.
Postimi i plotë i Erion Dasho:
COVID-19: KOHA PËR VEPRIM PROFESIONAL DHE TË PËRGJEGJSHËM!
Fatkeqësisht, numri i rasteve me COVID në Shqipëri sa vjen e rritet. Në mungesë të testimeve, numri i rasteve të raportuara nuk e pasqyron gjendjen reale të epidemisë dhe i vetmi orientim deri diku i saktë vjen nga numri i personave që humbin jetën. Nisur nga ky numër, mund të bëhen disa ekstrapolime të përafërta si vijon.
Me një mesatare prej 3 vdekje në ditë, duke ditur shkallën e vdekshmërisë prej 0.5%, përllogaritet se në popullatë mund të ketë rreth 600 raste të reja në ditë, çka përkthehet në rreth 30-40 shtrime në spital, prej të cilëve 5-10 raste mund të kenë nevojë për kujdes intensiv. Shifra këto që, në se materializohen, ndodhen në limitet që mund të përballojë sistemi shëndetësor shqiptar.
Ç’duhet bërë në këto rrethana?
Së pari, duhen marrë urgjentisht masa duke aktivizuar trinomin Testo-Gjurmo-Trajto:
– Të testohet më shumë
– Të gjurmohen kontaktet me metoda inteligjente
– Të forcohen kapacitetet trajtuese në çdo nivel të sistemit shëndetësor
Së dyti, duhen korrigjuar gabimet e bëra deri tani që kanë mundësuar transmetimin e COVID në spitale, administratë, mjedise shërbimi, biznese dhe transport.
Së fundi, duhet rindërtuar marrëdhënia e besimit me publikun e cila u dëmtua rëndë gjatë tre muajve të karantinës. Pa një publik bashkëpunues nuk mund të kapërcehet situata.
SITUATA LIDHUR ME COVID NUK ËSHTË OPTIMISTE, POR ME MASA TË SHPEJTA DHE TË FOKUSUARA MUND TË KORRIGJOHET.
VEÇSE ÇDO DITË QË KALON E BËN MË TË VËSHTIRË ZGJIDHJEN DHE VENDOS NË RREZIK SHËNDETIN DHE JETËN E QYTETARËVE.
KOHA PËR VEPRIM ËSHTË TANI!
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!