I përlotur dhe me zërin që i dridhej Kollçaku bën premtimin e madh për familjen e Klodianit: Klesio dhe Darla nuk do jeni kurrë vetëm!

Me zërin që i dridhej shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku mbajti fjalën e lamtumirës për major Klodian Tanushin.

Advertisements

Mes të tjerash Kollçaku vlerësoi kontributin e komandantit shqiptar për FA ndërsa premtoi se fëmijët që la pas nuk do mbeten vetëm.

Fjala e plotë:

Advertisements

E dashur nëna e Klodianit,

I dashur Basri,

Të shtrenjtët Serxho, Klesio dhe Darla e vogël,

E nderuar Semiha,

Të dashur familjarë, të afërm dhe miq të Klodianit,

Për ditë të tëra, ju dhe ne, mbajtëm frymën dhe me dridhje në zemër u lutëm për jetën e Klodianit. Shpresuam për mrekullinë. Kurrë nuk donim ta shqiptonim, por na ndodhi dhe trishtimi e hidhërimi na zuri përsëri. Tani na duhet ta përcjellim Klodianin. Tronditja është e pamatë, por jeta na do të mbahemi dhe të qëndrojmë të fortë.

Komandant, sot një Forcë e Armatosur dhe çdo shqiptar, për ty, do mbajë heshtje dhe do përulet, do qajë dhe do mbajë zi, sepse, siç e kanë thënë kolegët e tu të NATOs, ne “Kemi humbur një nga tanët, një vëlla nën armë”.

Nuk mund t’i gjejmë fjalët për të shprehur dhimbjen, por gjejmë dhe kemi aq shumë për të thënë për punën, shërbimin, përkushtimin dhe angazhimin e Major Klodit. I kudondodhur dhe i palodhur, në situatat më të rrezikshme dhe më të nxehta, në vend dhe jashtë tij, kudo që e thirri detyra, kudo që e kërkonte nevoja. Kanë aq shumë për të thënë kolegët e tij shqiptarë dhe të Aleancës, për Klodin njeri, për profesionistin, për komandantin. Ai ishte komandanti dhe ushtari, që gjendej gjithmonë në krye, siç u gjend me kolegen e tij. Ashtu i heshtur, i bindur, pa fjalë, pa zë dhe pa ankesa, ai kreu çdo ditë detyrat e tij, shërbimin e tij, për dinjitetin e vendit, për t’i dhënë zë dhe nder Shqipërisë. Ti, Klodian i paharruar, do mbetesh frymëzimi, krenaria dhe nderi i Forcës së Armatosur, nderi i këtij vëndi. Dhe Shqipëria dëgjon, shënon dhe nuk harron! Vepra e dëshmorëve është amaneti jonë.

Nënë Lumturia,

Kolegu ynë Basri,

Asgje nuk mund ta shërojë plagën dhe dhimbjen Tuaj. Gjithë këto ditë dhe tani që flas, mendja më shkon, zemra më dhemb dhe shpirti më lëshon, për Serxhon, Klesion dhe engjëllin e vogël Darla. E kuptoj që është e rëndë dhe prekëse, por të gjithë kemi nevojë ta shprehim dhe ta nxjerrim dhimbjen. Kjo është ndjenja jonë, ndjenja e të gjithëve. Por ne të rriturit, na duhet të bëhemi të fortë, të qëndrojmë në këmbë dhe t’u gjendemi pranë Semihas dhe fëmijëve të shtrenjtë të Klodianit. Gjithçka e bëjmë për fëmijët. Klodiani sakrifikoi për fëmijët, për të ardhmen e tyre. Ne, të gjithë bashkë, duhet dhe do bëjmë gjithçka për ta. Ne nuk do t’ju lemë vetëm!

Moralin lart! Ne i dimë rreziqet, i dimë edhe vështirësitë, por kjo është puna jonë, kjo është detyra jonë dhe në emrin tuaj, në emër të së ardhmes së fëmijëve tanë, në emër të Shqipërisë, ne do të vazhdojmë të jemi në frontin e përbashkët ku jemi kërkuar dhe urdhëruar. Ne do të jemi gjithmonë gati!

Komandant Klodi do na marrë malli për ty, për zërin tënd, për ngrohtësinë tënde, për fjalën tënde, për urdhërin tënd, për komandën tënde! Shërbimi yt do mbetet i shenjtë, prandaj po të përcjellim në vendin e shenjtë, pranë martirëve tanë, tek të pavdekshmit e kësaj toke!

T’u prehtë shpirti në paqe, i shtrenjti Klodian! Lamtumirë vëllai ynë!

Artikulli paraprakPas zyrtarizimit si deputet i PS, Turi dhe Orinda i bëjnë dedikim Eljos(Foto)
Artikulli tjetërFoto tronditëse! Pamje se si ushtarët serb kanë përdh.unuar femrat në Kosovë