Burrat janë bërë shumë më të vetëdijshëm për atë që po blejnë kur bëhet fjalë për modën.
Advertisements
Dikur mbizotëronte ideja se, një burrë do të blinte të njëjtën bluzë, në çdo ngjyrë dhe rrallë do të ndryshonte veshjet e tij, megjithatë në ditët e sotme ne shohim gjithnjë e më shumë raste të burrave që eksperimentojnë. Kjo u ka dhënë të tjerëve besimin për të provuar diçka të re, duke zgjedhur veshje që i bën ata të ndihen më mirë. Ky moment në historinë e sektorit të veshjeve dhe jo vetëm, kudo në botë, i ka bërë firmat më të mëdha që të jenë gjithë ‘sy e veshë’ për të ofruar atë që meshkujt tashmë kërkojnë.
Edhe në Shqipëri, kjo tendencë ka ardhur vitet e fundit, teksa aktorë të ndryshëm të tregut raportojnë për një rritje të blerjeve nga meshkujt, sidomos për mallra më të shtrenjtë. Meshkujt shqiptarë blejnë më pak se sa femrat, por më shtrenjtë. Markat luksoze të firmave më të njohura kudo në botë, janë duke rritur gamën e tyre në veshje për meshkuj, gamë e cila po zgjerohet me hapa më të shpejtë sesa veshjet e grave, pasi stilet tashmë kanë ndryshuar dhe rrobat e përditshme si hoodie-t po gjejnë një audiencë të re. Shtëpitë e mëdha të modës, duke përfshirë konglomerate franceze LVMH dhe “Kering” janë ndër ata që punësojnë dizajnerë që tërheqin vëmendjen dhe investojnë në veshjet e meshkujve, si një kërkesë në rritje kudo në botë.
Advertisements
Veshjet e burrave dhe grave kanë parë një ngadalësim vitet e fundit, sipas të dhënave nga “Euromonitor”, një ofrues i kërkimit të tregut. Por që nga viti 2016, kur të dy kategoritë u zgjeruan me të njëjtin ritëm, rritja e shitjeve të veshjeve për meshkuj ka tejkaluar vazhdimisht veshjet e grave. “Euromonitor” parashikon që trendi do të vazhdojë, duke parashikuar se shitjet e veshjeve për burra do të rriten 1.9% në 2021, krahasuar me vetëm 1.4% për rrobat e grave.
Veshjet
Të flasësh për tregun e veshjeve të markës në Shqipëri nuk është edhe aq e lehtë, duke qenë se nuk ka të dhëna gjithëpërfshirëse për paratë që xhiron kjo industri. Megjithatë, aktorë të ndryshëm të sektorit vlerësojnë sipas eksperiencës në treg, se shitjet kanë qenë të mira, si dhe klientela ‘mashkull’ po shndërrohet në një pikë referimi dhe vëmendjeje për shumë marka. Përfaqësuesit e markës “Pierre Cardin” pohojnë se meshkujt janë padyshim klientela e tyre më e rëndësishme në sektorin e veshjeve dhe kjo gjë nxitet nga fakti se atyre nuk u duhet të blejnë sasi të mëdha rrobash.
“Burrat tani kanë një gamë shumë më të madhe të produkteve të veshjeve në dispozicion, kohët kanë evoluar dhe ata vishen tashmë pa u gjykuar për zgjedhjen e tyre. Një tipar tjetër i blerësve meshkuj është fakti që, padyshim kur duan një produkt, nuk mendohen aq gjatë sa femrat dhe gjithashtu janë blerës direktë, që do të thotë blejnë më pak se femrat por zgjedhjen e bëjnë menjëherë”, thotë menaxherja e dyqanit “Pierre Cardin” në “Ring Center”, për “Monitor”.
“Jakamen” është ekskluzivitet i një firme me veshje klasike për meshkuj, Sipas përfaqësuesve të tyre, dyqani i pozicionuar në një nga rrugët tregtare më të rëndësishme në kryeqytet, padyshim ka qenë i preferuar për meshkujt shqiptarë që në hapje. Ata pohojnë se nuk mohohet fakti që shqiptarët, që sidomos me hapjen e vizave udhëtojnë dhe blejnë jashtë, por sipas tyre, një tendencë e tillë është më shumë e femrave. Meshkujt, pohojnë ata, kur duan një produkt, mjafton të drejtohen në dyqanin e tyre të besuar, pasi zgjedhja që bëjnë është e shpejtë. Gjithashtu, përfaqësuesit e “Jakamen” shtojnë që, sa i përket sektorit të stilit elegant dhe klasik në Shqipëri, preferohet gjithnjë e më tepër nga meshkujt.
Sipas përfaqësuesve të disa emrave që operojnë në Shqipëri, si “Roger Tirana”, që ka marka si “Vero Moda”, “Kocca”, “Hilfiger”, “Jack and Jones” etj., ndonëse në vendin tonë qëndron ende mentaliteti për autenticitetin e firmave, meshkujt janë padyshim blerës kryesorë.
Një karakteristikë e tregut shqiptar të veshjeve, sipas përfaqësuesve të qendrës tregtare “Ring Center”, ka të bëjë me faktin se janë femrat më shumë në numër që vizitojnë një qendër tregtare, por janë meshkujt ata që blejnë më shumë. E blerësit më të mirë janë ata të moshës nga 25 vjeç deri në 45 vjeç.
Femrat janë padyshim ato që kërkojnë të jenë më të veçanta me veshjen e tyre dhe u drejtohen stilistëve, për të pasur veshje ‘posaçërisht’ për to. Por tendenca ka ndryshuar. Joni Peçi është një nga shembujt e stilistëve shqiptarë, që solli qasje edhe për meshkujt. Joni Peçi prezantoi për herë të parë linjën për meshkuj ‘Joni Peçi Man Couture’, në vitin 2016 dhe kërkesat kanë qenë në rritje.
Sipas tij, janë kryesisht meshkujt e moshës 30-50 vjeç që preferojnë veshjet e stiluara. Megjithatë, me kalimin e viteve ka ndryshuar dhe thuajse ka rënë miti i gjinisë për porosi veshjesh. Tanimë, shton Joni, ngjarjet familjare apo edhe dasmat, janë arsyet kryesore që nxisin meshkujt që të porosisin veshje, kryesisht kostume dhe kjo ishte një tjetër arsye që në nisje të 2020-s ai shpalli planin e tij për të hapur një linjë këpucësh për meshkuj.
Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
Pozitive vlerësohet ecuria edhe për një tjetër grup të rëndësishëm që operon me veshje të njohura, markash, si “Mango”, “Geox”, “Springfield”, “Koton” etj. Ornela Kastrioti, menaxhere marketingu pranë “Fashion Group”, në TEG dhe QTU, thotë se ecuria e markave të veshjeve për meshkuj ka qenë e mirë vitet e fundit dhe po ndryshon realisht hendeku i blerësve meshkuj-femra.
“Shqiptarët duan luksin dhe markat e forta”
Era Xhabafti, Partner në Boggi Minalo, markës italiane e veshjeve për burra thotë se ajo që ne po përjetojmë është se tendencat e modës në veshje për meshkuj po ndryshojnë. “Ne pamë që po zvogëlohet në mënyrë progresive numri i klientëve që hyjnë në dyqan duke kërkuar veshje formale, pasi preferojnë të vishen në një stil formal, por të lehtë. Për të ndjekur këtë trend gjatë sezonit aktual, ne po prezantojmë në asortimentin tonë disa linja të reja si linja B-Jersey (që vijnë në jetë nga fijet elastike të cilësisë premium dhe tradita sartoriale: një seri copash në fanellë të rehatshme, që përshtaten në trup), linja B-Washable (e krijuar për të përmbushur nevojën në rritje për jetën e përditshme dhe praktike) dhe linjën B-Tech (pjesë shumë performuese të cilat interpretojnë traditën sartoriale dhe sigurojnë lirinë e lëvizjes)”.
Ajo shton se shqiptarët e duan luksin, por më e rëndësishmja se ata i duan markat e forta. Në një treg plot me mallra pa markë dhe dyqane pa një identitet të fortë, shqiptarët priren të zgjedhin marka të forta dhe veçanërisht marka italiane, me një traditë dhe një trashëgimi pas.
Orët luksoze
Ndër produktet që konsiderohen mallra luksi janë edhe orët. Sipas të dhënave nga Dogana, importet e orëve në Shqipëri u rritën me 71 për qind në 2016-n në krahasim me pesë vite më parë. Zyrtarisht importet shënuan një vlerë prej 3.3 milionë dollarë, nga 1.9 që kishin qenë në 2012-n. Sipas përfaqësuesve të argjendari “Gjikondi”, bizhuteritë e luksit dhe orët parapëlqehen shumë dhe klientët besnikë, por edhe ata të rekomanduar, vijnë në këtë argjendari nga markat ndërkombëtare që ofron në këto produkte.
“Floriri po preferohet gjithnjë e më pak, ndoshta sepse pjesa më e madhe e klientëve te ‘Gjikondi’ drejtohen kryesisht për bizhuteri luksi apo ora. Vetëm një përqindje e vogël kanë pasur qëllim të blejnë bizhuteri floriri, kryesisht unaza”, thotë z. Gjikondi. Orët, veçanërisht ato të prodhuara nga kompani me emër, janë një mënyrë e mirë “për t’u dukur” dhe me sa duket, “milionerët e rinj” në qarkullim kanë rritur importet në vend. Orët e luksit janë padyshim produkti i preferuar i meshkujve.
Padyshim që kur flasim për orët, vendi i parë që të vjen ndër mend është Zvicra. Shteti europian përpos mirëqenies, është i njohur për markat e njohura të orëve si “Rolex”, “Audemars Piguet”, “Breitling”, “Chopard” etj. Në 2016-n, importet nga Zvicra, sipas të dhënave nga Dogana përllogariteshin rreth 1 milion dollarë. Në periudhën kohore 2012-2016, importet e orëve nga Zvicra llogariten të jenë rreth 4.5 milionë dollarë. Ndërsa eksportet e Zvicrës në të gjithë botën në 2016-n shënuan një vlerë prej 19.8 miliardë dollarë.
Vendi me peshë të lartë për sa u përket importeve në vend është Kina. Në dallim prej Zvicrës, Kina është e njohur për imitacionet e markave të famshme të orëve. Të dy vendet së bashku përbëjnë mbi 65% të totalit të importeve. Nga të dhënat e Doganës, importet e orëve nga Kina kapën vlerën e 1.18 milionë dollarë. Monitor
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!