Falsifikoi dokumentet, Apeli rikthen në detyrë Luan Dacin

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi dje rikthimin në detyrë për gjyqtarin e Kolegjit të Posaçëm, Luan Daci.

Advertisements

Në seancën e djeshme u rrëzua vendimi i dhënë nga Gjykata e Posaçme për pezullimin e Dacit nga detyra. Gjyqtari i KPA-së u vu nën akuzë për falsifikim dokumentesh, gjatë aplikimit për postin e lartë në sistemin e drejtësisë. Por, sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, nuk mund të pengojë që gjyqtari Luan Daci të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, deri sa Prokuroria e Posaçme të përfundojë hetimet.

Në vendimin e dhënë mesditën e djeshme, Gjykata e Posaçme e Apelit nuk i bëri të ditura arsyet e rrëzimit të vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë dhe rikthimin e Dacit në detyrë. Trupa gjykuese që vendosi rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë kryesohej nga gjyqtari Dhimitër Lara dhe anëtarë, Nertina Kosova dhe Sokol Binaj. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, përfaqësohej nga prokurori Altin Dumani.

Advertisements

Ndërkohë, pas përfundimit të seancës, avokati i Luan Dacit, Andi Duraj, është shprehur se mbrojtja e tyre në këtë proces është bazuar në thelbin e mbrojtjes së gjyqtarit të Kushtetueses, parashkrimin e masës disiplinore dhe në faktin se një kërkesë e thjeshtë si ajo për punësim nuk përbën një dokument. Sakaq, në seancën e djeshme ka qenë i pranishëm edhe vetë gjyqtari Luan Daci, i cili në përfundim nuk preferoi ta komentonte vendimin e dhënë së fundmi nga Gjykata, apo akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Tashmë, me vendimin e dhënë në Apel, Dacit iu hap rruga për t’u rikthyer në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të vazhdojë shqyrtimin e dosjeve të lëna pezull, që prej kohës kur ai u pezullua nga detyra me kërkesë të SPAK-ut.

AKUZA NDAJ GJYQTARIT

Më 20 maj, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi se Daci ishte marrë i pandehur për falsifikim dokumentesh gjatë aplikimit të tij për pozicionin e anëtarit të KPA-së. “Në aplikimin e kryer prej tij në datën 3 shkurt 2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ai ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë masa disiplinore ‘largim nga puna’ në vitin 1997″, deklaroi SPAK. Paralelisht me procedimin, SPAK mori në Gjykatë masën e pezullimit nga detyra të Luan Dacit. Pas masës së sigurisë në Shkallën e Parë, avokatët Andi Duraj dhe Jordan Daci e cilësuan si të paligjshme akuzën dhe masën e pezullimit të Gjykatës.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprak‘Gjobat e larta, kèrcènim për të ushtruar presion në…’/ “Venecia” rrëzon për herë të dytë brenda muajit qeverinë
Artikulli tjetërRritje e frikshme në Maqedoni, shifër rekord të të infektuarve me Covid-19