Në video-mesazhin e radhës përmes rrjeteve sociale, përpos mbarëvajtjes së deritanishme të mësimit nga shtëpia për nxënësit e sistemit parauniversitar, Ministrja Besa Shahini ka dhënë edhe një lajm të mirë që vjen nga universitetet:
Advertisements
“40 mijë studentë tashmë kanë kaluar në mësim online. Janë mbi 1 mijë lëndë që kanë kaluar në mësim online”, nënvizon ajo ndërsa shprehet se: “Pedagogët po punojnë jo vetëm duke përdorur email-in apo rrjetet sociale, por edhe platformat e ndryshme që janë në dispozicion falas. Është Zoom, Google Classroom, EZtalks – janë disa nga platformat që po krijojnë edhe klasën virtuale, ku pedagogu mund të bëjë edhe biseda me studentët e vet dhe e riprodhon formatin e një klase të zakonshme”.
Sakaq, Ministrja Shahini u jep përgjigje edhe pyetjeve të ardhura nga maturantët dhe nga nxënësit e klasave të nënta për sa i përket provimeve kombëtare:
Advertisements
“Dua të nënvizoj edhe njëherë se është shumë herët të marrim një vendim për provimet kombëtare se kur do të mbahen, nëse duhet të shtyhen, në çfarë formati do të zbatohen etj. Unë ende po shpresoj që ne do të kthehemi në bankat shkollore me 6 prill siç kemi planifikuar. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne do të marrim një vendim në lidhje me formatin e provimeve kombëtare, vështirësinë e pyetjeve, si dhe datat kur do të mbahen. Duke marrë parasysh që jemi të përkushtuar që ta mbyllim këtë vit akademik, duhet gjithsesi të planifikojmë dhe të synojmë që t’i mbajmë provimet kombëtare sivjet. Ndaj, duke parë se si po zhvillohet situata, ne po bëjmë edhe planet e ndryshme që do t’i zbatojmë pastaj në një moment të dytë kur të dimë edhe nëse do të mbahen provimet kombëtare, kur do të mbahen ato dhe me çfarë niveli të vështirësisë” , ndërsa shprehet gjithashtu se të gjithë duhet të shfrytëzojmë këtë kohë të përgatitemi sa më mirë që është e mundur për provimet kombëtare:
“Kemi modele pyetjesh për maturantët, kemi modele pyetjesh për klasën e nëntë të të gjitha lëndëve që mund të bien në këto provime dhe unë ftoj të gjithë nxënësit që të punojnë sa më shumë që është e mundur vetë, por edhe me mësuesit e tyre që të përgatiten për provimet kombëtare”, sqaron ajo.
Në fund, Ministrja Shahini nuk lë pa adresuar edhe një pyetje (më shumë në formë ankese) të ardhur nga prindër të ndryshëm të cilët thonë se mësuesit po i konfuzojnë nxënësit me platformat e ndryshme që po i përdorin, duke i kaluar një herë nga Google Classroom tek një platformë tjetër, duke punuar vetëm me whatsapp apo përmes rrjeteve të tjera sociale:
“Unë kërkoj nga prindërit që të kenë pak mirëkuptim. Mësuesit tanë kanë bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm. Brenda natës kanë kaluar nga dërrasa e zezë në punë përmes ekraneve të telefonave të tyre celularë apo edhe të laptopëve të tyre. Kështu që, e gjithë kjo punë që është bërë nga ata vetë që të eksplorojnë platformat më të mira që u mundëson atyre të punojnë sa më shumë që është e mundur me fëmijët tuaj e me nxënësit e vet (ose “një me një” ose “në formë klase”), duhet t’i mirëkuptojmë që në këtë fazë ndoshta edhe kanë kaluar nga një platformë tek tjetra. Por, duhet edhe t’i falënderojmë për gjithë punën që po e bëjnë për kapërcimin e madh që kanë bërë ata vetë duke mësuar të përdorin platforma të ndryshme që t’u vijnë në ndihmë atyre nxënësve, si dhe procesit mësimor”, përfundon mesazhin e saj Ministrja Besa Shahini.
https://www.facebook.com/shahinibesa/videos/294623438174675/
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!