“Nuk u mësua dot të jetojë pa detin”/ ‘Sakrifica’ e plakut për të birin që ka në Gjermani

Jo më kot thuhet se jeta është dashuri plus gjërat e tjera. Deti u qetua dhe më. Mbase u gëzua që on line shkoi deri larg në Allemanjë ose mbase që dikush nga larg i shpreh atij besnikërinë pasionante…
Tregimi i së dielës: E pashë dhe pardje,ashtu si vjet e para disa vitesh,ulur te shkëmbi buzë detit. Dhe fliste. Fliste e fliste. Dëgjoja copëra fjalësh që “lageshin” nga dallgët e nuk nxirrja dot kuptimin e tyre. Ai plak,jo aq plak,e kishte zakon muhabetin me detin. Mbase e quante shok e sa të rrinte me llogje në kafene,qëndronte ulur mbi shkëmb. Si i vendosur mbi podium u drejtohej dallgëve me fjalime. Madje me zë të lartë. Mund ta merrje dhe si të luajtur nga mendja,por rrëzohej kjo hipotezë nga që bashkëmosharët e përshëndesnin me dorë e nuk u bënte përshtypje dialogu i tij me detin.

Advertisements

Pyeta një ditë Liron,një fqinjin tim te shtëpia verore. Ai qeshi e iku. Nuk më shpjegoi gjë. Ma la enigmë. Ndaj dje iu avita e po bëja sikur s’e kisha mendjen te ai. Gjoja po shihja celularin tim. Deti ishte qetësuar,kishte rënë era dhe dallgët qenë zbutur. Ashtu si puthjet pas seksit. Nisa të dëgjoj fjalë të plota.-Mirë,mirë jemi. Mbrëmë gjumin e kam bërë me copa,ka qënë i térbuar deti. Nga që mungon ti prej kaq e kaq vitesh,-fliste plaku. Atë çast mendova se ky njeri do ishte çakorduar nga mendja. Më ngjau me xha Andonin,që fliste me vete edhe kur ecte rrugës,edhe kur rrinte në ballkon.
-Dalin për peshk plot varka. Edhe Genti çdo natë andej nga Karaburuni gjuan,-vazhdonte plaku. E shuajta kurreshtjen e doja të çohesha,por plaku me fytyrë nga deti vazhdoi:
-Po bëhen gati plazhet. Nuk do vish dot sivjet se aeroplanët i ka bllokuar qielli,po detin nuk ta ndaj,çdo muzg aty e ke…
Plaku u çua dhe erdhi drejt meje. Zgjati dorën,ia zgjata dhe unë,por ai e kaloi mbi kokën time dhe te dega e pemës ku isha mbështetur mori diçka të zezë,celularin e tij. E fërkoi me pëllëmbën e madhe dhe e shtiri te xhepi i xhaketës. Buzëqeshi një çast e më tha:
-Vij çdo ditë te deti. Edhe më parë se e kam shok të ngushtë. Por ka ca vjet që ma ka caktur djali si punë me detyrim. Ai ka emigruar në Gjermani. Mirë është me shëndet e familje. Më mungon shumë ti dhe nëna,më thotë,por më shumë më mungon deti. Se u rrit ja mes këtij uji e këtyre dallgëve,u lumturua kur mësoi not apo kur zuri peshkun e parë. Mësoi gjermanisht,mësoi zanat atje,por nuk u mësua dot të jetojë pa det. Ndaj vij në muzg,kur ai del nga puna,vendos celularin te dega e pemës,hap kamerën e ia çoj në Gjermani detin e tij. Në fillim qante,tani ngazëllehet e kur vonohem pak më thotë,po ç’u bëre mo burrë?
Nuk priti të flisja. Vuri duart prapa dhe kokëulur u nis sipër,te pallatet e reja.
Nuk mësohem pa det është dhimbje,uri shpirti,pragkrize. Ndaj babai si mjeku i urgjencës ia jep trinitinën çdo muzg,sa vjen ora që dita e nata ngërthehen mes tyre. Gjermania është jeta,siguria,lumturia. Deti është dashuria. Jo më kot thuhet se jeta është dashuri plus gjërat e tjera. Deti u qetua dhe më. Mbase u gëzua që on line shkoi deri larg në Allemanjë ose mbase që dikush nga larg i shpreh atij besnikërinë pasionante…

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

Advertisements

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprak“E kupton rëndesinë e jetes kur je afër fundit”/ Megi s’po dorëzohet, historia e 22-vjeçares që vuan nga kanceri, shkrimtari: Po harton projektin “RREZE”
Artikulli tjetër856 të infektuar dhe 31 viktima/ Tritan Kalo: Virusi nuk ka hyrë që në janar, grafitë e publikuara të mushkërive nuk kanë lidhje me koronavirusin