Procedohen penalisht 2 nxënës të shkollës së mesme në Fier, të cilët dyshohen se kanë përdorur sprajt me lëndë gazi, në ambientet e brendshme të gjimnazit “Janaq Kilica”, duke shkaktuar helmimin e 58 nxenesve dhe dy mesuesve te shkolles.
Advertisements
“Në përfundim të veprimeve hetimore rezultoi se sprajti ishte përdorur nga 2 nxënës të kësaj shkolle, konkretisht A. M., 15 vjeç dhe A. H., 15 vjeç, të cilët u proceduan penalisht”- njofton policia, duke shtuar se ata kishin hedhur ne ambientet e shkolles një sprajt me lëndë gazi.
POLICIA
Advertisements
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë Fier, zbardhën ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, ku si pasojë e përdorimit të një sprajti me lëndë gazi, në ambientet e brendshme të shkollës, disa nxënës shfaqën shqetësime me frymëmarrjen dhe pasi morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal Fier, u larguan për në banesë.
Në përfundim të veprimeve hetimore rezultoi se sprajti ishte përdorur nga 2 nxënës të kësaj shkolle, konkretisht A. M., 15 vjeç dhe A. H., 15 vjeç, të cilët u proceduan penalisht.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Ndotja e ajrit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Cfare ndodhi dje
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme, ndërsa 58 nxënës dhe dy mësues të kësaj shkolle shfaqën probleme me frymëmarrjen, shenja helmimi dhe të vjella. Situata e rëndë në këtë shkollë krijoi panik në gjithë qytetin, ndërsa prindërit e nxënësve shfaqën pakënaqësi rreth këtij problemi që përsëritej për të dytën herë. Nxënës pa ndjenja, me probleme me frymëmarrjen, të trullosur dhe në gjendje të rënduar psikologjike, shoqëroheshin dje në Spitalin e Fierit. Kjo ngjarje krijoi një kaos në spital, ndërsa të gjithë kërkonin të merrnin menjëherë mjekimin e duhur, kjo për shkak se disa prej nxënësve ndodheshin në gjendje të rënduar. Lajmi krijoi panik edhe në ambientet e spitalit, ku menjëherë u mblodhën qindra nxënës e prindër. Policia raportoi se dyshohet që në këtë rast është përdorur “spraj piperi”, nga një nxënës i kësaj shkolle. Ky i fundit është shoqëruar në Polici, ku mësohet se ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike për atë çfarë kishte shkaktuar.
NGJARJA
Kaosi i krijuar dje në gjimnazin “Janaq Kilica” nuk ka ndodhur për herë të parë. Ngjarja e rëndë është e përsëritur në këtë shkollë, ndërsa papërgjegjshmëria e nxënësve dhe kujdesi i munguar nga stafi e shkollës, dërgoi në spital 60 persona. Gjithçka ka ndodhur gjatë orës së pushimit të gjatë, kur është hedhur edhe lënda që, sipas Policisë, dyshohet të jetë “spraj piperi”. Por a mund të shkaktojë helmim të përmasave të tilla një “spraj piperi”? Dyshimet janë që kjo ngjarje mund të jetë shkaktuar edhe nga ndonjë lëndë tjetër helmuese, ndërsa për ta zbardhur kanë nisur hetimet intensive. Sipas informacioneve, lenda mund të shkaktojë shenja të lehta djegieje nëse ka kontakt të drejtpërdrejtë më lëkurën, sytë apo pjesë të tjera të trupit. Policia thekson se nxënësi i shoqëruar lidhur me këtë ngjarje, ka pasur këtë spraj në shkollë dhe e ka shkrepur atë në ambientet e klasës, teksa të gjithë bënin pushimin e gjatë. Më pas, nxënësit që ndodheshin në vende të ndryshme, kanë filluar të paraqesin shqetësime shëndetësore.
DËSHMITË
Nxënësit e shkollës janë shprehur se ngjarja ndodhi pasi ata kishin kryer pushimin dhe kur kanë hyrë nëpër klasa, janë ndierë keq. “Ne ishim në pushim të gjatë. Kur hymë në klasa, pas pak minutash, filluam një nga një të këputeshim. Njërës i ra të fiktë dhe pastaj të tjerët njëri pas tjetrit. Nxënësit që mësojnë në katin e dytë të godinës patën të gjithë tronditje të tilla. U alarmuan mësuesit e drejtoria e shkollës dhe erdhën ambulancat”, ka thënë njëri prej nxënësve. Ndërkohë, një tjetër ka treguar se mes nxënësve ishte hapur lajmi për një alarm fals, për një stërvitje apo eksperiment që do të tregonte se si do të reagonin nxënësit. “Ishim në pushim të gjatë, erdhëm në oborr kur i pamë të tjerët që të dilnin të shqetësuar. Na thanë që është alarm fals, nuk na lanë të hyjmë brenda, na thanë që ishte një stërvitje se si do reagonim ne në raste emergjente. Nxënësit janë të traumatizuar, të shokuar. Kjo u hap nga nxënësit, edhe mësuesit ishin të shpërndarë për t’u ardhur në ndihmë nxënësve me më shumë probleme”, tha një tjetër.
RASTI I PËRSËRITUR
Ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në gjimnazin “Janaq Kilica” është rast i përsëritur. Dhjetë ditë më parë, disa nxënës shfaqën simptoma helmimi, të ngjashme me ato të djeshme. Por ngjarja nuk është raportuar për mediat dhe ngjarja është kaluar si një reaksion kimik që ishte zhvilluar në ambientet e shkollës. Por, me sa duket, ajo nuk ka qenë e vërtetë dhe është lënë pas dore nga drejtoria e shkollës. Për këtë rast nuk u mor asnjë masë ndëshkuese ku u rrezikuan jetët e disa nxënësve, duke sjellë më pas edhe përsëritjen e rastit, por këtë herë me përmasa më të mëdha. 58 nxënës dhe 2 mësues morën mjekim në Spitalin e Fierit, pas simptomave që pësuan nga spraji i hedhur në ambientet e shkollës. 14 prej tyre mësohet se janë në një gjendje më të rëndë dhe vijojnë të marrin mjekim. Pjesa tjetër ka lënë ambientet e spitalit.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!