KPK ka vendosur sot shkarkimin nga detyra te gjyqtarit te Apelit të Tiranës, Andi Civici. Ai u ballafaqua të hënën me probleme në justifikimin e pasurisë, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e përfundoi hetimin administrativ vetëm për këtë kriter.Civici-Reso-KPK-600×400
Advertisements
Huatë e marra nga vjehrri dhe daja i bashkëshortes per blerjen e apartamentit
Trupa gjykuese drejtohej nga Roland Ilia, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Xhensila Pine, ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Advertisements
Gjyqtari Civici u paraqit në seancë i shoqëruar nga avokatja Irena Reso. Që në fillim të seancës, avokatja Reso shprehu shqetësim për mënyrën sesi ishte trajtuar gjyqtari Civici nga ana e Komisionit dhe ngriti pikëpyetje mbi paanshmërinë e trupës gjyqësore – duke iu referuar faktit se anëtarja Xhensila Pine kishte qenë shoqe klase me subjektin dhe anëtare edhe në procesin e rivlerësimit të bashkëshortes së tij.
Megjithatë, mbrojtja nuk paraqiti ndonjë kërkesë konkrete në KPK.
Në nisje të relatimit, Sanxhaktari tha se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kishte konstatuar deklarim të pasaktë dhe mungesë të burimeve të ligjshme për gjyqtarin Andi Civici.
Komisioni ka hetuar pasurinë kryesore të gjyqtarit, një apartament me vlerë 155 mijë euro të blerë në vitin 2011 në Tiranë, me burim shitjen e një apartamenti në Vlorë dhe një hua prej 40 mijë eurosh nga vjehrri. Sanxhaktari shpjegoi se edhe apartamenti në Vlorë ishte blerë pas marrjes së 3 milionë lekëve hua nga vjehrri, po aq nga daja i bashkëshortes dhe 1 milion hua nga babai i gjyqtarit.
Komisioni konstatoi se vjehrri i Civicit rezultonte të kishte pasur likujditete në vlera në konsiderueshme në bankë dhe se provohej që kishte qenë i regjistruar si avokat që pej vitit 1998 deri në vitin 2004. Por sipas Sanxhaktarit, nuk është provuar që të ishin paguar taksat për këtë periudhë.
“Vjehrri dhe vjehrra kanë pasur vlera të konsiderueshme në bankë deri në vitin 2012. Por nga analiza financiare për të ardhurat e tyre, nuk është vërtetuar me dokumente ligjore pagesa e tatimeve e për pasojë nuk mund të ketë burime të ligjshme,” tha relatorja, e cila shtoi se Civicit i kishte kaluar barra e provës për huatë e marra nga vjehrri.
Sipas KPK-së, nuk është provuar fitimi i të ardhurave nga aktiviteti tregtar edhe nga ana e dajës së bashkëshortes. Ndërsa ka rezultuar se prindërit e Civicit kanë pasur mundësi të kursejnë dhe të krijojnë vlerën 1 milion lekë që i kanë dhënë hua djalit të tyre.
“Subjektit i ka kaluar barra e provës për burimet e ligjshme të vjehrrit dhe dajës së bashkëshortes lidhur me vlerat monetare që i kanë dhënë hua dhe shpjegimet e tij do të vlerësohen para marrjes së vendimit përfundimtar,” tha Sanxhaktari.
Në fjalën e tij, gjyqtari Civici tha se vjehrri i tij kishte burime të ligjshme për huatë e dhëna ndërsa shtoi se kishte dorëzuar në Komision dokumentet për depozitat e tij në bankë deri në vitin 2003.
“Huaja është marrë para se të nisnim punë si gjyqtarë. Vjehrri ka qenë avokat që prej vitit 1998. Ju kam dhënë dokumente për depozitat në bankë deri në vitin 2003”, deklaroi Civici, duke sqaruar se vjehrri i tij kishte pasur të depozituara mbi 5 milionë lekë dhe kjo depozitë ishte mbyllur në vitin 2002. “Vjehrri ka pasur edhe dy depozita të tjera bankare, që në total kapinin vlerën 11 milionë lekë,” shtoi ai.
“Ju keni konstatuar se vjehrri nuk ka patur burime të ligjshme. Ju kam depozituar 142 vendime ku vjehrri rezulton të ketë qenë avokat i këtyre çështjeve. Nuk është korrekte të thuash se nuk është vërtetuar burimi i ligjshëm,” shtoi më tej Civici, duke sqaruar se vërtetimi i bashkisë se nuk ekzistonte në atë kohë dokumentacion për tatimet e provonte këtë gjë.
Ai vijoi se në analizën e tij i ishte referuar xhiros minimale të një avokati në vlerën 2 milionë lekë dhe se ka rezultuar se vjehrri ka pasur burime të ligjshme për krijimin e depozitave dhe dhënien e huasë.
Avokatja Reso ndërhyri duke përmendur një vendim të Komisionit, ku një subjekti rivlerësimi i ishin konsideruar prova deklarimet se burimet financiare i kishe siguruar nga shitja e bagëtive të imëta e gjedhëve, nga kopshtaria dhe bletaria. “Ndërsa si prova ka depozituar deklarime të kasapëve të zones,” pohoi ajo.
Gjyqtari Civici shpjegoi më pas se prindërit e kishin ndihmuar me 1 milion lekë kur ishte transferuar në Vlorë.
“Nga viti 2003 deri në 2010, keni pranuar se kisha balancë pozitive dhe mund të shlyeja huatë,” tha Civici. Ai shtoi se kishte dorëzuar dokumente të mjaftueshme që provonin se daja i bashkëshortes, i cili kishte punuar prej dekadash si kambist, i kishte dhënë hua në mirëbesim në vlera të mëdha. Civici evidentoi edhe një rast kur emri i dajës së bashkëshortes ishte përmendur publikisht në vitin 1998, kur i kishin grabitur maskat rreth 60 milionë lireta. “Ai ka qenë kambist dhe e di gjithë Vlora. Të kërkosh sot burimin e ligjshëm të të ardhurave të tij, konfondon realtitetin e atëhershëm me atë aktual,” pohoi gjyqtari Civici, duke shtuar se e kishte shlyer këtë hua.
Edhe Civici përmendi një rast të një koleges së tij të rivlerësuar nga Komisioni, për të cilën sipas tij nuk është gjetur si problem dhurimi nga vëllai i një vlere 39 900 euro. “Më pas ajo e rivlerësoi apartamentin dhe ua dhuroi prindërve. Ndërkohë, unë i kam shlyer huatë. Për mua thuhet deklarim i rremë, për kolegen, deklarim i saktë,” shtoi Civici.
Komisioni konstatoi gjithashtu se Civici ia ka shitur apartamentin në Vlorë në vlerën 16 milionë e 800 mijë lekë një kushëririt të tij, ndërsa blerësi e ka shitur atë dy muaj më vonë për 14 milionë lekë. Sipas relatores, nuk provohet me dokumentacion transferimi i vlerave monetare nga Italia.
Por Civici argumentoi se i afërmi i tij e kishte shitur apartamentin kur kishte mësuar se vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa avokatja Reso shtoi se kushëriri i gjyqtarit nuk k apse konsiderohet person i lidhur.
“Të provosh se ku i gjeti lekët personi që të ka blerë shtëpinë është tejkalim i ligjit,” tha avokatja Reso.
Komisioni nuk konstatoi probleme në blerjen e një garazhi me vlerë 920 mijë lekë, ndërsa u tha se Civici nuk ka pasur mundësi kursimi në vitin 2013 dhe rezultonte me balancë negative prej 669 mijë lekësh. Komisioni ka gjetur gjithashtu pamundësi të gjyqtarit Civici në krijimin e një shume cash në shtëpi në vlerën 173 mijë lekë. Sipas KPK, balanca negative është në vlerën 126 mijë lekë.
Komisioni ka konkluduar se për periudhën kur Civici dhe bashkëshortja e tij nuk ishin ende gjyqtarë, nga viti 1999 deri në 2003, kanë rezultuar me një balancë negative të burimeve të ligjshme në vlerën e 841 mijë lekëve. Ndërsa analiza financiare për vitet 2004-2016, sipas Sanxhaktarit ka si balancë negative vlerën 1.8 milionë lekë.
“Në analizën financiare nuk janë përfshirë huatë e marra,” sqaroi Sanxhaktari, e cila shtoi se Civici i justifikon shpenzimet e kryera për vitet 2017-2018.
Gjyqtari Andi Civici e kundërshtoi fort analizën financiare, duke pohuar se Komisioni kishte kryer gabime të rënda, pasi kishte dubluar shpenzimet jashtë shtetit. Ai shtoi se gabime në përllogaritje kishte edhe për shpenzimet e jetesës së fëmijëve, pasi për një pjesë të shpenzimeve kishte paguar shkollat ku studionin, por ato ishin përllogaritur dy herë.
Më pas ai u ndal edhe në përllogaritjen e Komisionit për një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vlerën 710 mijë lekë. Civici sqaroi se kishte qëndruar tek një kushëri i tij dhe se shpenzimet nuk mund të ishin më shumë se 2700 USD.
“Po të zbrisni këto dhe dublimet e shpenzimeve, bilanci ndryshon. Unë kam 18 vjet si gjyqtar dhe bashkëshortja 17 vjet. Pasuritë tona janë një apartament, një garazh dhe një makinë,” tha Civici.
Vëzhguesi ndërkombëtar, Jacobs u ndal fillimisht në mundësinë e konfliktit të interesit lidhur me trasnferimin e gjyqtarit Civici në Apelin e Tiranës, në kohën kur bashkëshortja e tij ishte anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Civici këmbënguli se nuk kishte qenë në konflikt interesi, duke shpjeguar se kërkesën për transferim e kishte kryer para se bashkëshortja e tij të kandidonte për një vend në KLD. “Ajo s’ka marrë pjesë kur është votuar për emërimin tim në Apel. Isha gjyqtar Apeli dhe lëvizja ime ishte paralele. Kishte përparësi për lëvizje të tilla,” shpjegoi Civici.
Jacobs shtoi më tej se pavarësisht se Civici kishe detyrimin që çdo vit t’i shoqëronte deklarimet e tij me dokumentacion përkatës, në dosje nuk ishte gjetur as edhe një dokument i vetëm. “S’ka asnjë evidencë për gjithë veprimet, marrjen e huave ose kthimin e tyre. Si mund t’i bënit këto deklarime pa asnjë dokument?”, pyeti Jacobs. Ai shtoi se edhe për shitjen e apartamentit në Vlorë nuk ka asnjë dokument për kryerjen e pagesave.
“Historia bie erë. Do doja të sillnit ndonjë evidencë,” theksoi Jacobs.
Avokatja Reso e quajti të drejtë konstatimin e Jacobs se nuk kishte asnjë letër të ruajtur, por shtoi se jo domosdoshmërisht duhet të kesh dokumente për huatë. “Për një të huaj ndoshta është anormale. Ndoshta duhej të ishte treguar më i kujdeshshëm,” pohoi Reso.
Jacobs ndërhyri sërish duke theksuar se çështja është se deklarimet duhej të kryeheshin çdo vit, duke nënkuptuar se nuk mund të shmangej shoqërimi i deklarimeve me dokumentacionin përkatës çdo herë.
Civici pranoi se ishte e vërtetë që nuk kishin dokumente, por u justifikua duke thënë se “ashtu ishte koha”.
“Nuk e dija që pas kaq vitesh do të pyetesha për huatë që deklaroj,” tha Civici. Ai u ndal sërish në faktin se Pine kishte qenë shoqe e klasës në shkollë të mesme dhe e quajti të padrejtë rrëzimin e kërkesës së tij për konfliktin e interesit mes tyre. “Ka një fiktivitet procedura e trajtuar,” tha ai.
Në përfundim, gjyqtari Andi Civici kërkoi konfirmimin në detyrë dhe riçeljen e hetimit për kriteret e profesionalizimit dhe pastërtisë së figurës. BIRN
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!