Gjendje e jashtëzakonshme, por Shqipëria pa ligj për gjëndjen e jashtëzakonshme!

Nga Luan Rama
Edhe pse mendohej që shpejt a vonë koronavirusi me gjithë pabesinë e ligtë do të mbërrinte edhe në Shqipëri, kohën prej fundit të dhjetorit të vitit të kaluar kur u shfaqën rastet e para në Wuhan të Kinës, që në fakt ishin edhe paralajmërimi për pjesën tjetër të botës, e deri në fillim të marsit të këtij viti, kur u dokumentua rasti i parë në vendin tonë, ne nuk e përdorëm si një shoqëri e organizuar dhe as si një shtet i përgjegjshëm, për të krijuar një sistem tërësor masash parandaluese dhe mbrojtëse, individuale e shtetërore, duke nisur me kohë edhe fushatën e sensibilizimit dhe të ndërgjegjësimit të qytetarëve për përgjegjësitë e tyre dhe rrezikun që do të duhej të përballonin.

Advertisements

Dhe ja ku jemi para faktit që koronavirusi, tani i pranishëm edhe ndër ne, ka vënë në sprovë secilin prej nesh veç e veç e të gjithëve bashkë, si bashkësi dhe si shoqëri, dhe na ka thirrur të gjithëve në apel. Institucionet shtetërore, veçmas ato të shëndetësisë më drejtpërdrejtë, janë në kushtrim për të demostruar tërësinë e efikasitetit të veprimit dhe ndërveprimit të tyre.

Në fakt përpara kësaj sprove nuk jemi vetëm ne, por është mbarë bota, dhe kushtrimi tashmë është për të gjithë, që prej kur Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendjen e pandemisë.

Advertisements

Së këtejmi nuk ka logjikë, e për rrjedhojë nuk mund të jem dakord me deklarimet e përditshme të kryeministrit të vendit tim, i cili i kapur pas “gogolit të luftës”, nga mëngjesi në darkë e ditë pas dite na thotë se jemi në një luftë, se në këtë luftë jemi të vetëm e që gjithçka duhet ta përballojmë me forcat tona, ç’ka më shumë sjell në vetëdijen tonë reminishencat e slloganit “të jetojmë e të punojmë si revolucionarë në rrethim”, se sa të na motivojë të gjejmë forcën e besimit dhe të bindjes, të solidaritetit dhe të sakrificës për respektimin e udhëzimeve të mjekëve specialistë të fushës, e natyrisht, edhe për zbatimin e masave kufizuese dhe detyruese të marra nga autoritetet ligjore.

Luf ta si koncept, por edhe si metaforë nëse do të përdorej, si realitet apo edhe si kër cënim eventual, si filozofi, si retorikë apo si mentalitet dhe psikologji qeverisëse, krijon pa nik, krijon konfuzion, mbjell frikë e disfatizëm, ndaj qasja edhe me diletantizmin grotesk të grimasava të kryeministrit aktor, jo vetëm nuk është e duhura, por është për fat të keq në të njejtën “frekuencë” me vetë mikrobin!

Burrat e shtetit dhe udhëheqësit e përgjegjshëm nuk venë kujën e panikut dhe me popullin e tyre komunikojnë pikësëpari me gjuhë njerëzore e të thjeshtë, më vërtetësi e sinqeritet, me besim dhe urtësi siç bëri pak ditë më parë edhe kancelarja Merkel, e siç na ofron shembuj të tillë historia e afërt dhe e largët.

Përdorimi prej kryeministrit tonë i pamjeve filmike me të sëmurë që vuajnë nëpër spitale e Italisë apo vendeve të tjera,gjë që nuk e bën asnjë kryeministër tjetër në botë, me idenë për të sensibilizuar qytetarët, është makabritet prej njeriu frikacak, është një “gjetje” jo vetëm amorale në planin etike e njërëzore, por edhe abuzive dhe dekurajuese.

Bota sot është e gjitha përballë koronavirusit dhe kjo do të thotë se nuk jemi vetëm, për sa kohë masat preventive, por edhe ato të trajtimit të të infektuarve, janë në sinkron me rekomandimet e OBSH-së dhe të monitoruara prej vetë asaj.

Nuk jemi vetëm gjithashtu, pasi mundësitë e shkëmbimit të informacionit, të përvojave, mësimi nga gabimet e tjetrit dhe reflektimi e reagimi në kohë, por edhe bashkërendimi i masave e kohezioni ndërshtetëror, janë mundësi që duhen shfrytëzuar maksimalisht.

Por nuk jemi vetëm, se miqtë e ditëve të veshtira dhe partnerët tanë, do të na gjenden siç bëri edhe ambasada e SHBA-së në Tiranë me gjestin e solidaritetit dhe të mbështetjes konkrete.

Ne kemi mjekë të zotë e heronj të profesionit të tyre, ndaj duhet të kemi e të shprehim më shumë besim me bindjen se mesazhi që ata përçojnë e vetë shembulli i tyre nuk ka nevojë për dublantë e as zëdhënës të bezdisshëm.

Padyshim që rreziku nuk është imagjinar, është real e jo më përtej pragut, por brenda shtëpisë. Prandaj mendoj se do të duhej të ishin marrë më parë shumë prej masave parandaluese e të niste shumë më herët qoftë edhe ajo që quhet praktika e edukimit të qytetarëve me kufizimet e domosdoshme për t’u mbrojtur prej rrezikut.

Për të qenë i qartë, distancimi social dhe të gjitha masat e këtij lloji janë legjitime e të domosdoshme. Ato duhen respektuar e zbatuar pa asnjë neglizhim dhe me dashuri të madhe për jetën.

Por as realiteti pandemik, as të dhënat zyrtare që jepen qoftë nga zëdhënësi më i zellshëm për protagonizëm absurd e të panevojshëm, zoti kryeministër, apo edhe prej ministrisë së shëndetësisë për të ekzaminuarit, për ata që rezultojnë pozitiv apo edhe për ata që fat alisht kanë humbur jetën, nuk përligjin as proporcionalisht gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur de facto, por e pashpallur më parë me ligj siç e kërkon kushtetuta!

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka të përcaktuar qartë se kur mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme si masë in ex tremis.

Jo për të bërë leksion kushtetutshmërie, po për referencë që lexuesi të jetë më i qartë për të kuptuar për sa po flasim, po citoj nga neni 170 i saj pesë pikat e para të tij, që janë edhe thelbi i parimeve të pjesës së gjashtëmbëdhjetë të kushtetutës me titull “Masat e Jashtëzakonshme”, ku thuhet shprehimisht:

“1. Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së lu ftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.

2. Parimet e veprimtarisë së organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen me ligj.

3. Ligji duhet të përcaktojë parimet, fushat dhe mënyrën e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave dhe lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme.

4. Aktet që ndërmerren si pasojë e marrjes së masave të jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të kushteve për funksionimin normal të shtetit”.

Në pikën e parë pra, kushtetuta shprehet për masat e jashtëzakonshme dhe përcakton tri gjendjet kur mund të aplikohen ato, të cilat janë:

a) masa të jashtëzakonshme në gjendje lufte, b) masa të jashtëzakonshme në gjendje të jashtëzakonshme dhe c) masa të jashtëzakonshme në gjendje të fatkeqësisë natyrore.

Ndërkaq, në nenin 173, kushtetuta parashikon kushtet se kur shpallet specifikisht gjendja e jashtëzakonshme dhe përkufizon:

“1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.

2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.

3. Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë.

Kaq thotë kushtetuta dhe nuk lejon mundësi për asgjë më tepër.

Madje përndryshe, referuar posaçërisht pikës 2 të nenit 170, duhet një ligj i posaçëm për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme me kushtëzime specifike dhe kohëveprimi jo më shumë sa sa do të zgjasë eventualisht gjendja e jashtëzakonshme, sepse nuk ka një ligj organik me këtë objekt siç ka fjala vjen për mbrojtjen civile apo siç është edhe ligji tjetër ai numër 15/2019 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, i cili përcakton si autoritetin më të lartë përgjegjës në raste të tilla, ministrin përgjegjës për shëndetësinë dhe mbi të cilin është vepriar deri tani.

Ky ligj në terësinë e vet, përcakton masat që duhen marrë dhe mënyrën e veprimit, e më drejtpërdrejt, referuar nenit 7 ku flitet për masat e veçanta, në pikën 4 përcaktohet se:

“Për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, ministri përgjegjës për shëndetësinë miraton, me urdhër, masa të veçanta për mbrojtjen nga këto sëmundje, sipas udhëzimeve kombëtare, të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik si më poshtë:

a) mbyllja e shkollave;

b) mbyllja e aktiviteteve jopublike apo publike;

c) anulimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura;

ç) kufizimi apo ndalimi i lëvizjeve me mjetet e transportit publik;

d) kufizimi i lëvizjeve brenda vendit.

Parë një për një, zonja ministre e shëndetësisë i ka përmbushur me korrektesë detyrimet e ligjit, por nga sa na jep informacion shefi i saj, ato kanë qenë ose kanë rezultuar të pamjaftueshme, ndaj dhe me sa kuptohet është përdorur pika 5 e po këtij neni, që ka parashikuar edhe se:

“Masa të tjera të veçanta, të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për shëndetësinë”.

Por, a mjafton ky ligj që sapo citova për të përballuar pandeminë e koronavirusit?

Personalisht mendoj se nuk mjafton, ndaj duhet referuar e zbatuar edhe ligji numër 45/2019 “Për mbrojtje civile” me qëllim që kalimi nga njëra shkallë e masave të jashtëzakonshme në shkallën tjetër, të bëhet duke respektuar parimin e proporcionalitetit.

Keto nuk janë vendime që merren në këmbë, por mbi bazë vlerësimesh e prognozash shkencore të bëra nga ekspertë, duke u bërë objekt diskutimi e vendimmarrjeje në një rreth institucional më të gjerë se sa vetëm koka e kryeministrit.

Sepse kemi të bëjmë me kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të qytetareve dhe, edhe me kufizime të tjera të domosdoshme.

Prandaj e çmoj të rëndësishëm në këtë moment investimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe konsultimin aty të çdo vendimmarrjeje për më tej, pa e përjashtuar apriori edhe mundësinë e diskutimit të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, sado që në vlerësimin tim, kushtetuta që lejon vendosje e gjendjes së jashtëzakonshme vetëm në kushtet e luftës më një vend tjetër apo të agresionit mbi Republikën e Shqipërisë dhe kur cënohet rendi kushtetues dhe siguria publike, nuk ka parashikuar të njejtën zgjidhje kushtetuese edhe në raste apo realitete si ky në të cilin ndodhemi.

Ndërkaq, kurrësesi nuk mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme me akt normativ.

Pra, nëse do të shkojmë detyrimisht drejt asaj mase, duhet thirrur Kuvendi!

Po si dhe a mund të thirret Kuvendi në këto kushte, kjo është një temë tjetër.

Gjithësesi, një vendim duhet marrë dhe në këtë situatë, nuk mund të ecet pambarimisht me akte normative.

Por, nese nuk mund të kufizohen liritë dhe të drejtat themelor e kushtetuese me akt normativ, më duhet të theksoj se qeveria është në paligjshmëri në disa prej vendimeve të veta.

Shqipëria ka nënshkruar Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Por as unë dhe askush tjetër mendoj se nuk e di, (ose të paktën nuk është bërë e ditur nga Kryeministri), që ai vetë apo qeveria të kenë informuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për të gjitha masat e marra dhe arsyet se përse janë marrë ato, siç parashikohet në pikën 3 të nenit 15 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Ky është detyrim ashtu sikundër është detyrim po sipas kësaj Konvente të bëhet i njohur akti me të cilin janë marrë masat, si dhe të vijet në dijeni e të informohet zyrtarisht Sekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Evropës për kohën se kur këto masa e humbin fuqinë dhe kur dispozitat e Konventës vihen sërish në zbatim të plotë.

Keto nuk janë formalitete protokollare, nuk janë as trille apo kapriço në kohë pandemie, por janë detyrime, janë përgjegjësi që Shqipëria duhet ti përmbushë pikë për pikë e me seriozitet maksimal siç përcakton Konventa.

Janë edhe dëshmi e seriozitetit me të cilin vepron një shtet normal dhe i përgjegjës për qytetarët e vet.

Dikujt që është mësuar të shkelë kushtetutën e të veproja në kokë të vet mund të mos i pëlqejnë, por shteti ka rregulla e ligje, të cilat, pavarësisht kohës, rrethanave apo situatës, ato duhen zbatuar.

Qeverisja nuk është englendisje nëpër portale dhe as shëtitje nëpër ekrane televizive. Nuk është as orë hartimi e leximi letrar me tregime mbi luftën me kuçedrën.

Eshtë përgjegjësi e madhe para popullit dhe vendit. E në emër të kësaj përgjegjësi le të veprojmë të gjithë siç tha edhe Kancelarja Merkel në mesazhin drejtuar popullit të vet, duke mos harruar për asnjë çast se:

“Ne jemi demokraci. Ne nuk jetojmë nga shtrëngimi e kufizimi, por nga njohja dhe pjesëmarrja e përbashkët. Kjo është një detyrë historike dhe mund të realizohet vetëm së bashku. Jam absolutisht e sigurt se do ta kapërcejmë këtë krizë.”

/Ora New

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakKina ben gjestin e madh për Greqinë/ 550.000 maska, aspiratorë dhe mjete të tjera mjekësore
Artikulli tjetërTërmeti i fortë ne Greqi, a duhet të kemi frikë edhe ne? Ja çfarë thotë sizmologu Duni