Debate të shumta në Kuvend/ PS merr vendimin per Metën, ja kur pritet “shkarkimi” i tij

Në mbledhjen e 14 nëntorit në konferencën e kryetarëve në Parlament është diskutuar mbi nismën më të fundit të PS-së, që kërkonte miratimin e një rezolute të posaçme që kundërshtonte dekretin e presidentit Meta për emërimin e Marsida Xhaferllarit në postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese. Në mbledhjen e zhvilluar me dyert të mbyllura ka pasur një debat nga ana e përfaqësuesve të opozitës, të cilët e kanë kundërshtuar miratimin e një rezolute, ku vetë demokratja Rudina Hajdari e ka cilësuar si antikushtetuese një akt të tillë.

Advertisements

Ndërsa Myslim Murrizi dhe Adriatik Alimadhi ka theksuar se po bëhen lojëra dhe se dihej që Meta do të zgjidhte Xhaferllarin si anëtare dhe se mazhoranca nuk veproi. Por ajo që ka bërë jo pak habi ka qenë deklarata e kryekomisionerit Ulsi Manja, i cili është mes të tjerash është shprehur se “me rezoluta (kundër Metës) Parlamenti do të vijojë deri më 24 korrik të 2022”. Një datë kjo që përkon edhe me fundin e mandatit zyrtar të presidentit Ilir Meta. Ky qëndrim “justifikon” në një farë mënyre edhe qëndrimin e mazhorancës, e cila edhe pse ka ngritur komisionin hetimor për shkarkimin e presidentit Meta, ende nuk po merr një vendim final.
E majta ka propozuar sërish shtyrjen e afatit të komisionit hetimor për katër muaj, duke çuar në muajin mars marrjen e një vendimi të tillë.

Ndërsa nga vetë Gramoz Ruçi është ngritur shqetësimi i mos ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe të organeve të reja të drejtësisë. “Më merak e kanë ndërkombëtarët se sa vetë Parlamenti, në një kohë që duhen plotësuar 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman”, ka thënë Ruçi.

Advertisements

Pjesë nga debati i mbledhjes
Myslim Murrizi: Po shikoj në lajme se e zgjedhura me Fletore Zyrtare ka shkuar dhe është betuar te noteri. Inshallah nuk i mbushet mendja ndonjë tjetri të shkojë të betohet në kishë apo në xhami. U bëmë gazi i botës dhe për turpin e të gjithë dynjasë për një grykësi, për një vend pune apo për të nxituar kush e kush mund të çojë miqtë e tij apo ata që kanë lyer “rrotën e qerres” në Gjykatën Kushtetuese. Ajo Gjykatë Kushtetuese çfarëdo që të ndodhë me këto veprimet e këtyre 2-3 ditëve, është më falni për shprehjen “me brekë nëpër këmbë, e pamoralshme”. Nuk do të ketë më moral. Si mundet ta pranoj unë si qytetar i Republikës së Shqipërisë jashtë çdo funksioni që kam anëtar të Gjykatës Kushtetuese një që është betuar te Mine Sharka, noteria nga Lushnja. A ka më turp?! Nëse keni vullnet, jua kemi thënë: hajdeni të vëmë dorë në Kushtetutë! I keni bërë ligjin për reformën në drejtësi apo ndryshimet kushtetuese nën presion për një vizë. E ndryshoni! Keni 6 muaj që kemi nisur një komision hetimor, kemi dërguar edhe anëtarët tanë atje, por as mish as peshk, erdhi edhe Komisioni i Venecia dhe e tha. Ndani mendjen se çfarë do të bëni! Paradite thoni me ne, pasdite me dynjanë.

Në fjalën time në Parlament ju thashë: nuk është halli i Marsidës por është halli i Arta Vorpsit. Ju qeshët. E vërteta është se Arta ishte e para në të gjitha variantet pa u ulur në asnjë karrige. Pse nuk e kishit parashikuar ju se ai do ta dekretonte Marsidën? Besoj se e keni ditur. Kanalet tuaja të komunikimit me Presidentit janë ‘non stop’, keni njerëz që ulen në sofër me të. Çfarë do të bëjmë me këtë rezolutë? Do ta pushkatojmë si Mehmet Shehun?! Çfarë zgjidhim? E heqim dot betimin e Artës te noteri?! Ka marrë dhenë kjo gjë. “Zëri i Amerikës”, VOA thotë: “Betohet Arta te noteri”. Inshallah nuk shkon ky tjetri Besniku te Sabri Koçi, meqenëse nuk e qasin ata se nuk ka kaluar vetingun dhe betohet mu në xhami… Pasurojeni atë listë dhe jo ul- shkul: Arta- Besniku, Besniku- Arta, Marsida hyn për kolor me këngën e Sami Kallmit: “Marsida, Marsida ti do të jesh e imja”.

E kujt është Marsida? E Likes, juaja, e Enkelejdit apo e noterit? Se edhe Marsida mund të shkojë të betohet te noteri. Zoti kryetar i Grupit të PS-së unë nuk shikoj se zgjidhim ndonjë gjë me rezolutën. Rezoluta më duket siç i shpallte luftë Enveri Bashkimit Sovjetik: ai në vend të tij, ne në vendin tonë, as ata nuk pyesnin për ne, as ai nuk e kishte në konsideratë atë. Unë nuk besoj se zgjidh gjë rezoluta. Nuk e bën funksionale Gjykatën Kushtetuese, aq më tepër me drita ndezur, ditë pushimi, dy vendime të rëndësishme për drejtësinë, kjo që doni t’i thyeni hundën këtij dhe një vendim tjetër, kur keni emëruar këto të “KÇK”-së, që i quani KPK dhe KPA, i keni bërë ditë të shtune.

Gramoz Ruçi – Në qoftë se do të ketë cedime nga institucioni i Presidentit, siç ka pasur edhe nga presidentë të vendeve të tjera, si në Poloni, në mos gabohem, Rumani, Moldavi, atëherë ekzistojnë praktika të Komisionit të Venecias, të cilat thonë se si veprohet. Por unë nuk e përjashtoj mundësinë… Ju keni shumë të drejtë kur thoni se ndoshta duhet të bëjmë korrigjime në këtë rrugë, edhe kushtetuese. Ç’ndodh nëse nuk bëhet betimi? Nuk fillohet nga puna. Atëherë duhet të bëjmë ndryshime. Duhet të ulemi këtu, në Konferencën e Kryetarëve dhe të themi: si do ta bëjmë këtë punë? Ndodhi ky ngërç. Si do ta bëjmë?
Pra, misioni i të gjithëve ne, si parlamentarë, si ligjvënës, është të mos bëhemi pishman
për ato ligje, për ato ndryshime kushtetuese, për atë reformë të rëndësishme që kemi ndërmarrë, me qëllim që ta jetësojmë atë dhe t’i japim këtij vendi institucionet e munguara, që i qëndrojnë si gur në qafë këtij vendi për të hapur negociatat.

Më shumë janë të preokupuar partnerët tanë strategjikë për këtë çështje, se sa vetë ne.
Kjo është e pafalshme. Mua më rëndon shumë kjo. Jemi ne që duhet të preokupohemi….

Rudina Hajdari – Pasi e pashë këtë rezolutë mendoj se në një farë mënyre, kjo rezolutë tregon se ne po sillemi ndaj Presidentit sikur ishim gjyqtarë, duke marrë ca kompetenca që nuk na takojnë. Po i themi Presidentit, se dekreti yt është i pavlefshëm. Rezoluta duhej të rishikohet. E dyta, ta zgjidhim këtë. Pra, dekretin e Presidentit nuk e kemi ne në kompetencë, që të shprehemi nëse një dekret është i vlefshëm apo i pavlefshëm. Kjo nuk është në kompetencën e Parlamentit shqiptar, por në fakt, ne duhet ta drejtojmë këtë në gjykatën kompetente, ndoshta në Gjykatën Administrative, juristët e njohin këtë proces edhe më mirë nga ç’mund ta njoh unë, e më pas të ndërmarrim hapat e duhur, me qëllim që të gjejmë një rrugë të mesme, duke mos lejuar të kalohet në konflikt. Mendoj se me këtë rezolutë do ta thellojmë akoma më shumë konfliktin

Gramoz Ruçi – Tjetër? Urdhëro!

Rudina Hajdari – Sepse e shikoj si një reagim nervozizmi nga ana e zotit Balla, i cili besoj se po shpejtohet pak në reagimin e tij. Janë shenja nervozizmi, të cilat nuk duhet t’i tregojmë në këto momente. E kemi bërë këtë edhe më parë. Ky është gjykimi im.

Gramoz Ruçi – Zoti Manja.

Ulsi Manja – Faleminderit, Kryetar! Parimisht, edhe unë bie dakord që nesër të kemi një rezolutë në Kuvend, sepse në fund të fundit, kjo punë arriti te rezolutat: rezolutë për këtë, rezolutë për atë, rezolutë për këtë tjetrën. Unë jam i bindur se edhe për sa kohë, deri më 24 korrik të 2022-shit kjo punë do të jetë.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Deri më 24 korrik të 2022-shit kjo punë do të jetë, rezolutë pas rezolute, sepse çështja e zbatimit të reformës në drejtësi është çështje parimore. Njëra palë është pro reformës në drejtësi, për ta çuar deri në fund reformën në drejtësi, si reformë politiko-juridike. Sepse, le të mos bëjmë sofizma: reforma kaq të mëdha, në radhë të parë konceptohen politikisht, e pastaj, pas votimit në Parlament zbatohen juridikisht. Nga ana tjetër, kemi një palë tjetër, e cila që në ditën e parë është pozicionuar jo në mbështetje të reformës në drejtësi. Tani si do ta zgjidhim këtë? Shqetësimi kryesor i këtij parlamenti është bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese një orë e më parë. Ky është shqetësim kombëtar, është emergjencë kombëtare.

Debati
Tani, neve na ka zënë ky taksirat në lidhje me qasjen që bën Presidenti i Republikës. Mirëpo, nga ana tjetër, ne jemi republikë parlamentare, e për këtë jemi mbledhur këtu. Mirë që Parlamenti i bën thirrje në rezolutë Presidentit “që të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e reformës në drejtësi”, siç thuhet aty, por nuk zgjidhet me thirrje kjo punë. Më pas, po prapë, në paragrafin e fundit thotë: “Kuvendi i bën thirrje në mënyrë të ripërsëritur”. Jam dakord me zotin Murrizi, që kjo çështje do zgjidhur një herë e mirë, dhe do të duhet të zgjidhet me ndryshime kushtetuese e ligjore….

Edlira Hyseni (opozita) – Shpresoj t’ju shërbejë, pasi ende nuk e kam kuptuar nëse do të kalojë Arta, apo Marsida do të rrijë apo do të ikë, çështjet janë ende të paqarta dhe mendoj se shumica e deputetëve do të donin ta kuptonin më qartë situatën. Jam pro përfshirjes së rezolutës, por sa i takon kohës nëse duhet patjetër nesër, për mua do të ishte më mirë që ta shtynim për ditën e hënë, por nëse ka çështje afatesh, të cilat nuk i kam të qarta, më thoni ju.

Adriatik Alimadhi (opozita) – Është më mirë, sipas mendimit tim, t’ia lëmë punën komisionit sesa të thërrasim një seancë tjetër, duke i bërë Presidentit një presion politik. Unë kërkoj, duke qenë i pranishëm në këtë konferencë, të paktën nga ana jonë të mos vijë diçka jo e lezetshme ndaj Presidentit. Opinioni publik duhet ta kuptojë që Kuvendi dhe Konferenca e Kryetarëve po e lënë Presidentit, pasi ai tashmë e ka marrë revanshin e tij, duke gabuar dhe duke shkelur Kushtetutën e të tjera, t’i japim kohën e duhur në mënyrë që ai të ndëshkohet vetë nga veprimet e tij sesa të shpejtojmë me lëvizje politike, të cilat e dëmtojnë tërësisht procesin.

Enver Roshi (opozita) – Unë mendoj se parlamentit i ulet shumë serioziteti me rezoluta. Ka një komision hetimor për të shkarkuar Presidentin, ndërkohë që ne sikur e përkëdhelim, duke i thënë hajde se po ta japim edhe një herë dorën, ndërkohë që ai ka tjetër nismë, ai mund të ta tërheqë veshin. Ne duhet të jemi një parlament serioz, të rrimë edhe 24 orë dhe t’i bëjmë ndryshimet ligjore për vetingun e për çdo gjë tjetër, nuk e di nëse kemi kompetenca apo jo, pasi nuk e njoh këtë gjë, t’i thërrasim dhe të raportojnë në Kuvend në komisione për punën që bëjnë. Ku pengohet puna? Informacionet që ata i kanë atje pse nuk i nxjerrin? Çfarë halli kanë? Kemi muaj të tërë që merremi me këtë gjë, kjo në radhë të parë kthehet në një bumerang për ju që jeni maxhorancë, por edhe për të gjithë njerëzit brenda dhe jashtë vendit, si dhe për partnerët ndërkombëtarë, është diçka shumë e lodhshme. Iku shtatori, hyri tetori, doli nëntori, po mbush 6 muaj komisioni hetimor që u ngrit për Metën, që nga korriku, erdhi Venecia dhe asnjë përfundim, ndërkohë që ai po shkel këtë, nesër do të shkel diçka tjetër. Është një gjendje totalisht joserioze, sidomos për parlamentin që është organi ligjvënës në Shqipëri, sepse atje është një person, ndërsa këtu jemi gjithë këta persona. Gazeta Si

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakPasojat e tërmetit/ Dalin shifrat, ja sa milionë euro është kredia e marrë për banesa në Durrës dhe Tiranë
Artikulli tjetërE rëndë! Fundoset anija me 150 persona, mbi 57 të vd ekur